Pejë, me aktivitet kërkohet një sistem gjyqësor transparent

Peja

Pejë, me aktivitet kërkohet një sistem gjyqësor transparent

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 06:50
Foto ilustrim

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe rrjeti i aktivistëve Nisma Ime në bashkëpunim me Festivalin “Anibar”, organizojnë sot në Pejë aktivitetin rrugor i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes rreth problemeve me të cilat ballafaqohen individët në sistemin tonë të drejtësisë siç janë qasja në objektet, seancat dhe vendimet e gjykatave në Kosovë, mungesa e përfaqësimit ligjor falas dhe mungesa e transparencës.

Gjithashtu, ky aktivitet synon informimin e qytetarëve e në veçanti të të rinjve për të drejtat që iu takojnë në këtë sistem dhe ritheksimin e kërkesës për një sistem gjyqësor transparent, të drejtë dhe të qasshëm nga të gjithë.

“Duke pasur parasysh mospërfshirjen e rinisë në çështjet shoqërore dhe politike e në veçanti ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, me anë të këtij aktiviteti do të krijohet një hapësirë e përkohshme, ku të rinjtë mund të shprehin shqetësimet dhe problemet tjera me të cilat ballafaqohen, të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet përkatëse mbi të ardhmen dhe përfshirjen e tyre në proceset shoqërore dhe politike, dhe t’u përcjellin mesazhe bashkëmoshatarëve të tyre”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ky aktivitet realizohet si pjesë e projektit “Rinia për Drejtësi” në kuadër të Programit “Kërko Drejtësi” (D4J). Ky program financohet nga Departamenti i Shtetit Amerikan/INL dhe implementohet nga Qendra Kombëtare për Gjykata Shtetërore (NCSC) për të mbështetur zhvillimin e fuqishëm të kërkesës për drejtësi në Kosovë të bazuar në dëshmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat