S’ka reciprocitet për murin e Mitrovicës

Politika

S’ka reciprocitet për murin e Mitrovicës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 dhjetor 2016 Në ora: 16:48
Muri në veri

Sipas analistit Nehat Hyseni fati i Kosovës unike dhe i shqiptarëve të Luginës së Preshevës u vulos me marrëveshjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht, asaj të 19 prillit të 2013-tës dhe 15 gushtit të vitit 2015.  Sipas tij kësaj “tradhtie kombëtare”, i ka ndihmuar edhe biznes-politika e Luginës së Preshevës, pjesë e të cilës ishte edhe Jonuz Musliu.

Ndonëse zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se muri në Mitrovicë  do të hiqet, një gjë e tillë edhe pas më shumë se një jave të ndërtimit të murit, nuk ka ndodhur.

Madje, sipas deklaratave të autoriteteve lokale të Mitrovicën veriore muri nuk do të hiqet asnjëherë. Përderisa muri në Mitrovicë, shumë afër urës mbi lumin Ibër, nuk po i gjendet zgjidhja, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, kanë deklaruar se nëse ai nuk hiqet, do ta vendosin një të njëjtë në Preshevë.  

 Jonuz Musliu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, njëherësh kryetar i Kuvendit të Bujanocit, ka deklaruar se, nëse nuk hiqet muri në Mitrovicë, ata do ta vendosin murin në Preshevë. “Serbët e Kosovës  po na mësojnë se si të ndërtojmë barrikada e mur në mes qytetit. Nëse nuk hiqet muri në Mitrovicë edhe ne do të vëmë murin në Preshevë, në autostradë, tek korridori nr.10-të..” ku njihet historikisht kufiri mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Musliu.

Politologu Albinot Maloku, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Ministrja Edita Tahiri dhe Qeveria e vendit kanë dështuar ta imponojnë çështjen e reciprocitetit me Serbin në rastin e Luginës së Preshevës. 

“Kosova, më saktësisht diplomatja Edita Tahiri dhe Qeveria e vendit kanë dështuar ta imponojnë çështjen e reciprocitetit me Serbinë në rastin e Luginës së Preshevës. Çështja e vendosjes së reciprocitetit mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht mes nevojave e problemeve të serbëve në Kosovë dhe nevojave e problemeve të shqiptarëve në Serbi ka ngelur vetëm vullnet i shprehur, por jo edhe gjendje reale në terren”, ka thënë Maloku për “Bota sot”.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Mërkurën  në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat