Në “Haxhi Zeka” të Pejës, mbahet Konferencë shkencore për zhvillim të turizmit

Peja

Në “Haxhi Zeka” të Pejës, mbahet Konferencë shkencore për zhvillim të turizmit

Nga: Adem Lushaj Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 19:24
ilustrim

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, ishte në qendër të prezantimeve të shumta shkencore, aktivitet këto të zhvilluara në kuadër të Konferencës së pestë shkencore me temën “ Politikat qeveritare dhe zhvillimi ekonomik-Rajoni i Evropës Juglindore”. Në këtë konferencë, ishin prezantuar punime të shumta shkencore, ku referues të ardhur edhe nga shtetet tjera, pas prezantimit të tyre, ishin përballur edhe me pyetje dhe diskutime të shumta nga pjesëmarrësit.

Sesion i ngjashëm ishte mbajtur edhe në Fakultetin e Hotelerisë, Turizmit dhe Mjedisit, ku referues ishin hulumtues nga Kosova dhe Maqedonia, punimet e të cilëve u vlerësuan si jashtëzakonisht të dobishme, për zhvillim të turizmit në të dyja vendet. Paraprakisht, në hapje të këtij sesion shkencor, dekani i Fakultetit të MTHM-së, prof. Ass. Dr. Adem Dreshaj, është shprehur i kënaqur me interesimin e kandidatëve të cilët ishin paraqitur për pjesëmarrje me kumtesat e tyre, e që mund të jenë punime të dobishme për studentët e këtij Fakulteti, por edhe për tjerët që merren me fushën e turizmit. “Është kënaqësi kur kemi referues të cilët me punimet e tyre shkencore, japin shumë në zhvillimin e turizmit, punime këto që mund të jenë bazë e mirë për studime edhe të mëtejme, për zhvillim të turizmit, si sektor me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, është shprehur Dreshaj, i cili ishte përkujdesur që për gjithë referuesit të ndanë “Mirënjohje”, për kontributin e tyre të dhënë në fushën e turizmit dhe mjedisit.

Një nga prezantimet që ngjalli kureshtje, ishte “ Turizmi balnear dhe tipologjia e prodhimit turistik”, të prezantuar nga eksperti i turizmit, prof. As. Dr. Bedri Millaku, i cili hulumtimin e tij e kishte përqendruar te zhvillimi i turizmit që v’ie nga ujërat termale (banjat). “Turizmi Balnear paraqet segment dhe rrafsh tërheqës e interesant, i pa hulumtuar në sferën e shkencës së turizmit në vendin tonë”, është deklaruar Millaku, sipas të cilit, “deri më tani është hulumtuar në formë fragmentare dhe parciale nga ana e shkencës balnearoterapeutike, më shumë në punimet e autorëve të degëve shëndetësore, por jo edhe komplekse sipas parimeve të Federatës Ndërkombëtare për staxhionim termal”. Gjithnjë sipas prof. Millakut, në Kosovë turizmi balnear paraqet vistër të gjerë të pasurisë turistike, në sferën e ofertës turistike, si dhe vetive të prodhimit turistik. “Rajoni i viseve të banjave dhe ujërave termominerale të Kosovës, ofron kushte mjaftë të mira për funksionet turistike.

Në politikën e zhvillimit të turizmit për një rajon për një periudhë të mesme  ose afatgjate, aktualisht  nuk mund të parashikohet ndonjë ndryshim radikal në turizmin stacionar balnear edhe për arsye se mundësitë e aftësimit turistik të zonës turistike, me ndryshimin e peizazhit kulturor të një mjedisi”, ka nënvizuar hulumtuesi i këtij punimi, dr. Millaku, i cili zgjoj kureshtjen e pjesëmarrësve, ku kishin pasuar edhe pyetjet dhe propozimet e pjesëmarrësve të këtij sesioni shkencor. Sesioni shkencor nxori edhe rekomandime të cilat do janë të frytshme për të dy shtetet, (Maqedoni dhe Kosovë), e që mund të jenë pjesë të strategjive të këtyre vendeve për zhvillimin e turizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat