Pazaret mbajnë peng, demokracinë brenda-partiake

Politika

Pazaret mbajnë peng, demokracinë brenda-partiake

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 gusht 2016 Në ora: 17:56
Ilustrim

“Vendimet për parti merren larg organeve të partisë, në dreka dhe darka. Prioriteti i partive politike nuk është as interesi i qytetarëve e as kontributi në politikat shtetërore, por abuzimi me paranë publike, abuzimi me gjyqësorin dhe kënaqja e apetiteve të tyre. Motivi për poste e pozita nuk vjen nga dëshira për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe për të luftuar papunësinë e rrjedhimisht edhe varfërinë, por vjen nga dëshira për më shumë pushtet personal dhe përfitime personale”, ka nënvizuar analisti Kushtrim Gashi.

Subjektet politike në Kosovë vazhdojnë të kenë mungesë demokracie të brendshme. Janë të rralla rastet kur brenda subjekteve të caktuara politike,  kur dikush merr guximin të thotë atë që nuk e mendon edhe lideri. Për më tepër, ka shumë raste, kur ata që kanë guxuar ta thonë mendimin ndryshe ose janë përjashtuar nga partia ose janë detyruar të largohen vullnetarisht.  Se demokracia mungon brenda subjekteve u dëshmua edhe në rastin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila doli me vetëm një kandidat për kryetar. Po ashtu, afera e përgjimeve “pronto”, ka zbuluar edhe për mënyrën se si funksionojnë drejtuesit e PDK-së, duke punësuar njerëz pa konkurse nën urdhrat e “shefave”,apo liderit të tyre.

Ylber Islami, ish asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Fushë Kosovës, thotë se përcaktimi i profileve të partive politike është tragjikomik. “Përcaktimi i profileve të partive në Kosoë është tragjikomik. Ndodh që një parti e rëndësishme paradite të jetë e majtë, kurse pasdite befas shndërrohet në të djathtë. Ç’është e vërteta, të jesh  parti e djathtë ose e majtë, vetvetiu nuk nënkupton as përparësi, as kufizim. Është vetëm parakusht  për një vend që respekton rregullat e funksionimit demokratik: përgjegjësinë publike, llogaridhënien, konkurrencën brenda partive”, ka deklaruar Islami. Më tej, ai flet për Lëvizjen Vetëvendosje, parti të cilës i takonte më herët. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk dallon nga partitë e tjera që i ka kritikuar, në aspektin  jo demokratik.  “Është shumëfish zhgënjyese që Vetëvendosje nuk ka shënuar asnjë praktikë të re pozitive në raport me partitë e tjera. Ajo ka kritikuar PDK –ja,  se është jodemokratike, sepse në zgjedhjet e brendshme partiake ka shkuar vetëm me një kandidat, ndërsa edhe vetë e ka dëshmuar po atë praktikë.

Në zgjedhjet e fundit kryetari i saj është zgjedhur pa kundër kandidat”, ka theksuar Islami.  Ai ka deklaruar, se për dy vite me radhë është përpjekur për demokraci të brendshme në mënyra të ndryshme por, siç ka theksuar ai “u pa qartë, se u frikësoheshin ndryshimeve dhe dëshironin ti ruanin njerëzit e preferuar që nuk përfaqësonin vullnetin e shumicës”.  “Unë jam përpjekur shumë për dy vjet për demokraci të brendshme në Vetëvendosje. Kam pasur pakënaqësi për zhvillimet e brendshme, ku kam kritikuar edhe hapur zhvillimet zhgënjyese, por të gjitha kanë hasur në vesh të shurdhër. Kam pasur shumë kërkesa nga anëtarësia për hapjen e partisë në të gjitha rrafshet e organizimit, konkurrencën, legjitimimin nëpërmjet procesit të votimeve demokratike tre bartësve të funksioneve dhe përgjegjësive publike. Të gjitha këto i kam shtruar në takime me krerët e VV –së,  në Prishtinë, por u pa qartë se u frikësoheshin ndryshimeve dhe dëshironin t’i ruanin njerëzit e preferuar që nuk përfaqësonin vullnetin e shumicës”, ka thënë Islami.  Ai ka treguar, se si gjatë dy viteve shtyheshin afatet për zgjedhjet e brendshme.  “Gjate dy viteve shtyheshin afatet për zgjedhjet e brendshme, emëroheshin njerëz me direktiva nga Prishtina, krijoheshin vegla mjerane qe nuk përfaqësonin askënd”, ka nënvizuar Islami.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat