Mbi 16 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë

Peja

Mbi 16 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 15:15
Pamje nga takimi

Qeveria e Kosovës së bashku me Qeverinë Federale të Gjermanisë përmes KfW-së, Qeverinë e Konfederatës Zvicerane përmes SECO-së, komunën e Pejës, si dhe kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “HIDRODRINI” në Pejë, nënshkruan marrëveshje në shumën prej 16.6 milionë euro për të mbështetur përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza në Pejë.

Kostoja e përgjithshme e vlerësuar për projektin llogaritet të jetë rreth 25 milionë euro. Financimi përbëhet nga një grant prej 8 milionë euro nga Qeveria e Zvicrës, 9 milion euro grant në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjerman dhënë nga KfW-ja. Ndërsa fondet e mbetura për projektin do të sigurohen nga Republika e Kosovës dhe Komuna e Pejës.

Ky projekt është një nga investimet më të mëdha në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë. Projekti nuk është i rëndësishëm vetëm për qytetin e Pejës, por ka efekt ndërkufitar për të gjithë vendin ku përbëhet nga komponentët kryesore: ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, ndërtimi i një kolektori të ri dhe rehabilitimi i kolektorit të vjetër në qytet. Për më tepër, projekti përmban masa për rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza në pikat kritike në qytetin e Pejës.

Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza do të ketë kapacitet ekuivalent për 60 000 banorë.

Projekti është një prioritet i lartë në kompaninë e ujit dhe Republikën e Kosovës. Projekti do të mbrojë lumin Drin në Pejë si dhe do të bëjë të mundur që Kosova të bashkoj nismat ndërkufitare.

Angazhimet e Qeverisë Gjermane për Bashkëpunim Financiar gjatë 17 viteve të fundit për Kosovën arrijnë në rreth 320 milionë euro dhe  përqendrohen në mbështetjen e infrastrukturës komunale, sektorin financiar dhe të energjisë. Sektori komunal i infrastrukturës është një segment kryesor në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjerman me Kosovën. Bashkëpunimi përqendrohet në nevojën për investime afatgjata në ndërtimin e impianteve të reja të ujit dhe ujërave të zeza, rehabilitimin e rrjetit urban, ndërtimin e rezervuarëve, instalimin e pompave, dhe mbrojtjen e burimeve ujore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat