Skandal, deputetët “grabisin” qytetarët

Politika

Skandal, deputetët “grabisin” qytetarët

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 janar 2017 Në ora: 16:50
Kuvendi i Kosovës

“Konsideroj se është kohë e fundit që deputetët, të mos kenë paga mujore por vetëm mëditje, ku do të caktohet qartë mëditja për seanca parlamentare, duhet të mos ketë asnjë privilegj financiar për deputetë. Ata duhet të jenë të privilegjuar që i shërbejnë qytetarëve, por jo të marrin edhe paga edhe mëditje edhe pasaportat diplomatike e çka jo tjetër, sepse ky legjislacion aktual e krijon një klasë të re parazitesh që jetojnë nga buxheti i qytetarëve apo i taksapaguesve”, ka thënë analisti Blerim Burjani.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë deklaruar se ende nuk e kanë parë projektligjin për rritjen e pagave të tyre.  Projektligji i ri për pagat, pritet që deputetëve të Kuvendit të Kosovës, t`ua rris mëditjet për 20 % nga paga bazë, përkatësisht  297 euro, përveç pagës bazë prej 1488 euro, gjithnjë nëse ky projektligj kalon në Kuvend.   Faton Topalli, Deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se është mirë të ketë një rregullim të ri, i cili siguron barabarësi mes rrogave, transparencë dhe nuk lejon diskriminim. 

“Ligji për pagat ka për qëllim të rregulloj çështjen e rrogave të funksionarëve dhe nëpunësve publik ashtu si edhe të nëpunësve civil. Në këto kategori hyjnë edhe rrogat e deputetëve. Mendoj që është mirë të kemi një rregullim të ri i cili siguron barabarësi mes rrogave, transparencë dhe nuk lejon diskriminim. Nëse sot në Kosovë rroga minimale është 170 Euro, atëherë do të ishte shumë diskriminuese dhe jashtë çfarëdo parimi të barazisë që deputeti të ketë rrogën bazë 10 herë më të lartë”, është shprehur ai. 

Ai ka bërë të ditur se deputetët, nuk e kanë marrë akoma ligjin, por është shprehur i  sigurtë se do të angazhohen për një barazi më të lartë sociale.  “Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë seriozisht çështjen e barazisë dhe luftën kundër diskriminimit, ky ligj do të ishte një rast i mirë për t’i ulur rrogat e deputetëve dhe të ministrave e jo për t’i rritur ato. Ne do të votojmë kundër cilitdo ligj i cili në emër të transparencës dhe barazisë synon të krijoj pabarazi dhe përfitime për kategoritë më të privligjuara të shoqërisë si ministrat, deputetët, etj”, ka përfunduar Topalli.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat