“KFOR-i, i duhet Kosovës”

Politika

“KFOR-i, i duhet Kosovës”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 tetor 2016 Në ora: 17:09
Burim Ramadani

“Prania Ushtarake Ndërkombëtare, KFOR-i, është i pazëvendësueshëm në këtë fazë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme vazhdimi i pranisë së tillë, ndërsa unë besoj se Kosova duhet të ndërmarrë dy hapa tejet të rëndësishëm.Së pari, duhet të themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, duke konsoliduar kështu sektorin vendor të sigurisë dhe pastaj duke hyrë në programet e partneritetit me NATO-n deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO. Së dyti, Kosova duhet të analizojë dhe marrë vendimet e duhura ligjore që të ndërtojë partneritet të veçantë të pranisë ushtarake të përhershme amerikane”, ka thënë Ramadani, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Bota Sot: Në Kosovë, sipas raporteve zyrtare të institucioneve të sigurisë, janë shtuar vrasjet, vjedhjet, aksidentet në komunikacion, ndërsa përfaqësues të këtyre institucioneve deklarojnë se gjendja e përgjithshme e sigurisë është stabile. Si i komentoni ju këto?

Ramadani: Siguria publike në Kosovës vazhdimisht po sfidohet nga lloje të ndryshme të veprimeve dhe akteve kundër-ligjore. Në analizën time, qartësisht siguria publike duhet të përmirësohet dhe ka shumë elemente në të cilat institucionet publike mund të ndërtojnë programe të veçanta për të arritur përmirësim. Kjo do të rriste po ashtu ndjenjën e sigurisë dhe mundësonte që qytetarët të realizojnë të drejtat dhe liritë themelore. Deri më tash, fatmirësisht, nuk ka ndodhur që siguria publike të arrijë në nivel të përkeqësimit që do të kërcënonte sigurinë kombëtare në tërësi, por se një vazhdim i këtij trendi mendoj se është i dëmshëm.

Bota Sot:  Kohëve fundit janë bërë disa arrestime që kanë të bëjnë me terrorizmit/ekstremizmin. Janë dëshmi këto arrestime se Kosova kërcënohet nga terrorizmi?

Ramadani: Nuk ka vend në botë që është krejtësisht i paprekur nga terrorizmi global, përkatësisht ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm. Kosova ka ndërtuar një kornizë të mirë ligjore dhe institucionet e zbatimit të ligjit kanë bërë veprime të vlefshme dhe të analizuara mirë. Tashmë, është koha kur institucionet publike duhet të fokusohen në afat më të gjatë të de-radikalizimit dhe ri-integrimit të individëve.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të shtunën dhe të dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat