Akuzat afër, Hashim Thaçi kërkon shpëtimin nga Gjykata Speciale!

Politika

Akuzat afër, Hashim Thaçi kërkon shpëtimin nga Gjykata Speciale!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 shkurt 2017 Në ora: 10:42
Hashim Thaçi

Kohë më parë, prokurori i Gjykatës Speciale, David Shwendiman kishte paralajmëruar se akuzat e para të Gjykatës Speciale do të ngritën në fillim të këtij viti. Dhe në shumë raporte e media, është lakuar emri i presidentit, Hashim Thaçi, si një nga “kandidatët” për në Gjykatën Speciale.

Tensionet e fundit të krijuara me Serbinë dhe deklaratat e fundit të presidentit, Hashim Thaçi janë shumë kundërthënëse.

Vetëm disa ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi gati sa nuk e shpalli gjendjen e luftës me Serbinë. Në shumë intervista për media, ai ka thënë se Serbia po dëshiron të aneksojë veriun e Kosovës, duke armatosur serbët në këtë pjesë me ndihmën e Rusisë.

“Kërcënimet e Serbisë se janë të gatshëm për luftë dhe për të dërguar forcat ushtarake në Kosovë, flasin qartë se qëllimet e Serbisë janë të njëjta me ato të regjimit të Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta”, kishte thënë Presidenti Thaçi.

Por, duke ndryshuar qasjen e tij, ai njoftoi se ka telefonuar kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq, me të cilin ka folur për nevojën e uljes së tensioneve dhe “zgjidhjen e çështjeve të hapura me dialog dhe në interes të të dy palëve”.

Por, analistët politik, ndërhyrjen e Thaçit në kuadër të dialogut, e shohin si produkt të gabimeve dhe angazhimeve të tij personale. Ata madje kanë theksuar se ai po e luan rolin e çlirimtarit, vetëm për të shpëtuar nga Gjykata Speciale.

Thaçi shkeli Kushtetutën e Kosovës

Duke folur lidhur me këtë temë për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike Jeton Kelmendi, e ka quajtur të panatyrshme dhe të pazakontë telefonatën e Thaçit me kryeministrin serb. Siç ka theksuar ai, më e natyrshme do të ishte që presidenti Thaçi t’i telefononte homologut të tij serb e jo kryeministrit.

Kjo sipas tij, përbën edhe shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Thaçi me Kushtetutën nuk ka qenë i thirrur që t’i telefonojë kryeministrit serb. Por, ai është një tip makiavelist që gjithçka e lidh me fatin dhe lëkurën e tij”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka theksuar se Thaçi nuk i frikësohet Vuçiqit, meqë përmes qarqeve ilegale, marrëdhëniet i ka shumë të rregullta me kryeministrin dhe palën serbe.

“Ky ka qenë një puç institucional, të cilin e ka bërë. Thënë troç dhe thjeshtë: Hashim Thaçi nuk i frikësohet Serbisë, sepse kjo e fundit me Thaçin është gati për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Ai dëshiron të paraqitet para ndërkombëtarëve se pa të nuk ka negociata, prandaj ai ka kërkuar që dialogu të bëhet në nivel presidentësh”, ka thënë tutje Jeton Kelmendi.

Duke theksuar se ai nuk është dashur të realizojë këtë telefonatë, Kelmendi ka thënë se fatkeqësisht Thaçi do të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

“Me  këtë do t’i bëhet shumë dëm Kosovës, sepse shumë të këqija ia ka sjellur pikërisht ai”, ka përfunduar Kelmendi.

Rrëfimi për të bëmat e Thaçit

Ndërsa, sipas analistit Arbër Gashi, problemet me të cilat po ballafaqohet Hashim Thaçi janë produkt i gabimeve dhe angazhimeve të tij personale, të cilat nuk mund të gjejnë zgjidhje me të njëjtat metoda të veprimit sikurse ka ndodhur në kohën kur janë bërë ato gabime dhe angazhime të pafalshme.

“Hashim Thaçin, nga problemet me të cilat do të ballafaqohet në të ardhmen, nuk mund ta shpëtojë as treni i Vuçiçit dhe as "kërcënimet" e vojvodës çetnik, Tomisllav Nikoliq! Thaçi ka filluar të rrëfehet për të bërat e veta dhe të atyre që e kanë shoqëruar deri më tash”, është shprehur Gashi.

Duke paralajmëruar se ky proces pritet të zgjasë disa muaj, Gashi ka theksuar për “Bota sot” se Thaçi do të rezultojë një biografi  dhe rrëfim të ri për vet rolin e tij si protagonist në politikën vendore.

Shahu: Presidenti do t’i ikë Speciales

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve në vend Rexhep Shahu, Thaçi po e bën aktorin, duke kërkuar me çdo kusht që tani në stinën e Gjykatës Speciale, të dal para të tjerëve si shpëtimtar.

“Thaçi po I frikësohet vetes së vet. Ai bën aktorin, skenarin dhe regjisorin në rekordim me Vuçiqin. Brenda pak ditësh ai na kërcëoi me gogolin Serbi e tash del e thotë se e mbyti kuçedrën Serbi. Thaçi kërkon me çdo kusht që tani në stinën e Gjykatës Speciale të dale si shpëtimtari, si ëngjëlli. Ai bën gjithçka që ta blejë të kaluarën e tij”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Biseda telefonike e presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë është e dyta brenda pak ditësh dhe thuhet se është zhvilluar me “qëllim të uljes së tensioneve të ngritura në javët e fundit” që ngritën një “luftë fjalësh” mes palësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat