Haradinaj: Buxheti do të rritet duke ndalur korrupsionin

Peja

Haradinaj: Buxheti do të rritet duke ndalur korrupsionin

Më: 15 tetor 2017 Në ora: 15:17
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është ndalur edhe sot te çështja e buxhetit të Kosovës, duke thënë se do të rritet, duke rritur qarkullimin dhe duke ndalur korrupsionin.

Haradinaj i bëri këto komente gjatë një takimi me qytetarë në Lugun e Leshanit në Pejë , ku tha se askush nuk ka mundur të hyjë në Kosovë pa i vendosur rampa, që nga i madhi e deri te më i vogli.

Në këtë tubim elektoral, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për Pejën premton hapjen e zonës industriale, zonë kjo e cila sipas zyrtarëve të kësaj partie do të punëson afër 3 mijë njerëz.

E në këtë zonë do të punësohen së pari familjet të cilat nuk kanë asnjë të punësuar, si dhe fëmijët që kanë mbetur pa një prind si pasoj e luftës.

Kryetari i AAK-së dhe njëherësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në Pejë tha se buxheti i Kosovës do të rritet prej vitit në vit duke e rritur qarkullimin dhe duke e ndal korrupsionin.

Haradinaj: Buxheti i Kosovës ka me u rritë prej vitit në vit

“Buxheti i Kosovës ka me u rritë prej vitit në vit, jo duke i rrit taksat, vetëm duke e rritur qarkullimin, tu i shti investitorët, tu e ndal korrupsionin që nuk ka mundur kurrkush të hyjë në Kosovë pa i qit rampa prej të madhit e deri tek më i vogli, nuk ka më kështu, e kanë marrë vesh të gjithë investitorët, e kanë marrë vesh qeveritë, ia kanë nis edhe me dhënë grante edhe donacione për ne, për qeverinë, ia kanë nis me dhanë hua të mira. Rrugën për Pejë e kryejmë, autostradën e Pejës me pare që janë hua prej Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. E kemi qel rrugën por dëshirojmë me qelë deri në fund. Kemi probleme në Kosovë që nuk shpjegohen, nuk është shtrenjtë ai gypi i ujit që e dërgon ujin deri diku, nuk është investim i shtrenjtë, nuk janë pare të mëdha, është e çuditshme që kemi lënë familje në Kosovë pa një qeshme në oborr”, tha ai.

Haradinaj tha se rrija e buxhetit për bujqësi do të ndodh edhe në nivel qendror edhe në nivel komunal, si dhe rritja e granteve dhe përkrahja për bujqit.

Kreu i AAK-së porositi banorët e Pejës që të shfrytëzojnë mundësinë për të votuar për kandidatin e kësaj partie, duke iu thënë “vrane shenjen mos e humbni momentumin”, duke potencuar se kandidati i AAK-së do të ketë përkrahjen e tij si kryeministër i Kosovës.

Kurse, kandidati për kryetar të Pejës nga AAK-ja, Fatmir Gashi, potencoi se që një vit është duke u përgatitur për këto zgjedhje, pasi për një vit ai tha se është takuar me qytetarë të Pejës ku ka dëgjuar problemet e tyre dhe se në bazë të problemeve të qytetarëve e ka ndërtuar programin e tij qeverisës.

Ai tha se shtylla të planit të tij është shtylla e drejtësisë, zhvillimi ekonomik, arsimi, kultura, rinia, sporti, siguria, si dhe të gjitha të tjerat të cilat duhet t’i ketë komuna.

Gashi bëri të ditur se sa i përket zhvillimit ekonomik pjesë e programit të tij është ndërtimi i zonës industriale, ku ai tha se në këtë zonë do të punësohen afër 3 mijë njerëz.

Gashi: Do të ndërtojmë një zonë industriale prej 11 hektarëve

 “Ne kemi paraparë që në qytetin e Pejës të ndërtojmë një zonë industriale prej 11 hektarëve e cila do ta ketë tërë infrastrukturën e vet brenda dhe e cila në vitin 2019, 2018 do të përgatiten të gjitha dokumentet vitin 2019 do të jepet në tender dhe çdo qytetar i Pejës, qytetar jashtë Pejës, diasporës, ka të drejtë të konkurroj në atë zonë industriale. Ta merr atë pjesë të tokës sa i nevojitet për të zhvilluar biznesin pa kompensim, nuk paguan asnjë cent as për tokë as për leje as për leje të ndërtimit. Do të thotë ai e merr në pronësi, në shfrytëzim 45 vjeçar pa asnjë cent veç me qëllim që të ndërtoj një objekt që të mund të punësoj njerëz. Në atë zonë industriale do të punësohen 2 mijë e 500 vetë, kjo llogaritje nuk është llogaritje prej dëshirave të Aleancës, por llogaritje prej përvojave të zonave industriale që janë”, tha ai.

Pretendenti për Pejën tha se prej njerëzve që do të dëshirojnë të investojnë në atë zonë do të kërkohet që 10 përqind të punëtorëve t‘i marrin nga lista e komunës, ku në këtë listë ai tha se do të jenë familjet që nuk kanë asnjë të punësuar dhe fëmijët që janë rritur pa njërin prindër si pasoj e luftës.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, premtoi mbështetje dhe subvencione për të gjithë ata që dëshirojnë të merren me bujqësi. Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për asamblenë komunale të Pejës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat