Peja ende me akull dhe borë, komuna vonohet në procesin e tenderimit

Peja

Peja ende me akull dhe borë, komuna vonohet në procesin e tenderimit

Më: 6 shkurt 2017 Në ora: 12:48
Gjendja e rrugëve në Pejë

Rrugët e Pejës ende janë të mbuluara nga bora dhe akulli.Edhe pse në shumicën e qyteteve të Kosovës kompanitë kanë hequr borën nga rrugët, sidomos ato kryesore, njëjtë nuk është në qytetin perëndimor të Kosovës.

Në këtë qytet akulli dhe bora shihen ende në rrugët kryesore, pavarësisht se temperaturat janë ngritur dhe nuk ka reshje bore.

Qytetarët ankohen për gjendjen e rrugëve ndërsa fajësojnë zyrtarët e komunës për këtë neglizhencë.

Sipas tyre njerëzit më shumë u ka ra të shkojnë në spital sesa në punë, ndërsa thonë se makineritë për pastrim nuk janë dukur fare nëpër qytet.

Qerim Berisha, qytetar i Pejës tha për KosovaPress se më e pastruar ka qenë qyteza e Klinës sesa Peja, ndërsa thotë se nuk ka parë fare kamionë duke i pastruar rrugët e qytetit.

Berisha: Kamionët për pastrim nuk janë dukur fare

“ Vetëm një herë në jave një kamion, nuk është pastruar qyteti fare...Kemi pasur rast që Klina është pastuar më mirë, kurse qyteti i Pejës është llom krejt. Me kqyr edhe lagjet ku kalojnë qytetarët krejt janë me borë. Kemi dal në protestë për lirimin e Ramushit dhe krejt qytetarët janë të lagur në këmbë sepse nuk është pastru qyteti”, tha Berisha.

Sipas Ahmet Krasniqit për shkak të akullit dhe borës shumë njerëz kanë rrëshqitur duke thyer duar dhe këmbë.

Krasniqi: Qytetarët kanë thyer këmbët ose duart nga rrëshqitja në shesh

“Probleme kemi pasur shumë për këtë borë që ka ra. Nuk e di fajet kush i ka, unë kisha thanë që të komunës.. Kemi pasur edhe lëndime dhe rrëshqitje të njerëzve, kanë thyer këmbë e duar, ka njerëz që edhe janë të paralizuar dhe pavetëdijeë prej kësaj...Prej Lugut të Baranit e kanë pastruar e ka pas ndërmarrja ‘Lika’ dhe e ka pastruar mirë, por për komunën e Pejës gjendja ka qenë katastrof qe një muaj”, tha Krasniqi.

Për këtë gjendje të rrugëve të Pejës, Shqiponjë Bytyqi fajin ia hedh kryetarit të Komunës. Sipas saj  njerëzit më shpesh kanë shkuar në spital sesa në punë për shkak të neglizhencës së tij.

Bytyqi: Kryetari duhet t’i hap sytë për këtë gjendje

“Kjo gjendje është prej se ka rënë borë edhe vështirësitë kanë qenë të mëdha Secili prej neve që kemi shku në punë kemi qenë shumë të pasigurt, ose kemi rrëshqitur ose dikush është rrëzuar e ka thyer dorën ose këmbën.  Më shumë kanë shkuar në spital sesa në punë. Gjendja është ende e rëndë, sepse kështu sic është mundemi prap me rrëshqit dhe me pas rrezik. Kjo mbetet tek kryetari por kryetari nuk po i hap sytë, se di kush tjetër duhet me kry këtë, pos tij “, tha Bytyqi.

Zyrtarët e komunës pranojnë se rrugët e Pejës nuk kanë qenë të pastruara nga bora, por krejt kjo sipas drejtorit të Shërbimeve Publike ka ndodhur për shkak të vonesave të tenderimit.

Muhamet Mahmutaj po ashtu arsyetohet me atë se në Pejë bie borë më shumë sesa në qytetet tjera.

Mahmutaj: Kemi pasur vonesë sa i përket procesit të tenderave

“Këtë periudhë kohore në Pejë ka qenë një dimër i ashpër, edhe ka qenë me i ngarkuar me borë sesa qytetet e tjera. Vërtet që është marr me vonesë, por jo në atë kuptimin që mos me mujt me fillu punën, pra largimin e borës. Sepse po sa ka rënë bora operatorët kanë dal në terren dhe kanë filluar pastrimin e saj. Kanë punuar edhe natën edhe shpeshherë pas gjysmës së natës. Ne i kemi ndarë rrugët me prioritet dhe në radhë të parë i kemi pastruar rrugët me prioritet, pastaj kemi vazhduar në të gjihta fshatrat, bile edhe aty ku nuk ka pasur asfalt, jemi munduar të intervenojmë. Mirëpo, është e natyrshme sepse dimri ka qenë i fortë, temperaturat kanë qenë deri -25 gradë celsius. Edhe pse është pastruar, kanë ngel ngricat e akullit dhe akulli në një temperaturë të tillë nuk mund të shkrihet as edhe me hedhjen e kripës”, tha Mahmutaj.

Mahmutaj e pranon se kanë pasur ankesa nga qytetarët për këtë gjendje, por iu kërkon falje që nuk ka mundur t’iu dal në ndihmë.

Mahmutaj: Kemi pasur ankesa nga qytetarët

“Ju kërkojmë falje atyre njerëzve ,  të cilët kanë thirrë për të kërkuar ndihmë, dhe ne nuk iu kemi dal në ndihmë. Ndoshta për shkak të pjerrtësisë së madhe, makineria nuk ka mujt me dal për ta pastruar...E mira e së mirës, kish qenë me u kry më herët, pra marrja e tenderëve për pastrimin veror dhe dimëror. Po për shkak të natyrave të ndryshme dhe të punëve të shumta është shtyrë pak ky proces”, tha Mahmutaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat