Deputetët interesaxhinj!

Politika

Deputetët interesaxhinj!

Etleva Skonja Nga Etleva Skonja Më 9 gusht 2016 Në ora: 16:35
Kuvendi i Kosovës

Se të zgjedhurit nga vota e popullit kanë prioritet interesat e tyre, tashmë është fakt. Të hënën, në Kuvend, nëpër komisione janë vërejtur edhe deputetët e Nismës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët e patën bojkotuar Kuvendin, që në fillim të këtij viti.

Zyrtarsisht deputetët në fjalë u shprehën se ishin rikthyer në Kuvend për shkak të sigurisë, duke iu referuar sulmit që iu bë Kuvendit të Kosovës dhe për të cilin ka raportuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shpend Maxhuni. Por në fakt, deputetët duket se janë rikthyer në Kuvend, për shkak se iu cënohej mandati, pasi po bëhen gjashtë muaj që ata nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit.

Thënë ndryshe deputetët bojkotues që rëndom i dëgjon të deklarohen për interesa të qytetarëve dhe për interesa të vendit, nuk mund ta shohin veten e tyre pa mandatin e deputetit. Gjatë kohës që kanë bojkotuar Kuvendin, pagat i kanë marrë rregullisht, madje as udhëtimet zyrtare nuk i kanë lënë mënjanë. Sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas gjashtë muaj mospjesëmarrjeje në punën e Kuvendit, deputeti humb mandatin nëse nuk arrin që ta argumentojë mungesën e tij. 

Neni 25, paragrafi E, thotë: “Nëse në periudhën gjashtëmujore deputeti nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit, nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen kryetarit të Kuvendit, kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës”.

Gjithashtu edhe në Ligjin e Republikës së Kosovës Nr.03/L-111, ‘Për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit”, në nenin 8 sqarohet përfundimi i mandatit. Në pikën 1.5 thuhet: “Mandati i Deputetit/es përfundon para kohe nëse deputeti/ja për 6 muaj nuk merr pjesë në sesionet plenare të Kuvendit ose në mbledhjet e komisioneve, ku është anëtar/e. Në raste të veçanta, Kuvendi mund të vendosë ndryshe”.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Mërkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat