Bardhyl Ajeti

Perkujtime

E premte, 29 mars 2024

Bardhyl Ajeti

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 13:14
Bardhyl Ajeti

12 vite më parë në Bresalc të Gjilanit, u privua nga jeta gazetari dhe kolumnisti më i devotshëm Bardhyl Ajeti. Vrasja e tij, në pikë të ditës, nën një breshëri plumbash të ftohtë, disa në trup e disa në kokë, akoma vazhdon të jetë e pazbardhur. Institucionet e drejtësisë në vend, vazhdojnë edhe më tutje të heshtin për rastin, kur duar shtypëse të fjalës së lirë, i morën jetën, një njeriu të pashembullt por edhe një pene briliante në fushën e gazetarisë. Bardhyli, nuk ishte një gazetar ordiner. Atë e sfidonte e panjohura, padrejtësia. Donte me ngulm të bënte dallimin në shoqërinë ku jetonte. Përmes gazetarisë ai gjeti mënyrën të revolucionarizohej, në mënyrë që të ngadhënjente e drejta. Ai, nuk besonte në armë, por besonte në qëllimin se nëse duam ta ndryshojmë botën, gazetaria është arma e vetme për ta bërë atë.

Kushdo që tentoi t’i ulte zërin fjalës së lirë a ta pushonte atë, nuk e bëri dot duke e vrarë Bardhylin. Kosova ka dhe do të ketë edhe shumë Bardhylë të tjerë. Jo aq të mprehtë e aq të dijshëm, por të guximshëm gjithsesi, që vazhdimisht të luftohet e keqja, e ti lihet vend të mirës.

Familjarët e Bardhylit vazhdojnë t`i shfletojnë faqet e gazetës, “Bota Sot”, por fatkeqësisht nuk e shohin emrin e tij. Nuk emocionohen nga zëri i tij kumbues, e kundërshtues që ndihej edhe nëpër shkrime. Ata mbesin me shpresën, që një ditë në faqet e gazetave do të lexojnë, se si ata që i morën jetën, më të dashurit të tyre, janë prapa grilave, duke marrë dënimin e merituar.

Andaj stafi i “Botës sot” dhe kolegët e tij, edhe në këtë përvjetor, dhe në të gjithë përvjetorët tjerë, e ditët që do vinë, do ta kujtojnë çdo herë me pietet dhe mall veprën dhe imazhin e kolegut të dashur Bardhyl Ajetit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat