Qytetarët e rajonit të Pejës kërkojnë unitet të partive politike për dialogun me Serbinë

Peja

Qytetarët e rajonit të Pejës kërkojnë unitet të partive politike për dialogun me Serbinë

Më: 17 mars 2017 Në ora: 14:25
Debat publikPejës

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot debat publik me qytetarë, deputet të Kuvendit të Kosovës nga rajoni i Pejës dhe Kryesuesin e Asamblesë Komunale të kësaj komune me temë “Dialogu Kosovë – Serbi: çka më tutje?”.

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI në hyrje të debatit ka theksuar se procesi i dialogut nga shumica e qytetarëve konsiderohet si jo transparent dhe jo gjithëpërfshirës, përkundër faktit që ky dialog ka ndikim në jetën e të gjithë kosovarëve, përfshirë këtu edhe të qytetarëve nga rajoni i Pejës.

Krasniqi shtjelloi çështjen e pezullimit të dialogut nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke ngritur si çështje debati të ardhmen e dialogut në përgjithësi dhe temat që do të duheshin të dialogoheshin me Serbinë në veçanti. Islam Husaj, kryesues i Asamblesë Komunale në komunën e Pejës tha se fillimisht është dashur që ky debat të filloj në nivel lokal me qytetarët e vendit para se të zhvillohej në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij Kosova duhet të vazhdojë të dialogojë me Serbinë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohet interesi i vendit, ndërsa temat për të cilat duhet të dialogohen duhet paraprakisht të konsultohen qyetarët e vendit dhe të mirren për bazë interesat e tyre, e jo të partive politike.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka potencuar se që në fillim të procesit të dialogut, Qeveria aktuale e Kosovës ka negociuar në bazë të nëntë parimeve, ku përfshihet shtetësia e Republikës së Kosovës, shtrirja e sovranitetit të vendit në veri, reparacionet dhe dëmshpërblimet e luftës dhe çështje të tjera me interes të posaçëm për vendin.

Ajo tha se  Kosova asnjëherë nuk do të diskutojë me Serbinë për pavarësinë e vendit apo për punë të brendshme të Republikës së Kosovës.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, ka përmendur disa marrëveshje të arritura me Serbinë që kanë ndikuar direkt në forcimin e shtetësisë së Kosovës, siç janë marrëveshja për kodin telefonik, për shuarjen e strukturave paralele, për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër etj.   në këtë debat deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se  për shkak të mungesës së transparencës deputetët nuk e kanë ditur nëse muri i ndërtuar në veri të Mitrovicës ishte pjesë e marrëveshjes për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër apo jo.

Deputetja Donika Kadaj Bujupi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se partia e saj nuk ka qenë kundër dialogut në parim, por kundër dialogut pa parime.

Ajo vlerësoi se Kosova ka qenë temë, jo palë e barabartë në këto diskutime në Bruksel. Ajo tha se pezullimi  i dialogut nuk ka ardhur si rrjedhojë e Rezolutës së votuar nga Kuvendi, por pezullimi është duke ndodhur për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Ajo shtoi se ky dialog nuk duhet të vazhdojë.

Panelistët ju përgjigjen pyetjeve të qytetarëve lidhur me shumë çështje që lidhen me procesin e dialogut.

Nga ky diskutim  doli në pah  kërkesa e qytetarëve për unifikimin e spektrit politik për dialogun me Serbinë si dhe përfshirjen e temave që kanë të bëjnë më pasojat e luftës si të pagjeturit, gratë e dhunuara dhe dëmet e luftës.   Ky debat u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat