AAK: Peja po shkatërrohet nga ndërtimet pa leje

Peja

AAK: Peja po shkatërrohet nga ndërtimet pa leje

Më: 6 tetor 2016 Në ora: 13:06
AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të enjten ka shprehur shqetësimin me siç u tha shkatërrimin që po i bëhet qytetit të Pejës me ndërtimet pa leje.

AAK thekson se kanë pasur thirrje e takime me qytetarë, të cilët kanë kërkuar që të reagohet për ndërtimet pa leje që kanë filluar këto ditë.

“Sigurisht se është detyrë e jona dhe e secilit qytetarë të ngrit zërin për këtë degradim të paparë që po bëhet. Asnjë njeri nuk mund të dalë në qytet e mos të shoh me sytë e tij ndërtimet në zonën e parë të qytetit pa shkuar fare më larg”, thuhet në reagim.

Këto objekte që kanë filluar janë: Objekti përballë QKMF-së, Objekti  në udhëkryq afër Shkollës Fillore Lidhja e Prizrenit, Objekti te Fakulteti i Biznesit, Objekti  në afërsi të Radio Pejës, etj.

“Gjitha këto ndërtime pa leje në zonën e parë të qytetit nuk kanë mundur pa u parë edhe nga policia dhe nga prokuroria ngase janë ndërtime të larta dhe vetëm nëse dikush e ulë kokën mund të mos i sheh”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Ndërtimet në këto objekte janë ndaluar nga Inspektorati dhe kjo në disa raste është bërë edhe me media.

“Flitet se këta Inspektor shfrytëzohen si ‘masha’ duke i ndaluar ndërtimet ndërsa që më pastaj zyrtarët e lartë të Komunës përmes sekserëve goditen me ndërtuesit për shumën që thuhet se është 10 mijë euro për një kat”, thuhet në reagim.

Për më shumë se 3 muaj këto objekte janë rrethuar me mbështjellës deri sa ka zgjatur koha e “goditjes”, ndërsa që tani pas arritjes siç duket të marrëveshjeve po lejohen të vazhdojnë punimet në këto objekte.

“Plani rregullativ, lejet e ndërtimit dhe të gjitha procedurat e ligjet bien poshtë me kësi veprimeve që mund të quhen edhe të dhunshme në shkeljen e ligjit që po bënë qeverisja e Gazmend Muhaxherit me klikën e tij. AAK-ja kërkon nga organet e drejtësisë që të veprojnë dhe mos të lejojnë që për hir të pasurimit të një grupi të zyrtarëve të Komunës të degradohet qyteti i Pejës. Argumentet i kanë para sysh vetëm nëse nuk duan t’i shohin”, thuhet në reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat