Të mos mbyllen veshët para dosjes “Pronto 2”!

Politika

Të mos mbyllen veshët para dosjes “Pronto 2”!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 gusht 2016 Në ora: 17:32
ilustrim

Dalin në dritë afera korruptive dhe kriminale

“Ndërkombëtarët nuk duhet ti mbyllin veshët pas dosjes “Pronto 2”, që është një argument i mjaftueshëm se institucionet e shtetit të Kosovës janë të kapur nga një grup njerëzish, jo adekuat për të qenë prijës të proceseve jetike të Kosovës. Kosova ka institucione ku lulëzon nepotizmi, jo profesionalizmi dhe logjikisht, institucione me kësi përbërje janë të destinuara të dështojnë dhe t’i sjellin vetëm dëm Kosovës”, ka thënë analisti Xhenis Sulimani.

Përgjimet kanë hapur një debat të gjërë publik, si në qarqet e politikës, ashtu edhe në qarqet e analistëve  dhe qytetarëve. Ndërkohë, prokuroria e shtetit e ka dhënë një version të sajin, se do të hetojë çdo detajë, që përbën vepër penale, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete. E vetmja gjë ka ndodhur pas publikimit të përgjimeve është dorëheqja e Adem Grabovcit, si shef i grupit parlamentarë dhe asgjë më tepër.  Në këto rrethana, analistët politik vlerësojnë se Kosova ka institucione ku lulëzon nepotizmi, prandaj sipas tyre është koha e fundit që ndërkombëtarët të distancohen nga kjo klasë  politike e kriminalizuar në pushtet dhe të mbështesin një opsion të ri politik qytetarë.  Analistët pohojnë se publikimet e fundit të dosjes “ Pronto 2”  janë një argument i mjaftueshëm  për ndërkombëtarët që të ndërpresin bashkëpunimin me te lakuarit për afera korruptive dhe kriminale.

Xhelili: Populli i Kosovës duhet së pari të përcaktohet për ndryshime

Zudi Xhelili analist politik ka thënë, se sa i përket Kosovës dhe klasës politike  faktori ndërkombëtar është në dijeni të plotë, për çdo gjë që ka ndodhur dhe që ndodh momentalisht në vend. Ai ka thënë, se një kohë të caktuar Kosova ishte protektorat dhe meqenëse çdo ndryshim që ka ndodhur në Kosovë siç janë; pavarësia, qeveritë, krimi i organizuar, si dhe problemet e shumta janë vëzhguar nga faktori ndërkombëtar, atëherë del se ndërkombëtaret kanë informata të sakta për kriminalizimin e klasës politike.  “Ndërkombëtarët një ditë do ta pastrojnë skenën politike në Kosovë nga klanet e tilla, duke ua publikuar dosjet e tyre si në rastin " Pronto 2" etj, si dhe insistimin e ndërkombëtarëve për themelimin e Gjykatës Speciale. Ndryshimet do të ndodhin së shpejti, sepse ndërkombëtarët nuk i ndërpresin kontaktet me politikanët që ende kanë legjitimitet. Ata do t’i shfrytëzojnë hipotekat e tyre për ti lehtësuar disa vendime si puna e Zajednicës, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, votimi i gjykatës speciale etj. Pra populli i Kosovës duhet së pari të përcaktohet për ndryshime sepse ndërkombëtarët nuk përkrahin apo bashkëpunojnë me dikë pa e fituar legjitimitetin e popullit”, ka thënë Xhelili.

Kriminalizimi i klasës politike

Imer Mushkolaj analist politik ka thënë, se klasa aktuale politike, e kriminalizuar dhe e shantazhuar, mund të mbetet edhe për një kohë partner i bashkësisë ndërkombëtare për sjelljen e disa vendimeve të rëndësishme, por kjo nuk do të zgjasë.  “ Shkaku i atyre vendimeve dhe qasjes nënshtruese po dëmtohen qytetarët dhe shteti i Kosovës, andaj ndërkombëtarët duhet që të jenë më të qartë në qëndrimet e veta, duke mos i përkrahur ata me çdo kusht dhe duke ua bërë të qartë se kështu më nuk shkon”, ka thënë Mushkolaj.  Ndryshe, Xhenis Sulimani analist politik ka thënë, se dyshimet për zgjedhje të manipuluara, protestat e opozitës kundër pushtetit si dhe alarmimet e shpeshta dhe aktivitetet e shoqërisë civile për korrupsionin brenda institucioneve është dashur të merren më seriozisht nga ndërkombëtarët.  Ai ka thënë se këta të fundit pikërisht këtu kanë çaluar, edhe përkundër dyshimeve nuk janë distancuar nga kjo klasë politike, por me të njëjtit ka biseduar është takuar- kështu duke i legjitimuar edhe më shumë.   

“Është normal pozita e tyre neutrale dhe respekti për zgjedhjen e popullit, për respekti më i madh do të duhej të ishte për drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Ndërkombëtarët nuk duhet ti mbyllin veshët pas dosjes “Pronto 2”, që është një argument i mjaftueshëm se institucionet e shtetit të Kosovës janë të kapur nga një grup njerëzish, jo adekuat për të qenë prijës të proceseve jetike të Kosovës. Kosova ka institucione ku lulëzon nepotizmi, jo profesionalizmi dhe logjikisht, institucione me kësi përbërje janë të destinuara të dështojnë dhe t’i sjellin vetëm dëm Kosovës”, ka thënë Sulimani.  Sipas tij, nëse duan ndërkombëtarët të tregojnë se ia duan të mirën shqiptarëve dhe Republikës së Kosovës në përgjithësi duhet që ta bojkotojnë këtë klasë politike.

“Nëse janë për vlera demokratike për në Kosovë, sikur nga vendet prej ku vijnë, në asnjë moment nuk duhet ta përkrahin këtë përbërje qeveritare që ka krijuar institucione me njerëz pa meritë në pozita të rëndësishme”, ka thënë Sulimani.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Premten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat