Qendrat e Mjekësisë Familjare në Klinë, në kushte të rënda infrastrukturore dhe higjienike

Peja

Qendrat e Mjekësisë Familjare në Klinë, në kushte të rënda infrastrukturore dhe higjienike

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 10:12
Ambulanca

Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Ambulancat  e Mjekësisë Familjare, të cilët ofrojnë shërbime të shëndetit primar në Klinë, veprojnë në kushte të rënda infrastrukturore dhe higjienike. Madje, ato ofrojnë shërbime të kufizuara, ku nga 13 të tilla të vizituara, në vetëm njërën prej tyre ka qenë i pranishëm mjeku kujdestar.

Kështu është bërë e ditur nga Organizata Joqeveritare “Koha”, e cila në kuadër të projektit “Përgjegjësi dhe Transparencë Financiare e Institucioneve Publike Lokale” të financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, gjatë muajit Shtator 2016 ka vizituar disa nga njësitë publike të cilat ofrojnë shërbime në territorin e Komunës së Klinës.

Në njoftimit e tyre thuhet se në organogramin e ofruar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Klinë theksohet të ekzistojë edhe Ambulanca e Mjekësisë Familjare në fshatin Volljakë, mirëpo personeli i OJQ KOHA-së ka vërtetuar se në këtë fshat nuk ka fare objekt të kësaj njësie. Disa nga njësitë e tjera të shëndetit primar, siç janë ato në fshatrat Shtupel, Leskoc, Budisalc, Jashanicë e Epërme dhe Gllarevë, kanë qenë plotësisht të mbyllura, që bie në kundërshtim me qëllimin e themelimit për t’i qenë sa me afër qytetarit.

“Të gjitha këto njësi të shëndetit primar gjenerojnë shumë pak të hyra financiare, si rezultat i lirimit nga pagesat të disa kategorive të qytetarëve dhe si rezultat i mungesës së mjekut në të shumtën e rasteve, meqë vetëm në prani të mjekut qytetarët paguajnë për shërbimet shëndetësore. Komuna e Klinës, me buxhetin e ndarë për vitin 2016, nuk ka paraparë ndarjen e mjeteve financiare për sektorin e shëndetësisë në Klinë në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale. Komuna, vetëm me buxhetin e vitin 2017, ka ndarë 20,000 euro në kuadër të investimeve kapitale për furnizim me zhvillues për fotografim mjekësor”, thuhet në njoftimin e tyre.

Përmes këtij njoftimi, nga kjo organizatë ftojnë organet, gjegjësisht Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, të ketë një kontroll dhe menaxhim më cilësor të njësive të shëndetit primar, të cilat veprojnë në territorin e Komunës së Klinës dhe të jenë në shërbim të shëndetit të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat