“Pronto II”, çështje e mbyllur nga Prokuroria

Politika

“Pronto II”, çështje e mbyllur nga Prokuroria

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 gusht 2016 Në ora: 17:11
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari

Në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, kreu i Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, ndërsa ka folur në lidhje me krizën politikën, për zbatimin e ligjit në tërësi, është ndalur edhe tek rasti i përgjimeve apo siç njihet ndryshe afera “Pronto II”.

Bota sot: Kosova është futur në një ngërç politik, dhe për pasojë po shkelen të drejtat e qytetarëve? Si e komentoni ju këtë situatë?

Hilmi Jashari:  Pavarësisht zhvillimeve politike, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut janë të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe ato nuk negociohen dhe nuk mund të shfuqizohen pavarëisht ndikimeve politike. Këtë e thonë të gjitha standardet ndërkombëtare, këtë e thotë edhe Konventa Evopriane që është e zbatueshme në sistemin tonë juridik. D.m.th këto janë të pavarura nga zhvillimet politike dhe shteti obligohet që t`i respektoj ato në çfarëdo faze. Në anën tjetër, sa kanë pasur ndikim dhe cilat janë ndikimet? Kjo është punë të cilën ne e bëjmë në vazhdimësi. Vetëm këto javët e fundit ne publikuam tri raporte radhazi.  Para  disa ditëve ne publikuam një raport lidhur me ndërhyrjet e KEDS-it, në ambientet dhe hapësirat private të qytetarëve të vendit ose në ambiente të shtëpisë, pa autorizim nga prokurori publik. Patëm një rekomandim që ua dërguam Kuvendit të Kosovës lidhur me parashkrimin e veprave korruptive që ka qenë pjesë e debatit publik në Kosovë dhe ka qenë njëra prej shqetësimeve më të mëdha të qytetarëve të vendit. Po ashtu kemi publikuar një raport lidhur me mosfunksionimit të Gjykatave në veriun e Mitrovicës, ku përfshihen më tepër se 2500 lëndë civile dhe më tepër se 1mijë e 500 tjera në cështjet penale. Për çdo ditë ne po dërgojmë rekomandime të tilla dhe japim sugjerimet tona se si duhet të evitohen ato shkelje të të drejtave të njeriut që bëhen nga sistemi. 

Bota sot: Sa po zbatohet  ligji  në  Kosovë?

Hilmi Jashari:  Është vështirë të jepet një formulim i përgjithshëm sepse me ligj përfshihet gjithë sistemi juridik në Kosovë. Në Kosovë ka qenë një fenomen që sa herë që është folur për të drejtat e njeriut dhe ligjin e së drejtës, gjithmonë kemi përdorur fjalë gjenerale përgjithësuese, se gjithmonë kemi thënë që situata është e keqe. Këto janë fjalë, që është vështirë të konkretizohen në terma të matshëm. Kjo ka qenë brengosëse për mua si avokat i popullit, prandaj kemi ndërmarrë edhe një nismë tjetër, që të drejtat e njeriut tash e tutje të maten dhe është sistem i cili mund të matet. Kombet e Bashkuara kanë nxjerrë një publikim në vitin 2012 që njihet si indikator i të drejtave të njeriut. Nga viti i kaluar jemi duke provuar që ta provojmë sa më shumë në Kosovë. Jemi duke e përgatitur edhe vetë institucionin e avokatit të popullit, që kolegët e mi dhe bashkëpunëtoret të familjarizohen sa më shumë me këta indikatorë, në mënyrë që sa herë të dërgojmë raporte për të drejtat e njeriut, të gjithë qytetarët të kenë dijeni se përse është gjendja e keqe dhe si ka ardhur deri te ajo gjendje, në secilin sektor të fushës së të drejtave të njeriut, edhe mbi bazën e këtyre parametrave që janë standarde ndërkombëtare. Është vështirë për të konstatuar se sa respektohen të drejtat e njeriut, por ka mangësi në zbatimin e ligjit, ka mangësi në sundimin e së drejtës dhe atë në të gjithë sektorët. Ne vazhdimisht pranojmë ankesa të qytetarëve dhe këta janë treguesit më të mirë se po ka probleme, sepse sikur të mos kishte, nuk do të kishim pasur numër aq të madh të qytetarëve që ankohen në Institucionin e Avokatit të Popullit, nuk do të kishim patur nevojë të ngrejmë numër aq të madh të rasteve zyrtarisht. Vetëm dy muajt e fundit, janë më tepër se 30 raste të cilat i kemi emëruar si raste, sipas detyrës zyrtare.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Mërkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat