VV: Ne jemi shpresa e vendit, do t’i nxjerrim pazarxhinjtë nga politika

Peja

VV: Ne jemi shpresa e vendit, do t’i nxjerrim pazarxhinjtë nga politika

Më: 1 qershor 2017 Në ora: 17:01
Albin Kurti në Pejë

Krerë të Lëvizjes Vetëvendosje, në ditën e dytë të fushatës, kanë qëndruar në Pejë, ku janë takuar me qytetarët, të cilëve u kanë premtuar se me ardhjen e kësaj partie në pushteti, jeta e tyre do të ndryshojë, dhe se së bashku me qytetarët e Pejës dhe krejt Kosovës, po ecin drejt 11 qershorit, ku Kosovën e pret ndryshimi i madh me fitoren e Vetëvendosjes.

I nominuari për kryeministër, Albin Kurti, tha se qytetarët e Pejës dhe Kosovës nuk i kanë merituar qeverisjet e këqija që kanë qenë deri tani, dhe se qytetarët dhe i gjithë populli kanë nevojë për një qeveri, e cila nuk sundon, por i shërben popullit.

Ai u zotua se me Vetëvendosjen në qeverisje  nuk do të ketë më korrupsion e  krim, por do të ketë vetëm demokraci, siguri, zhvillim,  punësim mirëqenie dhe begati.

Kurti: Vetëvendosje, shpresa e këtij vendi

“Të korruptuarit duhet të gjykohen dhe dënohen me votën tuaj më 11 qershor. E pastaj të gjykohen dhe dënohen nga sistemi i çliruar i drejtësisë, sepse pas 11 qershorit nuk do të ketë më shtet të kapur, por do të ketë qeveri të Vetëvendosjes në shtet demokratik, në shtet të së drejtës. Dy koalicionet që më shumë janë një koalicion në dy lista janë përvoja e hidhur e qytetarëve. Vetëvendosje është shpresa e re e këtij vendi”, tha Kurti.

Ai u tha qytetarëve të Pejës, se me qeverinë e Vetëvendosjes merr fund terri e krimi dhe do të fitojë drita e drejtësia.

Kurti: Do t’i nxjerrim pazarxhinjtë nga politika

“Njerëzit e shitur e kanë vënë Kosovën pazar politik dhe ekonomik. Qeveria e Vetëvendosjes do ta nxjerrë Kosovën nga pazari dhe do t'i nxjerrë pazarxhinjtë nga politika. Me qeverinë e Vetëvendosjes do të dalin nga kriza e mjerimi të papunët dhe ish-luftëtarët. Mësuesit e arsimtarët, nxënësit e studentët, mjekët e profesorët, pensionistet e minatorët, bujqit e zejtarët. Më 11 qershor qytetarët e Pejës e të Kosovës nuk do të votojnë për politikan me truproje që u ka ikur mendja, por do të votojnë për politikanë të mençur pa truproje. Më 11 qershor, qytetarët e Pejës dhe Kosovës nuk do të votojnë  për politikanë me xhipa të blinduar, që tuten mos po i sulmon populli, por do të votojnë për politikanët pa xhipa që e duan popullin e i do populli. Më 11 qershor qytetarët e Pejës dhe Kosovës nuk do t’i votojnë rrencat, hajnat e dallaveraxhinjtë që kandidojnë për t’i shtuar rrenat hajnitë e dallaveraxhinjt ë e tyre, por do t'i votojnë politikanët e vërtetë e të ndershëm të Vetëvendosjes për qeverisjen e parë progresive në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, njëherësh kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, tha se nuk mund të flitet për fillim të ri me përfaqësuesit e njëjtë të “klanit pronto”.

Ahmeti: Nuk i frikësohemi këtyre kriminelëve

“Këta po na thonë fillim i ri. Çfarë fillimi i ri me dajat e njëjtë. Çfarë fillimi i ri me përfaqësues të njëjtë të klanit pronto. Fillimi i ri është Prishtina.  Zgjidhja është e qartë. Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja që do ta sjellë mirëqenien sociale. Do ta luftojë korrupsionin. Të papunin do ta bëjë të punësuarin e të punësuarin do ta bëjë të mbrojtur. Për më e rëndësishmja,  për juve qytetarë të Pejës sot, mesazhi është se në asnjë mënyrë, ne nuk do t'i frikësohemi bashkë me juve këtyre kriminelëve. Këta janë pakicë, ne jemi shumicë. Nuk kanë mjete për të na frikësuar, nuk kanë forcë që na mund, andaj qëndroni ballë lart, sepse së bashku do t'i luftojmë këta kriminelë. Do t’i dërgojmë aty ku e kanë vendin. Natyrisht, do t’ua konfiskojmë pasurinë dhe t’ua kthejmë qytetarëve”, tha Ahmeti.

Ndërsa Dukagjin Gorani tha se qytetarët të cilët me vite të tëra zgjodhën pushtetin që nuk e merituan, përfunduan me zhgënjime të mëdha, pasi që për 18 vite atyre u vritej shpresa.

Gorani: Të ndalen papërgjegjësia dhe gënjeshtrat

“Shumë prej neve jemi ardhur në fund të besimit se diçka mund të ndryshohet për të mirë, për këtë vend. Sot ka shumë të tillë që besojnë se braktisja e vendit është shpëtim, e nënshtrimi është zgjidhje. Qytetarë të Pejës kjo papërgjegjësi duhet të ndalet. Kjo kulturë e gënjimit duhet të ndërpritet. Kjo gjendje do të ndryshohet . Besimi mund të kthehet. Fjala e popullit do të dëgjohet. Republika  mund të bëhet. Para jush dhe me ju sot është Lëvizja Vetëvendosje një frymë e dalë nga rinia, nga besimi dhe guximi”, tha Gorani.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit garon si subjekt i vetëm politik. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat