Prapë përsheshen pllakat e Pejës

Peja

Prapë përsheshen pllakat e Pejës

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 21:31
Pllakat e dëmtuara në Sheshin "Skënderbeu" të Pejës

Edhe pse vjet nga Komuna e Pejës ishin dhënë 9 mijë euro për heqjen e pllakave të dëmtuara, përsëri janë shkatërruar pllakat në Sheshin “Skënderbeu”.

Jeton Berisha, një qytetar nga Peja tha për KALLXO.com se nëse komuna nuk i rregullon pllakat sivjet, vitin e ardhshëm do të jetë sfidë për të kaluar nëpër shesh.

“Nëse kjo gjendje nuk parandalohet dhe nuk investohet në sheshin kryesor të qytetit, vitin e ardhshëm duhet  veç me çizme me kaluar këndej,” tha ai.

Por drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës Ukë Selimaj thotë se sivjet komuna nuk do t’i rregullojë pllakat e prishura.

“ Komuna nuk ka ndarë mjete për rregullimin e pllakave e as për ndonjë investim tjerër të ngjashëm në shesh për këtë vit. Vitin e kaluar është bërë një investim modest, janë investuar 9 mijë euro për ndërrimin e pllakave,” tha Selimaj për KALLXO.com.

Naser Lajçi nga organizata joqeveritare “ Syri i Vizionit” duke folur për KALLXO.com kërkon nga Komuna e Pejës ndërmarrjen e masave për parandalimin e shkatërrimit të sheshit dhe investime në mirëmbajtjen e tij.

“Institucionet komunale ish dashtë t’i rinovojnë (pllakat). Dëmtimet ka kohë që vërehen nga çdo kalimtar se janë që disa vite në atë gjendje.  S’ka ndonjë interesim për renovimin e tyre, përpos që janë dhënë në shfrytëzim sheshet për kafene ose për makina për fëmijë,” tha Lajçi.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Pejë tregon pse u dëmtuan pllakat e sheshit “Skënderbeu”.

“Gabimi më i madh është që është lejuar qarkullimi pa kritere i makinave të ndryshme, gjë që ka shkaktuar shumë dëme. Vetëm një masë preventive kemi ndërmarrë në fund për pengimin e qarkullimit të lirë,” arsyetohet Selimaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat