Paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e gruas në Pejë

Peja

Paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e gruas në Pejë

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 13:29
Foto ilustrim

Është duke u mbajtur i paraburgosur personi i dyshuar për sulmin që shkaktoi vdekjen e një gruaje në Pejë.

Personi që dyshohet se sulmoi gruan e tij në Pejë, duke shkaktuar vdekjen e saj pas disa ditësh të qëndrimit në QKUK, ishte paraburgosur pas këtij sulmi.

Kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj deklaroi se i dyshuari për këtë sulm ishte paraburgosur nën dyshimin për vrasje në tentativë.

“Lënda është klasifikuar si vrasje ne tentativë. Është ngritur kallëzimi penal dhe i dyshuari është në paraburgim”, tha Kurmehaj, duke treguar se relacioni mes sulmuesit dhe viktimës është burrë e grua.

Policia në raportin e saj të përditshëm njoftoi sot se gruaja e sulmuar fizikisht më 17 nëntor, vdiq dje në QKUK.

Trupi i pajetë i së vdekurës, sipas policisë, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës Xhevat Ibraj, tha se ky sulm së pari ishte cilësuar si vrasje në tentativë, ndërsa tash po klasifikohet si vrasje e rëndë.

“Së pari ky rast ka qenë i klasifikuar si vrasje në tentativë ku i dyshuari ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve, ku më pas është shndërruar në incident të veprës penale të vrasjes së rëndë”, tha Ibraj.

Kallxo kontaktoi edhe me Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave në Pejë.

Mbrojtësi i viktimave nga rajoni i Pejës Demë Hasanaj tha se rasti i sulmit ndaj gruas nga burri i saj ishte raportuar edhe në këtë zyrë.

Hasanaj tregoi se për arsye që gruaja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore pas sulmit, përfaqësuesit e Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave nuk kishin mundur të kontaktojnë me të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat