Vetëvendosje e Nisma marrin pjesë në debatin për demarkacion, faktet janë në anën tonë

Politika

Vetëvendosje e Nisma marrin pjesë në debatin për demarkacion, faktet janë në anën tonë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 korrik 2016 Në ora: 10:43
Ilustrim

Analistët portikë vlerësojnë se Kosova nuk e ka luksin që të bëhet kurban e apetiteve të sëmura politike të asnjërës palë, prandaj sipas tyre kërkohet seriozitet maksimal dhe unitet në zgjidhjen e çështjeve vitale për vendin. Ata pohojnë se prishmëritë nga debati i paralajmëruar për demarkacionin janë jo shumë optimiste ngase veprimi opozitar kundër përcaktimit të vijës kufitare ka qenë i vonuar.

Zafir Berisha deputet nga Nisma ka thënë se jemi të gatshëm për këtë takim dhe jemi përgatitur, por dyshojmë me koalicionin qeveritar. “ Do ta deformoj tryezën sepse faktet janë në anën tonë. Dhe nëse na jepet hapësirë ne do ti bindim edhe skeptikët se komisioni qeveritar ka gabuar ka thënë”, deputeti Berisha.

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi pa dashur të jep më shumë sqarime rreth kësaj çështje ka thënë se VV- çdo herë do të marr pjesë në takime e debate sa i përket çështjes së demarkacionit. “ Për demarkacion cdo herë jemi të gatshëm të marrim pjesë, në çdo kohë dhe kudo qofshim”, ka thënë deputeti Selimi.

Duhanaj: Opozita gjithnjë i ka bojkotuar thirrjet për debat, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë

Leon Duhanaj analist politik ka thënë se tema e demarkacionit është politizuar tej mase për interesa të ngushta e kalkulime elektorale partiake. Ai ka thënë se që në momentin e parë, kur janë hedhë dyshime, është dashur të gjitha palët të ulen në debat dhe, bashkërisht të gjejnë zgjidhjen e drejtë.

 “Për këtë edhe janë të thirrur. Por për fat të keq kjo nuk ndodhi, pasi që AAK dhe Nisma, ranë në grackën e LVV-je e cila ka në mision gjithçka pos unitetit dhe shërbimit të sinqertë ndaj vendit. Ata ngritën akuzat për tradhti kombëtare me qëllim të ngritjes së pakënaqësisë në masat popullore dhe synuan ta kthejnë vendin në rrëmujë dhe anarki. Për fat të mirë qytetarët e kuptuan prapavijën e tyre dhe nuk i përkrahen. Pastaj krijuan rrëmuja në Kuvend dhe në rrugë për një vit rresht derisa e bojkotuan edhe punën e kuvendit. Në fund u kthyen në kuvend thua që nuk ka ndodhë asgjë! Kaq mund të flitet për seriozitetin e LVV-je. Ndërsa AAK dhe Nisma pasi hynë në vallen e tyre mbeten jashtë Kuvendit e tash as vet nuk e dinë se çfarë të bëjnë dhe si të pozicionohen”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, insistimi i qeverisë së vetëm ata kanë të drejtë nuk ka qenë korrekt, sepse për tema të rëndësisë se tillë është dashtë të ketë debat shumë më herët, por opozita gjithnjë i ka bojkotuar thirrjet për debat, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

“Tani po presim debatin e thirrur nga krye parlamentari z. Kadri Veseli. Në këtë debat duhet të marrin pjesë të gjithë pa përjashtim dhe, t’i ballafaqojnë faktet dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë dhe më të drejtë”, ka thënë Duhanaj.

 “Duhet të mos i dëmtojmë rrugën integruese drejtë BE-së për interesa e kalkulime politike. Unë mendoj që AAK dhe Nisma do të marrin pjesë aktivisht në debatin e tre gushtit, çka nuk mund të them edhe për LVV-je. Ata do të kalkulojnë deri në momentet e fundit dhe nëse gjejnë vetëm pak hapësirë për ta kundërshtuar këtë debat, do ta bëjnë. Ose nëse shohin një mundësi të vetme për të kontribuar në përçarjen e palëve do të investojnë drejtpërdrejtë më qëllimin që në vjeshtën e hershme të kenë edhe një arsye për të ndërtuar një “kauzë” për t’i nxjerrë qytetarët në rrugë”,ka thënë Duhanaj.

Ai ka theksuar se Kosova nuk e ka luksin që të bëhet kurban e apetiteve të sëmura politike të asnjërës palë. “Prandaj kërkohet seriozitet maksimal dhe unitet në zgjidhjen e çështjeve vitale për vendin”, ka shtuar Duhanaj.

Ndryshe Ismet Haziri analist politik, ka thënë se demarkacioni është një temë e ngritur dhe debati është rezultat i kundërshtimit opozitar, kështu që pjesëmarrja e opozitës është obligim në të kundërtën bien se janë subjekte grindavece pa qëllime dhe kauza. “Prishmëritë nga ky debat janë jo shumë optimiste ngase veprimi opozitar kundër përcaktimit të vijës kufitare ka qenë i vonuar, ku ka mundur të jetë si pasojë e informacioneve apo mos interesimit për këtë proces me rëndësi për vendin. Por debati mund të karakterizohet me përplasje të fuqishme edhe brenda llojit me argumente e kundër argumente që mund të nxjerr edhe një situatë tjetër politike”, ka thënë Haziri. Sipas tij, veprimet opozitare në ditët në vijim pritet që të jenë ashtu si më parë, por dallimi është se gjendemi në sezon pushimesh dhe sheshet e Prishtinës është vështirë ti mbushë kjo situatë . “Në fund është hedikep për opozitën, nëse bëhet ratifikimi i demarkacionit, pasi stabiliteti politik në Kosovë , do të lëkundet goxho shumë”, ka thënë Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat