Vuçiqi e do “Trepçen”, “Gazivodën”, Kninin, Milosheviqin dhe BE-në! - Bota Sot
Vuçiqi e do “Trepçen”, “Gazivodën”, Kninin, Milosheviqin dhe BE-në!

Opinione

E shtunë, 22 shtator 2018

Vuçiqi e do “Trepçen”, “Gazivodën”, Kninin, Milosheviqin dhe BE-në!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 12 shtator 2018 Në ora: 19:52
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

*** -E, po kjo është e tepërt! Kjo është një utopi e shkretë mitomane mesjetare serbomadhe, që s’do bëhet kurrë realitet as për serbët, as për Serbinë e as për sllavët pushtues në Ballkan.

Këtë objektiv  strategjik afatgjatë të Serbisë së Madhe (1844-2018) për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe të grabitjes së territorit etnik dhe gjeopolitk të tyre  (Kosovës Veriore), e dëshmoi edhe vizita e 8 dhe 9 shtatorit 2018 e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ndër të tjera përfitoi nga rasti, që në pendën e Ujmanit (Gazivodë), të ngulte flamurin disametërsh të Serbisë, si dhe së këndejmi,  ta “kritikonte” dhe ta lavdëronte “Mësuesin” dhe “Strategun” e tij, Slobodan Milosheviq.

Për këtë qëllim strategjik të ripushtimit të territorit, të burimeve energjetike, minerare, ekonomike dhe të infrastrukturës së objekteve të tyre përcjellëse, Serbia e dërgoi presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq, që ta vizitonte veriun e Kosovës për t’iu treguar shqiptarëve, se  Serbia  nuk ka hequr dorë nga Veriu i pasur strategjik i Kosovës, duke përfshirë në plan të parë minierën “Trepça” dhe “Gazivodën”.  

Vënia e flamurit të Serbisë në “Gazivodë”, është thelbi i mesazhit politik dhe diplomatik i Beogradit zyrtar  për Kosovën, për Amerikën, për BE-në, për NATO-n, për OKB-në dhe për OSBE-në se kufiri i Serbisë, do të jetë mbi lumin Ibër, duke përfshirë edhe liqenin e Ujmanit dhe minierën e artë “Trepça”, pavarësisht bisedimeve  dhe takimeve të presidentit serb me homologun e tij në kuadrin e Dialogut  të Brukselit (2011-2018)  apo nesër në Nju-Jork, në Uashington, në Vjenë apo në Berlin etj.

Këtë strategji të luftës së Serbisë për ripushtimin e territorit shqiptar të Kosovës, e provon edhe ky konstatim i gabuar i presidentit “proeuropian”,  “prodemorkat” dhe  “propaqësor” serb, Aleksanadar Vuçiq, i pohuar në fjalimin e tij të gjatë “historiko-politik”  në mitingun e madh të serbëve në Mitrovicën veriore, se gjoja “ Milosheviqi ishte lider i madh, por sot në Knin po valon “bordi i shahut” - flamuri kroat, i cili, aty  nuk ka ekzistuar kurrë më parë”!?

Kjo do të thotë se, Serbia edhe pas vdekjes së kryekrimielit Slobodan Milosheviq, ende nuk është “përshëndetur” përfundimisht nga politika, nga propaganda dhe nga diplomacia luftarake e regjimit gjenocidal të Slobodan Milosheviqit. Përkundrazi, edhe politika e sotme e ashtuquajtur proevropiane e Serbisë me Aleksandar Vuçiq (president) dhe me Ivica Daçiq (nënkryeministër dhe ministër i Jashtëm) në krye, ende ëndërron “Proejktin” e Slobodan Milosheviqit dhe Memorandumin e ASHAS-së (1986) për  spastrimin etnik të  shqiptarëve, të myslimanëve boshnjakë  dhe të kroatëve (1990-1999), si dhe ende   ushqen iluzione të shkreta se një ditë në Knin kroat, do ta rikthejë flamurin çetniko-fashist  të saj  “Samo sloga spasava Srbiju”! Mirëpo, kjo kurrë nuk do të ndodhë më, sepse Milosheviqi hitlerian serb, tanimë ka ngordhur së bashku me pretendimet  e shtetit, të Akademisë Memorandumiane (1986) dhe të kishës së tij mitomane mesjetare  se,  “aty ku është një varr serb, është Serbi”!?

Kjo nënkupton  shfarosjen dhe shpërnguljen sistematike institucionale të shqiptarëve, të kroatëve dhe të myslimanëve boshnjakë, ashtu sikurse  ndodhi me tri gjenocidet e fundit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit kundër Koracisë, Bosnjës myslimane dhe Kosovës shqiptare (1990-1999), ku Serbia masakroi dhe shpërnguli me qindra e mijëra njerëz nga vatrat e tyre stërgjyshore vetëm pse nuk ishin serbë dhe, vetëm pse nuk  pranuan që të jetonin nën shajkaçën e sundimit tiranik kolonial të Serbisë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit dhe të Vojislav Sheshelit etj.

Vuçiqi: “ Nuk kemi zgjidhje për Kosovën. As që jemi afër saj”!

Natyrisht se nuk keni dhe, nuk do të keni kurrë, sepse Kosova është e shqiptarëve, jo e Serbisë. Ky është problemi shekullor i serbëve dhe i Serbisë, që nuk duan ta kuptojnë për shkak të luftës ekspansioniste dhe hegjemoniste të pushtimit dhe të kolonizimit të territoreve shqiptare në Ballkan.

Mirëpo, unë konsideroj se e vetmja zgjidhje e drejtë, demokratike dhe paqësore e konfliktit historik serbo-shqiptar, është kjo: Së pari, priftërinjtë, mësuesit, profesorët, prindërit, shkolla, kisha, fakulteti, akademia dhe politika,  duhet t’i edukojnë dhe t’i arsimojnë drejt fëmijët, nxënësit dhe studentët e tyre se shqiptarët janë  një komb më vete, që me shekuj (që nga epoka e Illyrisë) jetojnë në tokat e tyre autoktone, domethënë të Shqipërisë etnike në Ballkan, Jo në territoret e ashtuqujatura  të “Juzhna e Stara Serbisë”, siç  i kanë mësuar  gabimisht me shekuj gjeneratat serbe. Ky është fatalitet jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë serbët.

Ky problem do të zgjidhet  vetëm atëherë, kur të lindë NJË  TUCOVIQ I RI sikur socialdemorkati i dikurshëm Dimitrije Tucoviq,  i cili në librin e tij “Srbija i Arbanija” (1914)  ka shkruar se “DERISA SERBËT NUK E KUPTOJNË SE JETOJNË NË TOKAT SHQIPTARE” konfliktet dhe luftrat e përgjkashme mes serbëve dhe  shqiptarëve nuk kanë për t’u ndalur dot.  Ky është problemi i pazgjidhshëm serbo-shqiptar, JO pse Serbia nuk e ka kuptuar realitin e dikurshëm të rrethanave politike në shkallë evropiane dhe botërore.

Prandaj, nuk e kam të qartë se për çfarë “zgjidhjeje” të statusit të Kosovës flet presidenti Vuçiq, kur ai së bashku me shtetin e tij (presidencë, parlament dhe qeveri) e kanë të qartë se Kosova kurrënjëherë nuk ka qenë pronë legale dhe legjitime e tyre, por vetëm një koloni klasike , e pushtuar dhe e aneksuar me terror dhe me gjenocid (1912-1999).

Këtë fakt dhe argument të pashmangshëm  historik, duhet mbajtur parasysh si Serbia, ashtu edhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, nëse duan që t’i normalizojnë marrdhëniet me shqiptarët dhe të jetojnë në paqe  me ta.

 –JO Serbia dhe Vuçiqi të kërkojnë rishqyrtimin e statusit politiko-juridik dhe kushtetues të Kosovës së pavarur, sepse ai është mbyllur qe dhjetë vjet (2008-2018).

Në këtë pikëvështrim,  Prishtina zyrtare (as qeveria, as parlamenti e as presidenti Thaçi) nuk kanë asnjë të drejtë të zhvillojnë negociata e as të lidhin kurrfarë traktatesh a marrëveshjesh me Serbinë për revizionimin e kufijve territorialë dhe të shuajres së sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Pavarësisht se çfarë  u ka thënë serbëve në fjalimin e tij në Mitrovicë, presidenti Aleksandar Vuçiq (8 shtator 2018) se gjoja “Serbia ka pasur iluzione se është e madhe dhe e fuqishme, dhe se Slobodan Milosheviqi ka qenë lider i madh. Kjo  politikë e Serbisë ishte e gabueshme mbase serbët nuk u bënë më të mëdhenjë sesa ishin, por paguan një çmim të madh, jo pse kroatët, myslimanët dhe shqiptarët ishin më të fuqishëm dhe më  trima, por për faktin se serbët nuk e kuptuan pozicionin e Serbisë në botë dhe relacionet e saj me botën, duke qenë se  pa ndihmën e saj, nuk bëhet asgjë.”

-Është e vërtetë se politika militariste dhe hegjemoniste  dhe gjenocidale e regjimit serb të Slobodan Milosheviqit (eksponentë të asaj politike ishin edhe Vuçiqi me PRS-në, edhe Daçiqi me PSS-në, nën komandën e vojvodës Vojislav Sheshel dhe të Slobodan Milosheviqit. Mirëpo, edhe këta dy “çiliminjë” të indoktrinuar dhe të mashtruar ishin të verbër politikisht për shkak të disciplineë së hekurt fashiste-nacionalsocialiste  dhe të diktatit të vozhdëve të partive të tyre Sheshel-Milosheviq) ishte fatale, tragjike dhe e gabueshme (1989-1999). Ky ishte shkaku dhe pasoja, pse Serbia dhe serbët kryen 3 gjenocide kundër kroatëve, myslimanëve dhe shqiptarëve, pikërisht, pse ushtarakisht dhe në armatime nuk ishin askund të përafërt me soldateskën serbo-jugosllave (paramilitarë, militarë dhe police) të regjimit vrastar  serb të Slobodan Milosheviqit ngase me forcë konfiskuan dhe plaçkitën  të gjithë arsenalin ushtarak dhe të armative të kazermave të APJ-së së ish-RSFJ-së. Kjo i bëri çetniko-fashistët militarisë agresorë dhe gjenocidalë më të fortë sesa kroatët, myslimanët dhe shqiptarët, jo pse ishin më trima se kroatët, se myslimanët dhe se shqiptarët. Kjo ishte përparësia ushtarake, që çetniko-fashistët militaristë dhe atavistë  i shtyri në luftën barbarike kundër kroatëve, myslimanëve dhe shqiptarëve (1990-1999).

Nëse Vuçiqi dhe Serbia  aspirojnë  realizimin e vlerave universale evropiane dhe botërore për fëmijët e tyre, që të jetojnë të lirë dhe pa druajtje në vendin e tyre sikurse popujt e tjerë të civilizuar në botë, atëherë, duhet të zgjedhin dhe të përqafojnë drejtësinë universale, sepse liria, drejtësia, vetëvendosja, nuk janë vetëm prona të tyre të paluajtshme, por të gjithë njerëzimit.

Prandaj, pavarësisht se ç’mendon dhe, si e ka  vlerësuar  Vuçiqi “mesijen” e tij, Slobodan Milosheviq në fjalimin e tij  “historik” para serbëve në Mitrovicë, të mbajtur në frymën e “Gazimestanit” fatal të Slobodan Milosheviqit (28 qershor 1989), kompromisi me shqiptarët  nuk mund të gjendet, duke kërkuar  Veriun e Kosovës, që t’i bashkëngjitet Serbisë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë, as sot e as nesër, pas shkuarjes nga pushteti të presidentit Hashim Thaçi dhe të kamarilës së tij politike, që përbrenda e kanë pushtuar “kështjellën” e Kosovës  (2008-2018).

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test