Gazmend Muhaxheri nuk paraqitet në gjykatë

Peja

Gazmend Muhaxheri nuk paraqitet në gjykatë

Më: 24 tetor 2017 Në ora: 15:56
Gazmend Muhaxheri

Gazmend Muhaxheri nuk u paraqit në seancën fillestare të gjykimit ku akuzohet për moszbatim të vendimeve gjyqësore.

Dy ditë pasi u rizgjodh sërish kryetar i Pejës, Gazmend Muhaxheri është dashur të paraqitet në gjykatën e këtij qyteti si i akuzuar.

Gazmend Muhaxheri, kryetari i Pejës edhe për katër vjetët e ardhshëm nuk është paraqitur në seancën fillestare të gjykimit ku akuzohet për moszbatim të vendimeve gjyqësore.

Për shkak të mungesës së kryetarit, seanca u shty nga gjyqtari Sejdi Blakaj.

Blakaj tha se ftesën që Muhaxheri të paraqitet në gjykatë e kishte pranuar një punëtore, ndërsa deklaroi se herën tjetër ftesa do t’i shkojë vetë kryetarit.

Gazmend Muhaxheri, akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës për moszbatim të vendimeve gjyqësore të shkallës se parë dhe të dytë në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, duke mos e kthyer në vendin e tij të punës, Hysni Selmanajn, si drejtor të Auditorit të Brendshëm.

Selmanaj ishte i pranishëm në seancë, ndërsa kërkoi që seanca e shtyrë sot të zhvillohet në mars të vitit 2018 për shkak të trajtimit mjekësor të tij jashtë vendit.

Me këtë propozim u pajtua edhe prokurori Muharrem Bajraktari. Ndërsa gjyqtari Blakaj seancën fillestare  e caktoi me 22 mars të vitit të ardhshëm.

KALLXO.com kishte raportuar kur Hysni Selmanaj ishte suspenduar nga puna si Drejtor i Auditorit të Brendshëm nga udhëheqësit e Komunës së Pejës me arsyetimin për performancë të dobët në punë.

Selmanaj atëherë kishte thënë se kjo ishte hakmarrje për shkak të shumë keqpërdorimeve që i kishte raportuar tek organet e drejtësisë./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat