Mashtrimi me veriun

Politika

Mashtrimi me veriun

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 gusht 2016 Në ora: 16:51
Veriu në Mitrovicë

“Ata nuk do të kthehen për vite të tëra, sepse kjo klasë politike as që dëshiron të merret me problemet e tyre, ku kërkesat e tyre gjithmonë hasin në vesh të shurdhër. Strukturat paralele kjo qeveri nuk mund t’i eliminoj as nuk mund të priten rezultate nga këta njerëz ku një pjesë e zyrtarëve të lartë të shtetit i kanë bizneset e tyre në atë pjesë dhe po ju konvenon kjo mjegulli”, ka thënë analisti Islam Krasniqi.

Komuna e Mitrovicës, kryesisht pjesa veriore,  vazhdon të jetë ndër komunat më të përfolura dhe më të ndjeshme, për shkak të serbëve që jetojnë në atë pjesë dhe shqiptarëve që jetojnë ende me frikë. Me 14 gusht  2016, u tha se do të lirohej ura nga barrikada, mirëpo ishte një zhvendosje e pjesshme, që ndodhi vetëm në anën jugore të urës, ndërkohë që strukturat paralele nuk kanë lëvizur.  Por, se deri kur do të vazhdojnë strukturat paralele në veri të Mitrovicës, ende nuk dihet. Shumë qytetarë të kësaj komune nuk lejohen të kthehen në pronat e tyre.

Sa i përket rikthimit të të zhvendosurve nga vatrat e tyre, analisti Leon Duhanaj thotë, se edhe pse janë gati dy dekada nga përfundimi i luftës,  nuk është punuar aq sa është pritur. “Nëse në shumë komuna të Kosovës me shumicë shqiptare kanë ndodhur kthime të grupeve të ndryshme nga të zhvendosurit e komuniteteve pakicë përkatësisht minoritetit serb, kjo nuk ka ndodhur edhe me shqiptarët e zhvendosur nga vatrat e tyre në komunat në veri të vendit, ku pronat e tyre vazhdojnë të jenë të uzurpuara nga banorët serb atje. Kjo ndodhë për shkak të manipulimeve që Beogradi zyrtar i bën përmes komunitetit serb në Kosovë, përkatësisht serbëve në veri të vendit, të cilët ende vazhdojnë të mos respektojnë autoritetin e shtetit të Kosovës, duke e organizuar jetën publike në kuadër të strukturave paralele dhe ilegale të financuara nga Beogradi”, ka thënë Duhanaj për gazetën  “Bota Sot”.

Sipas analistit Leon Duhanaj,  kjo ndodhë edhe përkundër shumë marrëveshjeve në Bruksel, ndër to edhe marrëveshja për shuarjen e strukturave paralele dhe, mbajtjes së zgjedhjeve të organizuara nga Kosova. “Serbia prapë vazhdon të mbajë dhe kontrolloj ritmin e zhvillimeve në veri. Nëse p.sh; në Prishtinë përmes Habitatit janë liruar pronat e uzurpuara, kjo nuk ka ndodhë edhe në Mitrovicën e veriut, ku pronat e shqiptarëve vazhdojnë të mbeten të uzurpuara, përderisa të zhvendosurit shqiptarë vazhdojnë të mbeten në jug, duke paguar qira për banim, me shpresë që një ditë të rikthehen në pronat e tyre”, ka thënë më tej Duhanaj. Sipas të njëjtit, kjo çështje duhet të trajtohet seriozisht dhe duhet të bëhet pjesë e debateve në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Mërkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat