Demarkacioni mban peng liberalizimin e vizave?

Politika

Demarkacioni mban peng liberalizimin e vizave?

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 29 korrik 2016 Në ora: 10:01
Njomza Emini

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Njomza Emini, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se dy kriteret e pa plotësuara deri më tani për liberalizmin e vizave, çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e zi dhe forcimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit duhet të plotësohen sa më shpejt në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

“Që prej pranimit të udhëzuesit për liberalizimin e vizave dhe fillimit të dialogut për liberalizim të vizave, Institucionet tona kanë qenë të mobilizuara në kuptim të adresimit të të gjitha kritereve të kërkuara me qëllim të përfitimit nga ky proces, pra që qytetarët tanë lirshëm të udhëtojnë në vendet që janë të përfshira në zonën Shengen. Tashmë, Ju e dini se pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, datë 4 maj 2016, për liberalizim të vizave u vlerësua adresimi dhe plotësimi i kritereve për Liberalizimin e Vizave, ndërsa si kritere mbeten për tu plotësuar edhe dy, siç janë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi - kriter që është kërkuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Liberalizimin e vizave, të publikuar në dhjetor 2015 dhe përsëri është kërkuar në rekomandimin për liberalizimin e vizave të Komisionit Evropian, në maj të 2016; Forcimi i luftimit të krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Deputetja Njomza Emini.

Ajo ka shfaqur shpresën se çështja e demarkacionit nuk do të jetë pengesë për mosarritjen e qëllimit për liberalizimin e vizave.

”Duke pasur parasysh që çështja e demarkacionit shkon përtej përmbushjes teknike të kritereve për liberalizimin e vizave, si sfidë do të adresohet në javët dhe muajin e ardhshëm dhe shpresojmë që kjo të përfundojë apo të paktën të mos jetë pengesë për mos arritjen e qëllimit –pra, që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, ka thënë ajo. Ndërsa, sa i përket kriterit të dytë, Deputetja Emini ka deklaruar se, Institucionet janë në adresim të këtij kriteri monitorues dhe si i tillë është vështirë i matshëm në kuptim të përfundimit të saj. “Pra, në përfundim të kësaj, sa i përket anës teknike, vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara dhe shpresojmë në një vendim pozitiv nga Institucionet e Bashkimit Evropian sa i përket këtij procesi”, ka theksuar Emini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat