Tre kandidatë për rektor të Universitetit të Pejës

Peja

Tre kandidatë për rektor të Universitetit të Pejës

Më: 4 korrik 2017 Në ora: 17:27
Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”

Këshilli Drejtues i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” këtë javë do t’i intervistojë tre kandidatët për Rektor të këtij institucioni.

KALLXO.com ka mësuar se për këtë pozitë kanë kandiduar, Fadil Millaku, rektor aktual i Universitetit “Haxhi Zeka”, Afrim Selimaj, prorektor i këtij universiteti dhe Armand Krasniqi profesor i UP-së.

Tre kandidatët pritet të intervistohen nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, këtë të premte më 7 korrik. Këtë e ka konfirmuar për media, Haxhi Xhemajli, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Pejës.

“Procesi i zgjedhjes së Rektorit fillon në momentin kur ne, Këshilli Drejtues në bazë të rregullave dhe dispozitave të Statutit e merr raportin prej Komisionit Verifikues të Senatit me kandidatët që i plotësojnë kushtet bazë të Statutit dhe Ligjit të Arsimit të Lartë. Në bazë të kësaj ne procedojmë. Ne orientimisht në mëngjes nesër ( e martë) do ti ftojmë kandidatët për intervistë kurse mbledhjen do ta mbajmë ditën e premtë me datën 7 korrik”, tha Xhemajli.

Sipas tij, zgjedhja e Rektorit pritet të shkoj me votim në Këshillin Drejtues pasi që tre kandidatët Fadil Millaku, Afrim Selimi dhe Armand Krasniqi të intervistohen.

“Të premten pas intervistimit të tyre, është e drejta e votimit që i takon çdo anëtari të Këshillit Drejtues, 1 anëtar 1 votë. Kështu që kandidati i cili i merr 2/3 e votave ai zgjidhet Rektor i Universitetit për katër vitet e ardhshme”, tha Xhemajli.

Kryesuesi i KD-së, tha se Rektori i ri, do të fillojë punën më 1 tetor të këtij viti.

Fadil Millaku i cili po ri-kandidon për pozitën e Rektorit tregoi për prioritetet që ai ka për Universitetin “Haxhi Zeka”.

“Puna e parë është reformimi i programeve dhe përshtatja e këtyre programeve komfor nevojave të tregut… Pika e dytë, fokusi im është ngritja e cilësisë në Universitetin Haxhi Zeka. Ngritja e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, tha Millaku.

Sipas tij, përparësi do tu japin Fakultetit të Agrobiznesit, programit për Prodhimtari Bimore, reforma në Fakultetin e Biznesit dhe pranim të stafit akademik në Fakultetin Juridik.

Ai foli edhe për suspendimin e shtatë programeve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë duke thënë se shumë shpejt do të bëhet edhe plotësimi i këtyre programeve me staf akademik.

Po ashtu Millaku foli edhe për dhënien e bursave për studentët e këtij Universiteti duke thënë se ka kërkuar fonde nga Ministria e Arsimit për dy herë radhazi në vlerë prej 150 mijë euro dhe kjo nuk u është aprovuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat