Lirohet nga akuza për korrupsion ish-zyrtari i Komunës së Pejës

Peja

Lirohet nga akuza për korrupsion ish-zyrtari i Komunës së Pejës

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 18:01
Pamje nga seanca

Gjykata Themelore në Pejë, të hënën, e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish-shefin e Administratës dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Pejë, Leonard Shabanaj.

Kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, ka theksuar se në bazë të provave të paraqitura në gjykatë, nuk është vërtetuar se i akuzuari Shabanaj, ka kryer veprën penale me të cilën ishte i ngarkuar.

Shabanaj akuzohej se më 17 dhjetor 2012, i ka lëshuar rekomandim drejtorit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, për pranimin e Albina Selmanaj, në marrëdhënie pune në lëndët ekonomike, në kundërshtim më nenin 35 paragrafin 1 të Ligjit mbi Arsimin Parauniversitar. Gjithashtu, ai akuzohej se këto veprime i ka bërë pa hapur konkurs publik.

Paraprakisht, në këtë seancë, kanë dhënë fjalët e tyre edhe palët në procedurë si dhe është elaboruar ekspertiza e ekspertit financiar Ukë Sadiku.

Në sqarimin e plotësimit të ekspertizës së kërkuar nga gjykata më 19 tetor të këtij viti, eksperti Sadiku, ka deklaruar se mësimdhënësja Albina Selmanaj, të ardhurat e përfituara në shumë prej 13.317.02 euro, i ka realizuar në bazë të të ardhurave mujore nga pagat e mësimdhënësit. Gjithashtu, ai ka shtuar se buxheti i Komunës së Pejës, nuk është dëmtuar.

Në pyetjen e prokurorit Haxhi Sinanaj, nëse Sadiku i ka kaluar kompetencat si ekspert financiar, kur e ka bërë një konstatim të tillë, ai është përgjigjur se këtë e ka bërë në bazë të urdhëresës së gjykatës për plotësim të ekspertizës.

“Pika e tretë nga urdhri i gjykatës, thotë të jepet konstatim përfundimtar nëse ka pasur përfitim personal të kundërligjshëm, dhe duke ju refru kësaj pyetje të gjykatës kam konstatu se nuk ka pas përfitim nga mësimdhënësja e as dëmtim të buxhetit të komunës”, tha eksperti Sadiku.

Në pyetjen e përfaqësuesit të Komunës së Pejës, avokatit Astrit Gashi, se përse ka konstatuar në ekspertizë se nuk ka pasur pagesë fiktive, meqë një gjë të tillë nuk e ka kërkuar gjykata, eksperti Sadiku është përgjigjur se këtë konstatim nuk e ka kërkuar gjykata, por e ka bërë sepse po të kishte pasur pagesë fiktive, sipas tij, do të kishte edhe dëm material.

Ndryshe, pas leximit të provave është dhënë fjala përfundimtare e palëve në procedurë.

Prokurori Haxhi Sinanaj, fjalën përfundimtare e kishte përgatitur me shkrim, me ç’rast ka kërkuar që i akuzuari Leonard Shabanaj, të shpallet fajtor, të dënohet sipas ligjit dhe të obligohet t’i paguaj shpenzimet e procedurës penale.

Fjalën përfundimtare të prokurorit Sinanaj, e ka përkrahur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komunës së Pejës, avokati Astrit Gashi.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Shabanaj, avokati Florent Latifi, në fjalën përfundimtare, ka kërkuar hudhjen e aktakuzës, me pretendimin se koha kur është kryer vepra penale është dhjetor 2012, atëherë kur është nënshkruar kontrata me mësimdhënësen dhe se neni 3 i KPPK-së, sipas tij, parasheh që ndaj kryesit të zbatohet ligji, i cili ka qenë në fuqi kur është kryer vepra penale.

Sipas avokatit Latifi, ligji i cili ka qenë në fuqi në atë kohë është Kodi i Përkohshëm i Procedurës Penale dhe sipas këtij kodi, ai tha se në rast se nuk ka dëm, kryesi i veprës penale mund të dënohet deri në 1 vit, duke shtuar se për këtë vepër ka arritur parashkrimi absolut.

Avokati Latifi, shtoi se në qoftë se gjykata nuk gjen se ka arritur parashkrimi absolut, të akuzuarin Shabanaj ta lirojë nga akuza, sepse sipas tij, nuk ka asnjë element të ekzistimit të veprës penale.

I akuzuari Shabanaj, e ka përkrahur fjalën përfundimtare të avokatit Latifi dhe ka shtuar se në bazë të ligjeve ky rast ka të bëjë me raport juridiko-administrativ, e jo me vepër penale.

I akuzuari Leonard Shabanaj, ka deklaruar se ka lëshuar rekomandim për mësimdhënësen Albina Selmanaj, në bazë të kërkesës së drejtorit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Ali Hadri”, në Pejë, që e njëjta të sistemohet në marrëdhënie pune dhe këtë thotë se e ka bërë gjithashtu edhe me kërkesën e drejtorit komunal, Smajl Shala.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Florent Latifi, në mbrojtjen e tij, i akuzuari sa i përket asaj se pse nuk ka pasur konkurs publik tha se është dashur të merret një vendim i shpejtë në mënyrë që nxënësit mos të i humbasin orët e mësimit.

“Shpallja e konkursit, vlerësimi i kandidatëve dhe analizimi i ankesave, i do së paku dy muj që të zgjasë, në mënyrë që nxënësit të mos mbesim pa mësim, mësimdhënësja Albina Selmanaj është caktuar për këtë pozitë si mësimdhënëse me kontratë mbi vepër”, tha i akuzuari Shbanaj.

Ai tha se në këtë kohë drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, ka qenë jashtë vendit, ndërsa shtoi se ai ka pasur autorizim të lëshoi një rekomandim të tillë dhe se sipas tij, ka shumë raste kur mësimdhënësit sistemohen në pozita pa konkurs publik.

I akuzuari Shabanaj, tha se nga puna është larguar në tetor të vitit 2014, ndërsa mësimdhënësja Albina Selmanaj, sipas tij, ende vazhdon të punojë në atë shkollë.

Sipas tij, kontratën mbi vepër kjo mësimdhënëse e ka nënshkruar më 18 dhjetor 2012, ndërsa me 24 dhjetor 2014, e ka nënshkrua kontratën e punës nga ana e tij, e më pas edhe dy kontrata të tjera nga drejtori aktual, Besim Avdimetaj.

Në pyetjen e avokatit Latifi, se nga kush është financuar paga e mësimdhënëses, i akuzuari ka deklaruar se pagat merren nga Qeveria e Kosovës dhe jo nga Komuna.

“Për ketë ekzistojnë grante të veçanta nga ana e Qeverisë së Kosovës, Komuna nuk i jep pagat e mësuesve dhe me këtë rast e dëmtuar nuk është hiq Komuna e Pejës”, tha i akuzuari Shabanaj.

Në pyetjen e prokurori Sinanaj, nëse ka pasur ai autorizim të nënshkruaj një kontratë pune të tillë, i akuzuari ka deklaruar se ai e ka pasur një autorizim të tillë dhe se autorizimi sipas tij, ka qenë i deponuar edhe në Ministrinë e Arsimit.

Ai ka shtuar se nuk do të ishte e mundur që mësimdhënësja të futet në listën e pagave, nëse nuk do të kishte autorizim.

I akuzuari Leonard Shabanaj, ka deklaruar se meqë eksperti financiar Ukë Sadiku ka deklaruar se nuk ka dëmtim të buxhetit të Komunë së Pejës, atëherë e njëjta nuk është palë e dëmtuar  dhe ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesit të Komunës, Astrit Gashi.

Leonard Shabanaj, akuzohej se  më 17 dhjetor 2012, në cilësinë e shefit të Administratës dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Pejë, nuk i ka përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë personi tjetër. Ai akuzohej se i ka lëshuar rekomandim drejtorit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, për pranimin e Albina Selmanaj, në marrëdhënie pune në lendët ekonomike, në kundërshtim më nenin 35 paragrafin 1 të Ligjit mbi Arsimin Parauniversitar.

Sipas aktakuzës, më 24 dhjetor 2012, i pandehuri ka lidhur kontratë pune me punëmarrësen  Selmanaj, duke e sistemuar në vendin e punës, mësimdhënëse. Këto veprime, sipas aktakuzës, Shabanaj i ka kryer pa e hapur paraprakisht konkursin publik, siç parashihet më nenin 8 të Ligjit te Punës, me ç’rast buxhetit të Arsimit të Komunës së Pejës, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 17.242.99 euro. Këtë shumë, sipas prokurorisë, në mënyrë të kundërligjshme e ka përfituar Albina Selmanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat