Komuna Pejës jep subvencione pa kritere

Peja

Komuna Pejës jep subvencione pa kritere

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 09:48
Peja

Komuna e Pejës në rregulloren për ndarjen e subvencioneve nuk ka vendosur kritere të qarta për ndarjen apo refuzimin e suvensioneve. Po ashtu, kjo komunë nuk ka respektuar procedurat e konkursit për arsimtarë me rastin e rekrutimit të arsimtarëve.

Sipas raportit të Auditorit për vitin 2015, Komuna i kishte ndarë KF “Besa” subvencione në vlerë 18,500€, ndërsa në kërkesën e klubit për këtë subvencion nuk ishte bashkangjitur ndonjë plan konkret se ku do të shpenzohen mjetet dhe cila pjesë e shpenzimeve të KF “Besa” do të mbulohet nga subvencioni.

“Komuna i kishte ndarë për OJQ “Anibar” subvencione në vlerë 10,000€, për projektin për edicionin e gjashtë të shfaqjes së filmave të animuar në Pejë në vlerë prej 122,867€. Në kërkesën e OJQ “Anibar” për këtë subvencion nuk ishte bashkangjitur ndonjë plan konkret se ku do të shpenzohen mjetet dhe cila pjesë e shpenzimeve të edicionit të gjashtë të shfaqjes së filmave të animuar në Pejë do të mbulohet nga subvencioni. Komuna kishte subvencionuar OJQ “Mehmet Shoshi” nga Peja në shumën 34,400€ për ngritjen e busteve të disa heronjve të Pejës, duke mos përcaktuar me kontratë afatet kohore të përfundimit të punëve dhe kriteret, apo një autoritet profesional për pranimin e cilësisë materiale dhe artistike të busteve. Subvencionimi prej 4,500€, mjete shtesë për rregullimin e rrethojës metalike të varrezave në fshatin Jabllanicë e madhe kishte ndodhur ne vitin 2014, ndërsa aprovimi për këtë subvencion ishte në vitin 2015. Jo të gjithë përfituesit kanë ofruar çertifikatë të regjistrimit të OJQ-së apo dëshmi tjetër që dëshmon qëllimin publik të subjektit përfitues të subvencioneve”, thuhet në raport.

Auditori thotë se pozicionet e paguara për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat e Lugut të Baranit, ishin më të larta se pozicionet e kontraktuara në vlerë prej 52,338€, pa aprovim përkatës apo kontratë shtesë.

“Komuna kishte paguar edhe për 5 pozicione shtesë për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat e Lugut të Baranit në vlerë prej 119,980€ të cilat nuk ishin të kontraktuara. Vlera totale e këtyre pagesave ishte 172,318€. Ky projekt për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat e Lugut të Baranit në vlerë 3,447,983€ ishte ndërprerë me arsyetimin e mungesës së mjeteve financiare edhe pse kontrata financiarisht ishte përmbushur 79% deri më tani apo 2,727,784€.Një kontratë kornizë për blerjen e materialit administrativ të zyrës ishte tejkaluar në disa pozicione, ndërsa disa artikuj nuk ishin furnizuar asnjëherë, edhe pse kontrata përfundon afatin tre vjeçar në 12.07.2016. Nga ekzaminimet tona ne kemi testuar 9 nga 220 pozicionet e kontraktuara dhe kemi gjetur se ishin furnizuar 11,000 rise me letër A4 si materiali më i shpeshtë administrativ nga 7,000 sa ishin kontraktuar. Në katër lloje të tonerëve me çmimin më të lartë ishte tejkaluar sasia e kontraktuar 520% për Toner LBP 600B me çmim 41€/copë, 124% për Toner 12A me çmim 33€/copë, 485% për Toner 35A me çmim 35€/copë dhe 280% për Toner 85A me çmim 4.10€/copë. Derisa, katër prej 48 lloje të tonerëve të kontraktuar me çmim prej 0.01€ nuk ishin furnizuar asnjëherë (TN 2 16Y; TN 2 16R; TN 2 16C dhe TN 2 16K). Komuna nuk ka qenë në gjendje të na dëshmoj nëse ka në përdorim aparate printimi për 48 lloje të Tonerëve. Kontrata kornizë për furnizim me naftë kishte qenë valide deri më datë 11.02.2015, ndërsa nga kjo datë furnizimi bëhet në bazë të një zgjatje e kontratës nga drejtori i prokurimit, deri në një kontraktim të ri dhe vlera e paguar pas skadimit të kontratës është rreth 293,005€. Shërbimet e përfaqësimit dhe avokaturës në vlerë 2,842€, janë kryer në vitin 2014, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vitin 2015. Kontrata për “Mirëmbajtja e kanaleve të hapura, pastrimi i tyre dhe heqja e mbeturinave të mbetura” në vlerë 9,833€ është nënshkruar me 24.06.2015, ndërsa pagesa është bërë për punët e kryera prej 10 deri më 30.06.2015. Komuna, për udhëtime zyrtare jashtë vendit biletat e fluturimit i kishte blerë me para kesh në vend të blerjes përmes procedurave. Tek kontrata “Kryerja e shërbimeve të fotokopjimit dhe printimit të materialeve administrative për nevojat e drejtorive së SHCK? janë përdorur procedura të kuotimit të çmimeve në vend të procedurave të hapura, siç kërkohet nga LPP. Në rastet e kontratave publike kornizë, autoriteti kontraktues duhet që të përdorë njërën nga procedurat: Hapur; Kufizuar; ose Procedurën e Negociuar”, thuhet në raport.

Auditori thotë se çmimi i blerjes së naftës me “Premium? nuk ishte kalkuluar si duhet pasi që çmimi i transportit nuk ishte kalkuluar sipas Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Shpenzimeve të Kostos së Transportit të Mallrave të Importuara.

“Në katër raste ishin bërë pagesa pa ndonjë konfirmim nga ana e komunës se shërbimet janë pranuar. Këto pagesa janë bërë për shërbime të pastrimit të mbeturinave 5,950€, furnizime pastrimi 3,468€, shërbime postare 12,600€, dhe pastrimi i objekteve shkollore 251,752€. Pagesa iu ishte bërë OE për shërbime të tërheqjes së 50 makinave brenda qytetit, nga EUROEXPORT deri te Shkolla Teknike, duke faturuar largësinë prej 30 Km për veturë. Largësia reale deri në këtë destinacion është rreth 4 Km për veturë nga e cila konkludojmë se obligimi për pagesë ishte 1300 Km nga 1.5€ për Km vërejmë se fatura e paguar është 1,950€ më shumë Nga 200 Km sa do duhej paguar. Për blerjen e kamionit të zjarrfikësve, në bashkëfinancim me ambasadën e Japonisë në Vjenë, komuna kishte paguar pjesën e participimit prej 40,500€, pa TVSH duke mos konsideruar se komuna nuk është e liruar nga ky lloj i tatimit. Gjatë implementimin e kontratës për furnizim me gjedhe mështjerra gravide (5-7 muaj), plani dinamik i liferimit nuk është respektuar dhe ka pasur vonesa të theksuara për të cilat komuna nuk ka ekzekutuar penale. Gjatë testimit të pagesave se ne kemi hasur në 17 pagesa, ku urdhërblerja është bërë pas pranimit të faturës”, thuhet në njoftim.

Mungesa e kontrolleve të brendshme ka rezultuar në mangësitë në vijim: Transferim i nëpunësit civil në kategori të ndryshme funksionale, gradë dhe hap të pagës, respektivisht nga pozita Zyrtar i lartë juridik në DSHMC në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Administratën e QKMF.

“Konkurset për personel arsimorë ishin hapur pa një kërkesë për arsimtarë nga shkolla përkatëse. Nuk janë respektuar procedurat e konkursit për arsimtarë me rastin e rekrutimit të arsimtarëve, duke mos shpallur konkursin në gazeta publike. Në disa raste ishin zhvilluar procedura të intervistimit të kandidatëve për punësim në arsim nga komisione jo të plota të testimit. Kontrata e të punësuarës ishte nënshkruar në muajin maj 2015, për 8 muaj me vonesë, respektivisht nga nëntori 2014. Punëtori i pranuar të kryej detyra të menaxherit të prokurimit me marrëveshje për shërbimet e veçanta është pranuar në bazë të Marrëveshjes se Bashkëpunimit me AMKMK, në anën tjetër ka realizuar dy paga për një orar të plotë te punës në institucionet publike. Marrëveshja është e lidhur vetëm për 3 muaj, ndërsa vazhdon punën edhe pas skadimit të këtij afati

“Për vitin 2015, ngarkesa për tatimin në pronë ishte 1,826,986€, ndërsa janë inkasuar 1,374,377€ prej të cilave 56,442€, kishin qenë kamata dhe dënime si dhe 427,228€ pagesa të tatimit nga vitet paraprake. Komuna kishte planifikuar që të inkasohen 1,500,000€, që ishte në shpërputhje me ngarkesat për vitin 2015. Te hyrat nga tatimi në pronë sipas sistemit në Ministrinë e Financave janë më te larta se ato të regjistruara në SIMFK për shumën prej 28,726€. Deri në fund të auditimit, përpjekjet për harmonizimin e diferencave në mes të komunës dhe Ministrisë së Financave nuk kanë rezultuar me sqarimet e kërkuara. Planifikimi i të hyrave nga taksat për lejet e biznesit, shitjen e mallrave dhe shërbimeve, lejet e ndërtimit, dhe inspektimin është ambicioz dhe aspak në përputhje me kapacitetin inkasues. Po ashtu, komuna nuk ka regjistra të qartë mbi objektet dhe pronat tjera të dhëna me qira. Gjatë rishikimit të planit për tatimin në pronë, kemi identifikuar se nuk është përfshirë në plan verifikimi i 1/3 së territorit për rivlerësim të pronave, siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ nr. 03/2011 për mbledhjen dhe regjistrimin e informatave të tatimit në pronë. Këtë vit, obligimet e pa paguara janë deklaruar në shumë 827,817€, që krahasuar me vitin paraprak ishin 609,000€ apo 26% më pak. Detyrimet kontingjente kanë arritur në 862,680€ nga 665,570€ sa ishin në vitin 2014, prej të cilave vetëm një detyrim ishte 390,000€, kompensim dëmi, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 472,680€ ishin për 18 subjekte tjera të natyrës kryesisht për kompensim dëmi apo borxhe të mbetura më herët”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat