Muhaxheri flet për garën e Pejës, zbulon arsyen pse fitoi pa balotazh

Peja

Muhaxheri flet për garën e Pejës, zbulon arsyen pse fitoi pa balotazh

Më: 25 tetor 2017 Në ora: 14:22
Gazmend Muhaxheri

Kauzat nacionale nuk iu deshën Gazmend Muhaxherit për të fituar Pejën edhe për një mandat, që në raundin e parë. Muhaxheri thotë se këtë e arritur për shkak të punës së tij në sektorët që prekin jetën e qytetarëve, çdo ditë.

Dy ditë pas zgjedhjeve, Gazmend Muhaxheri flet për fitoren e tij me mbi 50 për qind të votave, e cila bëri Pejën nga qytetet e vetme të mëdha që nuk shkon në balotazh. Muhaxheri thotë se për katër vjet ai punoi për të gjithë qytetarët dhe në të gjitha sektorët.

“Qytetarët vlerësuan punën e përkushtuar katër vjeçare që e kemi bërë në çdo cep të Pejës, pa dallime partiake, kemi investuar në mënyrë proporcionale në të gjitha trevat e Pejës”.

Muhaxheri thotë se fitorja e tij në rreth të parë nuk është befasi për të, pasi kjo, sipas tij, erdhi nga puna që bëri për katër vjet.

“ I kemi rritë votat për 5 mijë, kjo si rezultat i punës të madhe dhe respektimit të punës që ne kemi bërë për katër vjet. Qytetarët e kanë vlerësuar vetëm punën”, ka thënë Muhaxheri.

Kryetari i Pejës, nga komoditeti me fitoren e tij, gjen hapësirë që t’i këshillojë kolegët e tij, që vazhdojnë të garojnë për karrigen e të parit të qytetit, e edhe për ata që dështuan.

Muhaxheri e sheh vetën si model për ata që dëshirojnë të zgjedhën kryetarë, duke thënë se fitorja nuk arrihet me Facebook, por me punë ne arsim, turizëm, e shëndetësi, dhe në sferat tjera që prekin direkt qytetarët. 

Se kryeqendra e Dukagjinit është kthyer në bastion të Lidhjes Demokratike, Muhaxheri thotë se e dëshmon rritja e kësaj partie në Pejë, edhe kur pati rënie gjithkund tjetër në zgjedhjet nacionale.

“Jemi dega e parë e LDK’së në nivel të vendit dhe jam kryetari më i votuar në nivel të vendit, bindshëm”, thotë i pari i Pejës.

Ai përmend se edhe në zgjedhjet nacionale, përkundër ‘furtunave që kaloi LDK’, dega e Pejës është rritur për 1200 vota, ndërsa prej zgjedhjeve lokale të 2013’së LDK’së i janë shtuar pesë mijë vota.

Muhaxheri i LDK’së përkrahi marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi edhe kur në Prishtinë bëhej zhurma më e madhe se Kosovës po i merren 8 mijë hektarë tokë në pjesën perëndimore.

Kryetari i Pejës thotë se marrëveshja është e saktë dhe në Pejë nuk ekziston asnjë dokument që tregon të kundërtën.

Muhaxheri për express thotë se duhet të jesh i guximshëm, edhe intelektualisht, të pranosh diçka që e ke menduar ndryshe, por faktet ta dëshmojnë ndryshe. E këtë, ai thotë se e përcolli edhe te qytetarët, pasi kjo reflektoi me votë.

“Demarkacioni nuk bëhet me përralla, por me fakte edhe me dokumente. S’ka dokument që nuk kam shiku në Pejë për me e pa që kufiri është ndryshe, por nuk kam gjetë asgjë që e thotë këtë ”, tregon Muhaxheri.

Ndërsa, Muhaxheri tregon se këtë nuk e pati të vështirë t’iu dëshmojë qytetarëve që kundërshtarët e Demarkacionit u mbështetën në kauze të rrejshme, që nuk sjell asgjë.

 Ai shton se pejanët e votuan atë për si dikush që u siguron jetë më dinjitoze dhe që nuk përkrah kauza që lënë qytetarët pa viza.

“Ka qenë kauzë e rrejshme dhe nuk ka asgjë, Peja ka votu një kryetar të guximshëm që është në favor të tyre, për me iu siguru jetë të dinjitetshme dhe lëvizje të lirë”, shprehet ai.

Përkrahja e Demarkacionit nuk ndikoi që rugovasit ta sabotojnë atë, përkundrazi Muhaxheri thotë se Rugova është prej trevave ku ai u votua më së shumti edhe prej pjesës kur pretendohet se është kufiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat