Dëshmitarët flasin ku Ishte Granit Elshani në natën e incidentit në Pejë

Peja

Dëshmitarët flasin ku Ishte Granit Elshani në natën e incidentit në Pejë

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 23:55
Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Granit Elshanit

Tahir e Elbasan Hyseni kanë dëshmuar sot në gjykimin e Granit Elshanit, i cili akuzohet se më 2 janar të vitit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë kishte kryer veprat penale: vrasje e rëndë, tri vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Dëshmitari Tahir Hyseni tregoi se djalin e dajës së tij, Granitin, e kishin mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Ramun të Pejës natën e 2 janarit të vitit 2010.

Ai saktësoi se Graniti kishte shkuar në shtëpinë e tij derisa po errej.

“Ka qenë aksham kur është ardhur Graniti. E kam pa në këmbë duke ardhë tek shtëpia jonë. Aty ka nejtë deri të nesërmen. Diku rreth orës 8:30-9:30 të mbrëmjes unë bashkë me gruan time dhe djalin, Elbasanin, kemi shkuar tek miqtë e mi në fshatin Lutogllavë. Graniti ka mbetë në shtëpi me nënën time, djalin e vogël dhe tri vajzat e mia. Në Lutogllavë kemi qëndruar disa orë dhe dikur rreth orës 11:00 jemi kthyer në shtëpi”, tha dëshmitari.

i pyetur nga Ndrec Dodaj, avokat i të pandehurit, se gjatë kohës sa kishin qenë në vizitë tek miqtë e tij, a kishte dëgjuar se Graniti kishte shkuar ndokund, dëshmitari tha se nuk ka dëgjuar të ketë lëvizur ai nga shtëpia e tij.

Tutje, dëshmitari Tahir Hyseni tregoi se rreth mesnatës kishin rënë për të fjetur bashkë me Granitin në një dhomë në katin e parë të shtëpisë se tij. Ai tha se nuk e kishte vërejtur se Graniti posedonte armë.

Më tej, dëshmitari tregoi edhe kur atë natë në shtëpinë e tij ishte futur Policia për t’i bastisur.

“Jemi kanë në gjumë, edhe dera e katit të parë është e plastikës dhe ka qenë lehtë të hapet. Kur kanë kërsitë unë jam çu, i kam pa policinë edhe nuk më kanë thanë kurrgjë, veç kanë filluar me bastisë”, tha dëshmitari, raporton KALLXO.com.

Ai tha se policia nuk i kishte prezantuar asnjë dokument kur kishin filluar bastisjen në shtëpinë e tij ndërsa tregoi kur zyrtarët policorë i kishin thënë se kanë gjetur një armë te Granit Elshani.

“Unë s’i kam parë se kanë gjetur armë, por ata më treguan një armë që thanë e kanë gjetur te Graniti”, tregoi dëshmitari.

Ai tha se më pas policia i kishte shoqëruar në Stacionin Policor të birin e tij, Elbasanin dhe Granitin.

“Pasi i kanë marrë me veti policia Granitin edhe djalin tim Elbasanin, ata janë kthy në shtëpi pas rreth 1 ore ose 1 orë e gjysë. Pastaj kemi vazhduar me flejtë. Unë dhe Graniti kemi fjetur prapë në të njëjtën dhomë”, tha ai.

Hyseni tha se djalit të dajës së tij dhe të birit Policia i kishin thënë se i kishin shoqëruar në Stacion Policor si të dyshuar për një rast.

“Jemi zgjuar në mëngjes rreth orës 8:00 unë dhe Graniti. Kemi hangër mëngjes dhe dikur rreth orës 10:00 e kam përcjellë Granitin deri tek rruga kryesore”, tregoi tutje Tahir Hyseni.

Me pas dëshmitari u ballafaqua nga prokurori i EULEX-it, Andrew Hughes, me dy deklaratat e dhëna në polici rreth këtij rasti.

Dëshmitari tha se nuk i kishte lexuar deklaratat e dhëna dhe ato i kishte nënshkruar.

Në një rast dëshmitari tha se mund t’i jetë keqpërdorur edhe nënshkrimi i tij.

Njëjtë sikurse babai i tij, edhe Elbasan Hyseni gjatë dëshmisë së tij tha se atë natë e kishin mysafir Granit Elshanin.

Dëshmitari tha së gjatë kohës sa ishte në gjumë, e kishte vërejtur pranin e shumë policëve në dhomën e tij.

“Kam qenë në gjumë në dhomën time në të dytin kat. Kanë hy policia me bateria kanë kontrolluar në dhomë dhe më kanë thanë veshu se duhesh me ardhë me neve. Unë as nuk e kam ditur arsyen pse”, tha Elbasani, raporton KALLXO.com.

Ai tha së kur kishte zbritur në katin e parë kishte parë prani të madhe të zyrtarëve policorë.

“Kur kam zbrit në katin e parë të shtëpisë e kam parë Granitin duke biseduar me policë. Aty na kanë marrë dhe na kanë dërguar në Stacionin e Policisë. Pasi jemi intervistuar pas dy ore na kanë kthy sërish policia në shtëpi”, tha dëshmitari.

Ai tutje shtoi se pasi ishin kthyer në shtëpi kishin vazhduar për të fjetur, kurse ai tha se të nesërmen nuk e kishte parë Granitin, sepse ai kishte shkuar më herët.

Edhe Elbasan Hyseni tha së nuk e kishte vërejtur se Granit Elshani ka armë atë natë.

Prokurori Hughes e pyeti dëshmitarin se a ishte në dijeni se familja Elshani është në konflikt disavjeçar me familjen Kelmendi.

“Këtë rrethanë askush nuk e di qartë”, u përgjigj Elbasan Hyseni pyetjeve të prokurorit.

Për pyetjet e prokurorit vërejtje dha avokati i të akuzuarit. Ndrec Dodaj tha se prokurori po abuzon me pozitën e tij me pyetjet e parashtruara sepse ato ngjarje nuk janë relevante për rastin.

Tutje, prokurori e pyeti dëshmitarin nëse vëllai i tij, Shkodrani, i cili jeton në Zvicër që disa kohë, ishte plagosur në prill të vitit 2006 në fshatin Zahaq të Pejës, sikurse edhe shoku i tij, Sheremet Shala.

“Po, është e vërtetë që janë plagosur, por për këtë rast nuk është arrestuar askush asnjëherë”, u përgjigj Elbasan Hyseni.

Sot pritej të dëshmonte edhe dëshmitari Valbon Ademi, mirëpo ai nuk u paraqit për të dëshmuar në ketë shqyrtim gjyqësor.

Granit Elshani akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se me 2 janar të vitit 2010 kishte hyrë në diskotekë “City Club” në Pejë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani shënjestër të  vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq kishte pësuar Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Prokurori tutje në aktakuzë përshkuan se mes familjes Elshani e Kelmendi kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë –dhjetë pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë./kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat