Dëshmitarët të kërcënuar nga Thaçi, tërheqin akuzat për vrasjet politike

Politika

Dëshmitarët të kërcënuar nga Thaçi, tërheqin akuzat për vrasjet politike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 shkurt 2017 Në ora: 09:14
Hashim Thaçi

Imer Imeri, vëllai i anëtarit të LDK-së, Haki Imerit, i cili u vra me 2 nëntor 1999, ka akuzuar vazhdimisht presidentin Hashim Thaçi, për vrasjen e vëllait të tij dhe vrasjet tjera që kishin ndodhur në Kosovë.

Por, së fundmi Imer Imeri i ka tërhequr akuzat, duke thënë se Thaçi nuk ka të bëjë me vrasjen e vëllait të tij, dhe se presidenti i ka thënë se do t’i bëjë be me 124 pleq, se nuk ka gisht në atë vrasje.

Ditë më parë në përvjetorin e vëllait të tij, Imer Imeri bashkë me Presidentin Thaçi bënë bashkë homazhe tek varri i Hakiut, madje presidenti e dekoroi edhe me një mirënjohje.

“Jam i bindur se Hashim Thaçi nuk është në dijeni se kush e ka vrarë vëllain tim, pasi gjatë një komunikimi më të, ai është i shprehur i gatshëm se edhe në forma kanunore të zotohet se nuk di gjë për vrasjen e HakiImerit. Me thirrjen e Thaçit për t’i zbuluar vrasjet para dhe pas luftës si dhe bombat e Presidentit Thaçi, më ka lënë të kuptoj se me këtë njeri mund të flasësh. Edhe Thaçi e përsëriti disa herë thirrjen për t’i zbuluar vrasjet. Madje, ai e aplikoi edhe Gjykatën Speciale dhe kjo është e duhur për Kosovën, për krimet që kanë ndodhur’, ka thënë Imer Imeri.

Lexuesit: Dëshmitarët po kërcënohen nga Thaçi

Në një sondazh të realizuar nga gazeta “Bota sot” me pyetjen se “Pse dëshmitarët e vrasjeve politike po tërheqin akuzat ndaj Thaçit?", shumica e lexuesve apo 9155 (67.9) e lexuesve, kanë thënë se dëshmitarët janë të kërcënuar nga presidenti.

Ndërsa, 3097 ose 23% e lexuesve të tjerë, janë shprehur se dëshmitarët po blihen nga presidenti Thaçi.

Miftari: Askush nuk është vrarë nga pala shqiptare pa dijen e Hashim Thaçit

Lidhur me këtë, ish ushtari i UÇK-së, njëherësh ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë për gazetën Bota sot se dëshmitarët po frikësohen dhe po blihen.

'Dëshmitarët po blihen me premtime, por dëshmitarët sipas meje, po frikësohen nga sistemi i shtetit, pasi vlen ajo motoja se ai që vret njëherë, vret prapë. Në vendin ku nuk sundon ligji i shtetit, sundon ligji i xhunglës dhe në çdo shtet, po të bënte presidenti kësi lloj veprimesh, do të duhej të jepte dorëheqje dhe të përgjigjej para drejtësisë",  ka thënë Miftari.

Tutje, ai shton se janë zhvilluar takime në mes Imer Imer dhe presidentit Thaçi,

"Takimet interne mes z.Imeri dhe presidentit Thaçi janë bërë përmes një pjesëtar të AKI-së nga rrethina e Klinës (H). Nga këto takimet e fundit, bacës Imer iu ka kthjelluar bukur shumë memoria dhe dhënia e emrave si tre ‘vrasës’ të cilët nuk jetojnë më. Njërit (A.F) nuk i dihet as varri, është zhdukur që 16 vite, N.F është i vrarë në ndeshje komunikacioni, ishte i akuzuar dhe i dënuar në procesin e grupit të komandantëve të Llapit, kurse A.S është vrarë në vitin 2004 në vetëmbrojtje nga Policia e Kosovës. Pra, ende pa filluar hetime, ato mbyllen, sepse këta njerëz kanë vdekur dhe nuk mund të dënohen dhe jam i bindur se baca Imer e di mirë se kush ja ka vrarë vëllain dhe duhet të rrijë anash e të mos bëhet mësit i askujt”, është shprehur Miftari.

Tutje, ai shton se Imer Imeri ka të drejtë ta kërkojë vrasësin e vëllait të tij, por jo ta bëjë këtë pa fakte.

"Ai nuk duhet ta akuzojë askënd pa fakte, me thashetheme, pasi këto gjëra nuk vlejnë në gjykatë e aq më pak ato ndërkombëtare. Imer Imeri është bërë pejsë e lojës së ‘gjarprit’, por në fund pëson edhe vet nga ‘gjarpri’ dhe duke e ditur se askush nuk është vrarë nga pala shqiptare pa dijen e Hashim Thaçit, si gjatë si pas luftës. Imeri dhe gjysma e Drenicës e di shumë mirë se kush e ka vrarë Haki Imerin dhe mendoj se vrasjet e atdhetarëve nuk duhet të falen kurrë, por nëse keqpërdoren politikisht dhe deformohen, atëherë kjo nuk është zbulim i krimeve por tentim i mbulimit të krimeve", ka përfunduar Miftari për gazetën Bota sot.

Beqaj: Deklaratat e ndërruara të dëshmitarëve nuk janë të besueshme

Ndërsa, profesori Behlul Beqaj, në një prononcim për gazetën Bota sot ka thënë se do të duhej të pyeteshin personat që ndërrojnë deklarata, por se nuk janë të besueshëm, derisa i bëjnë ato.

"Nuk dëshiroj të spekuloj për motivet e të apostrofuarve, por është e qartë se dëshmitarë që kanë ndërruar deklarata janë më pak të besueshëm se ata që i kanë akuzuar", ka thënë Beqaj./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat