Mbahet panairi i 34 organizatave të shoqërisë civile në Pejë

Peja

Mbahet panairi i 34 organizatave të shoqërisë civile në Pejë

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 13:39
Pamje nga panairi

Zyra e Bashkimit Europian/PSBE në Kosovë dhe Fondacioni të Kosovës për Shoqëri Civile (KCSF) organizuan sot një aktivitet publik në Pejë, për të nxjerrë në dukje punën e organizatave të shoqërisë civile dhe efektet e saj në komunitetet përkatëse.

Zyra e BE-së në Kosovë ka dhënë mbështetje financiare për 34 organizata të shoqërisë civile përmes programit “Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet”, e cila po zbatohet nga KCSF.

Organizatat e përfshira morën pjesë në një panair të shoqërisë civile në qendrën e  Pejës – një nga komunat ku zbatohet ky projekt – për të treguar përpjekjet e tyre para qytetarëve, si dhe për të mësuar nga puna e njëra-tjetrës.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Dario Di Benedetto, gjatë një takimi me  përfaqësuesit e organizatave në Pejë, tha se BE-ja është e vendosur që të sjellë ndryshim pozitiv në jetët e qytetarëve të Kosovës përmes nismave të tilla

“Qëllimi i këtij projekti të financuar nga BE është të forcojë demokracinë dhe aktivizmin me bazë në komunitet. Përmes kësaj skeme, 34 organizata që kanë marrë mbështetje do të përkrahin avokimin publik, si dhe do të përfshijnë dhe do t’u sjellin përfitime komuniteteve përkatëse. BE-ja është e vendosur që të sjellë ndryshim pozitiv në jetët e qytetarëve të Kosovës përmes nismave të tilla”, tha Di Benedetto.

Drejtori i Programit në KCSF, Fatmir Curri, tha se mbështetja e organizatave me bazë në komunitet është një çështje thelbësore për forcimin e demokracisë dhe aktivizmit në nivel lokal.

“Përmes mbështetjes së këtyre organizatave, krijohen nisma avokimi dhe rritet pjesëmarrja në jetën publike, duke synuar efekte të prekshme për qytetarët në shumicën e komunave të Kosovës”, tha Curri.

Ndryshe, projekte në 26 komuna të Kosovës po mbështeten përmes kësaj skeme, me qëllimin kryesor për të inkurajuar nismat e avokimit të organizatave me bazë në komunitet, të cilat kontribuojnë në ndryshime shoqërore në nivel lokal.

Organizatat përfituese po zbatojnë projekte në nivel të komuniteteve përkatëse, të cilat mbulojnë fusha të ndryshme veprimi, duke përfshirë rininë, barazinë gjinore, personat me aftësi të kufizuara, aktivizimin, institucionet vendore dhe qendrore.

Për të përkrahur këto nisma, Zyra e BE-së në Kosovë ka vënë në dispozicion një mbështetje financiare prej rreth 500,000 eurosh për një periudhë prej dy vjetësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat