Konjufca e Haxhiu: Përndjekja e aktivistëve nga Republika e Shqipërisë – Qeveria e Kosovës sot, si ajo e Serbisë dikur

Politika

Konjufca e Haxhiu: Përndjekja e aktivistëve nga Republika e Shqipërisë – Qeveria e Kosovës sot, si ajo e Serbisë dikur

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 14:00
Haxhiu e Konjufca

Deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu kanë akuzuar Qeverinë dhe pushtetin për dëbimin e aktivistëve të tyre, me shtetësi të Shqipërisë që hyjnë në Kosovë.

Në një konferencë për media, Konjufca tha se padrejtësisht kanë dënuar dhe nuk kanë lejuar Denjona Mihalin, Bojken Abazin dhe Arbër Zaimin që të hyjnë në Kosovë.

Sipas tyre, këta individë janë përjashtuar vetëm pse janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Më poshtë e gjeni fjalimin e plotë të aktivistëve të VV-së

Konferenca e sotme e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u fokusua në masat që ka ndërmarrë pushteti lidhur me dëbimin nga Kosova të aktivistëve që kanë përgjegjësi të caktuara në VETËVENDOSJE! e që janë nga Republika e Shqipërisë. Para dy ditësh, Policia e Kosovës ka ndaluar në kufi Koordinatoren e Komiteteve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Dejona Mihali, e ka mbajtur për tri orë në pikën kufitare e pastaj e kanë kthyer duke mos e lejuar të hyjë në Kosovë. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me z. Boiken Abazin, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes, si dhe me z. Arbër Zaimi, këshilltar politik i Kryetarit Visar Ymeri. Z. Abazi iu ndalua hyrja në Kosovë për 2 vite, z. Zaimi për 2 muaj, kurse znj. Mihali pa afat.

Lidhur me këtë çështje, drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, shtroi një varg pyetjesh për autoritetet e Republikës së Kosovës, nga të cilat kërkojmë përgjigje urgjente: “Kush e dha urdhrin për ndalimin e Dejona Mihalit që ajo të hyjë në Kosovë? Kujt i konvenon që të mos lejohen aktivistët e Shqipërisë që të jetojnë dhe të veprojnë në Kosovë? Kush është përgjegjës për persekutimin e aktivistëve nga Shqipëria vetëm e vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike? Kush po i pengon gjykatat që të mos punojnë sipas ligjeve meqë ato qëllimisht nuk po e shqyrtojnë padinë që e kanë bërë këta aktivistë, edhe pse e kanë obligim që këtë çështje ta shqyrtonin brenda 60 ditësh? A mund të na përgjigjet presidenti, kryeministri apo ministri i brendshëm, se pse Dejona Mihali ka kërcënuar ‘rendin publik’, ‘sigurinë e brendshme’, ‘shëndetin publik’ dhe ‘marrëdhëniet ndërkombëtare’? Si është e mundur që politikanët dhe kriminelët nga Serbia hyjnë në Kosovë duke i shkelur të gjitha ligjet e Kosovës, kurse aktivistët nga Shqipëria, që nuk e kanë shkelur asnjë ligj, dëbohen nga Kosova?”, pyeti Konjufca, duke shtuar se aktivistët e Republikës së Shqipërisë janë angazhuar dhe angazhohen me të gjithë potencialin e tyre për të mirën e Republikës së Kosovës, dhe se Kosova ka nevojë për ta. “Kjo Qeveri po i trajton ata, njësoj siç i ka trajtuar Qeveria e Serbisë më parë aktivistët e Republikës së Shqipërisë që vinin në Kosovë në vitet ’90 e më parë”, tha në fund Konjufca.

Deputetja Albulena Haxhiu tha zyrtarët e MPB-së kanë zbatuar urdhra kryekëput politik të Skender Hysenit dhe Isa Mustafës. “Z. Abazi, z. Zaimi dhe znj. Mihali, i janë shqiptuar masa të ndalimit të lirisë së lëvizjes mbi halucinacion e kësaj qeverie, për shkak se as në vendimet e lëshuar nuk specifikohen shkaqet konkrete me të cilat do të ishin vërtetuar pretendimet e tyre”, theksoi Haxhiu. Lidhur me paditë e ngritura nga Boiken Abazi dhe Arbër Zaimi, Haxhiu tha se se gjyqtarët nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap, edhe pse kanë pasur nga 60 ditë afat ligjor. “Tek rasti i Boiken Abazit, gjykata është dashur që ta zgjidhte çështjen deri më 13 qershor 2016, dhe për rastin e Arbër Zaimit të vendos deri më 21 qershor 2016. Për këtë arsye, pas kësaj konference, në cilësinë e Kryetares së Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do t’i drejtohem Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që të jetë në dijeni për shkeljen dhe abuzimin e të drejtave themelore të mbrojtura me Kushtetutë dhe akte ndërkombëtare. Do të kërkoj nga KGjK që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, që ta ndalojë mohimin dhe shkeljet brutale të të drejtave të secilit nga ne”, tha në fund Haxhiu.

20 korrik 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat