Rrëshqet dheu te shtrati i Lumbardhit në ‘Taphane’ të Pejës

Peja

Rrëshqet dheu te shtrati i Lumbardhit në ‘Taphane’ të Pejës

Më: 29 prill 2017 Në ora: 16:44
Peja

Është shembur një pjesë e murit mbrojtës të shtratit të Lumbardhit në Pejë.

Banorët e lagjes “Taphane” të Pejës janë ankuar në KALLXO.com për shembjen e murit mbrojtës dhe rrëshqitjen e dheut te shtrati i Lumbardhit.

Nga shembja e murit dhe rrëshqitja e dheut po rrezikohen banorët e disa shtëpive, por pavarësisht rrezikut dhe shqetësimeve, asnjëri prej tyre nuk deshi të flasë publikisht para kamerës.

Muhamet Mahmutaj, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Punëve Komunale në Pejë tha se ka njohuri për këtë shembje.

“Kjo ka qenë prej pikave kritike që i kemi shënuar edhe gjatë vërshimeve që kanë ndodhur me herët, se na e kemi pas bërë evidentimin e disa pikave kritike që me intervenuar, jo vetëm këtu, po edhe në disa të tjera”, tha Mahmutaj.

Drejtori gjendjen nuk e konsideroi shumë të rrezikshme, ndërsa tha se komuna do të intervenojë në momentin e parë që do t’i jepet mundësia.

“Po se besoj që është aq rrezik, se na kemi shkuar e kemi parë, i kemi çuar edhe inxhinierët e kanë pa. Sigurisht që do të intervenojmë në kohën e duhur edhe momentin e duhur, si të na jepet mundësia dhe rasti i parë”, tha Mahmutaj.

Komuna e Pejës në dhjetor të vitit të kaluar nënshkroi kontratë për rregullimin e shtratit dhe shëtitores së Lumbardhit, por pjesa te “Taphanja” nuk do të përfshihet njëherë në këtë projekt.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat