"Të dyshuarit për vrasjen e Haki Imerit, adresën e kanë tek Thaçi dhe klani i tij"

Politika

"Të dyshuarit për vrasjen e Haki Imerit, adresën e kanë tek Thaçi dhe klani i tij"

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 shkurt 2017 Në ora: 08:15
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke bërë homazhe para varrit të Haki Imerit, ditë më parë

“E ka shumë lehtë baca Imer këtë zbulim pasi shumicën e atyre vrasjeve, intrigave, sabotimeve e shumë gjërave tjera negative, pas luftës, adresën e kanë vetëm tek presidenti Thaçi dhe klani i tij”, ka thënë Miftari.

Imer Imeri, vëllai i mësuesit të vrarë Haki Imeri nga Vojniku i Skenderajt, ka deklaruar së fundmi se i ka zbuluar vrasësit e vëllait të tij.

Ai ka thënë se vrasësit të cilët u paguan për t’ia marrë jetën Hakiut, janë Naim Kadriu, Agron Sylejmani dhe Avni Feta, të tre llapjanë.

“Jam i bindur që këta të tre janë vrasësit. Policia e UNMIK-ut m’i kanë pru me emër e mbiemër e po ashtu edhe policia jonë. Por, kush i solli në Drenicë me na vra. Mua më intereson se kush i solli ta vrasin vëllanë tim”, është shprehur Imer Imeri  për mediat, teksa ka theksuar se është shumë afër t’a marrë vesh edhe porositësin për vrasjen e vëllait të tij.

“Jemi në rrugë të mbarë, vetëm një hap na ndan me gjet atë se kush i sjelli ata me m’a vra vëllanë”, ka thënë ai.

Por, a e ka hetuar Prokuroria e Shtetit këtë çështje, dhe pse autorët nuk janë sjellur para drejtësisë?!

Prokuroria hesht për vrasjen e Haki Imerit

Lidhur me këtë, ndonëse nga Prokuroria e Shtetit, gazetës “Bota sot” i është thënë se janë duke shqyrtuar pyetjet dhe se përgjigjet do t’i kemi së shpejti, gazeta nuk ka marr përgjigje as pas tre ditëve.

Por, çështjen në fjalë e ka komentuar Kastriot Imeri, djali i të ndjerit, Hakiut.

Duke rikonfirmuar për “Bota sot” se të dyshuarit për vrasjen e babait të tij, janë tre të lartpërmendurit, Kastrioti ka treguar se çfarë ka ndodhur me ta.

“Agron Sylejmani është vrarë nga policia e UNMIK-ut në vitin 2004, ku janë vrarë edhe dy policë në përleshje me të dhe grupin e tij. Naim Kadriu ka vdekur në një aksident në Podujevë. Ndërsa, për fatin e Avni Fetës nuk dihet se a është i vdekur apo ku gjendet. Këtë nuk e din askush”, ka pohuar Kastriot Imeri.

Kastriot Imeri: Drejtësia ta thotë fjalën

I pyetur se a ka informata familja e tij nëse Prokuroria i ka hetuar tre të dyshuarit për vrasjen e babait të tij, ai ka thënë se nuk beson që ka Prokuroria ka bërë një gjë të tillë.

Edhe pse xhaxhai i tij ka pohuar se ka prova që dëshmojnë se cilët janë vrasësit e vërtet, Kastriot Imeri ka thënë se familja do të pres që institucionet e drejtësisë të zbardhin rastin e babait të tij.

“Do t’i presim institucionet e drejtësisë të zbardhin rastin e babait tim dhe të gjitha vrasjet politike që janë bërë në Kosovë. Për të gjitha ato vrasje që janë bërë pas luftës, shpresojmë që së shpejti drejtësia do t’a thotë fjalën e fundit”, ka theksuar ai.

Duke komentuar deklaratat kundërthënëse të Imer Imerit, ish-eprori i lartë i UÇK-së Naim Miftari, ka thënë se vrasja e Haki Imerit po shndërrohet në një lojë të ndytë politike.

Sipas tij, Imer Imeri po shndërrohet në lodër një-përdorimshe e presidentit Hashim Thaçi.

“Sa u përket vrasësve të supozuar, Avni Feta është i zhdukur qe 16 vite, sipas të gjitha gjasave i vrarë. Kadriu, një ish-epror i UÇK-së nga Llapi i dënuar në procesin e grupit të Llapit, po ashtu është i mbytur në një aksident të dyshimtë të kurdisur komunikacioni. Kurse, Agron Sylejmani është vrarë nga Policia e Kosovës në vetmbrojtje në Llap në vitin 2004”, ka thënë Miftari, teksa ka theksuar se të gjitha këto ndodhën bën që hetimi të mos niste fare për shkak të vdekjes apo zhdukjes së tyre.

Miftari: Imeri s’po kërkon drejtësi për vëllain, por zbulim të kundërshtarëve të Thaçit

Sipas Miftarit, “kthjellja” e Imer Imerit, që nga takimet indirekte me presidentin Thaçi përmes një pjesëtari të AKI-së nga Klina, është e çuditshme.

“Deklarata te Batoni, ish-miku i Stanishoviqit, për shtagën, thuprën, gruan e Rexhep Selimit, e cila nuk ishte fare në Shqipëri, deklarata se e ka rrah Sabit Geci, se e kanë arrestuar, është e çuditshme. Nuk e di a po kërkon Imeri zbulimin e vrasësve të Hakiut, apo po i kërkon kundërshtarët e Thaçit”, është shprehur Naim Miftari.

Ai ka shtuar se kthimi 360 gradësh i Imerit, nuk do koment, por don zbulim edhe të atentatorëve të presidentit Ibrahim Rugova.

“E ka shumë lehtë baca Imer këtë zbulim pasi shumicën e atyre vrasjeve, intrigave, sabotimeve e shumë gjërave tjera negative, pas luftës, adresën e kanë vetëm tek presidenti Thaçi dhe klani i tij”, ka thënë Miftari.

“Asnjëri zyrtar politik apo ushtarak nuk është eliminuar fizikisht apo moralisht pa dijeninë dhe miratimin e liderit të UÇK-së. E gjithë kjo ka qëllim frikësimin dhe etiketimin e kundërshtarëve të presidentit pasi Gjykata Speciale, do të sjellë bubullimë rreth tij. Ai ka qëllim mbulimin e zbulimit të vet burimit të vrasjeve të dhimbshme të atdhetarëve dhe komandantëve të luftës, si gjatë luftës, por edhe pas saj. Gjykata do prova e jo llafe dhe etiketime pa prova dhe pa mbulesë vërtetësie”, ka përfunduar Miftari për “Bota sot”./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat