Hapet Qendra informuese për shëndetin e gruas në Pejë

Peja

Hapet Qendra informuese për shëndetin e gruas në Pejë

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 14:43
Pejë

Sot, në një ceremoni zyrtare u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” edhe në Pejë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Objekti i Urgjencës – qendra e vaksinimit.

Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Pejës, QKMF-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

Petrit Loci, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në Komunën e Pejës tha se janë shumë të gëzuar që komunës po i shtohet ky shërbim i nevojshëm për nënat dhe fëmijët, ndërsa Dukagjin Sahatçiu u zotua se kjo qendër do të shfrytëzohet për edukimin e nënave dhe partnereve të tyre për periudhën e para lindjes, shtatzënisë, dhe kujdesin ndaj fëmijës.

Ndërsa, përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beha, deklaroi se themelimi i Qendrës në Pejë shënon pikën e 8-të, apo komunën e 7-të që inkuadron programin edukativ të qendrave si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës në nivelin primar.

Qendra “Klasat per Nena” në Pejë do të ofrojnë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe atyre psikike për gratë si dhe partnerët e tyre, këshillime rreth rritjes së fëmijës përmes disiplinës pozitive etj., aktivitete këto të zhvilluara në një ambient interaktiv modern e me shumë ngjyra.

Qendra Informuese në Pejë është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Komunës së Pejës, si dhe partneret e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat