"Lojërat e Imer Imerit, do t'ia fusin frikën Thaçit para dëshmitarëve në Speciale"

Politika

"Lojërat e Imer Imerit, do t'ia fusin frikën Thaçit para dëshmitarëve në Speciale"

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 7 shkurt 2017 Në ora: 12:31
Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi dhe vëllai i Hakiut, Imer Imeri

Vëllai i Haki Imerit, Imer Imeri së fundmi ka tërhequr akuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi për vrasjen e vëllait të tij. Ai madje ka thënë se Thaçi nuk është në dijeni për vrasjen e vëllait të tij dhe se është shprehur i gatshëm t’i bëjë be me 124 pleq për këtë çështje.

Por, ai për këtë vrasje ka akuzuar tre persona të tjerë, të cilët sipas tij, e kanë vrarë Imerin.

“Vrasësit e vëllait tim janë Naim Kadriu, Agron Sylejmani dhe Avni Feta, llapjanë. Jam i bindur që këta të tre janë vrasësit. Policia e UNMIK-ut, m’i kanë pru me emër e mbiemër e po ashtu edhe policia jonë”, ka thënë ai së fundmi.  

Mirëpo, personat që i akuzon Imer Imeri për këtë vrasje,  rezultojnë të mos jenë të gjallë.  Agron Sylejmani, ishte vrarë në vitin 2004 nga Policia e Kosovës, në një shkëmbim me armë zjarri me policinë, me ç`rast kishte mbetur i vrarë edhe një policë të Kosovës dhe një policë të UNMIK-ut.   Po ashtu, Avni Feta e Naim Kadriu kanë vdekur menjëherë pasluftës, ndërsa burime të gazetës “Bota sot”, thonë se njëri është vrarë dhe nuk i dihet varri ndërsa tjetri ka vdekur në një aksident të kurdisur.   

Por, kundër kësaj deklarate kanë dalë Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, dega e Zollit të Besianës, prej nga vinin të tre të dyshuarit për vrasjen e Imer Imerit. OVL e UÇK-së, konsideron se është e pakuptueshme se si  Imer Imeri, 17 vite pas ngjarjes dhe po ashtu në kohën kur të tre këta tre janë të vdekur, të hedhë topi pikërisht te ata.

 “Z. Imeri, ne nuk po mund ta kuptojmë çka ju shtyu në ketë deklaratë pas 17 viteve. Ti z.Imeri për 17 vite akuzove Presidentin z. Hashim Thaçi. Tani po mundohesh ta hedhesh topin tek tre luftëtarë,  që tani ata janë të vdekur. Ku ishit ju z. Imeri tash e 17 vite? Përse pritët, derisa të vdesin  këta  luftëtarë,  a po je i shtyrë e i obliguar për ta gjuajtur topin te këta luftëtar tash te vdekur”, thuhet në reagimin e tyre.  

Në këtë rast, këto organizata ka ftuar organet e drejtësisë, që të merren me këto akuza.   “Ne si organizata të dalë nga Lufta UÇK-së, së ZOLL-it dega në Besianë, bëjmë thirrje që organet e drejtësisë të merren me këto akuza shumë të rënda për familjet dhe bashkëluftëtarët dhe sa më parë, të marrë masa dhe ta hetojnë deklaratën e zotëri Imerit”, thuhet më tej në reagim.

Po kurdiset manipulimi i dëshmitarëve

Sipas analisti Ajet Avdyli, sa më shumë që po afrohet dita e publikimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale, aq më shumë po shtohen kontaktet e të akuzuarve të mundshëm me njerëzit që pritet të dëshmojnë.  “Sa më shumë që po afrohet dita, kur do të publikohen aktakuzat e para për liderët kosovarë, për çdo ditë po shtohen përpjekjet e atyre që, së shpejti presin të  marrin thirrjet, duke kontaktuar me njerëzit që priten të dëshmojnë, apo të jenë dëshmitar në Hagë. Para disa ditësh Hashim Thaçi i pat deklaruar Imer Imerit, vëllait të Haki Imerit i vrarë gjatë kohës së luftës se do të bëjë “be” ,  me 124 pleq, me çka, shumë shtruan pyetjen se, a jemi Republikë Parlamentare apo Republikë kanunore, ku i pari i shtetit dëshiron e insiston që ta lajë veten, sipas një doktrine kanunore”, ka deklaruar ai.  Sipas tij, takimi i Presidentit Thaçi me z. Imer Imeri, po i jep rezultatet e para.   “Takimi i Hashimit me Imerin, po shihet se dha rezultatet e para. Pak ditë para takimit, Imer Imeri doli me një deklaratë, se ai i di emrat e atyre që ia kanë vrarë vëllanë, Haki Imerin. Dihet publikisht se të tre ata persona, që i përmendi Imer Imeri, tani janë të vdekur, e kësaj i bie se Imeri ka pranuar të heq dorë nga akuza kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Një dukuri e tillë, e cila ka filluar të përsëritet në Kosovën tonë, me dëshmitarë të cilët, dëshmojnë diçka e pastaj i tërheqin dëshmitë e tyre, kuptohet se janë bërë me diçka, ose me të holla ose janë kërcënuar apo shantazhuar nga ata, që pritet të jenë të ftuarit në Gjykatën e Hagës”, ka thënë Avdyli.

Mbajtja e përgjegjesisë për fjalën publike

Ndërkaq, sipas analistit Hidajet Ahmeti,  Imer Imeri, nuk mund t`i ikë përgjegjësisë së fjalës publike.  “Përgjegjësisë së fjalës publike nuk mund t’i ikë Imer Imeri, pasi që ekzistojnë videot ku po i njëjti në mesin e të shumtëve akuzon edhe Hashim Thaçin, kurse para pak ditësh del me deklarata kontradiktore duke e amnistuar po të njëjtin. Kemi të bëjmë dy gjera, njëra ka të bëjë se “vërtetësia” e deklaratave  të Imer Imerit janë të luhatshme dhe shumë të dyshimta, kurse në anën tjetër po sa u nderua vëllai i Haki Imeri si hero  nga presidenti Thaçi, deklaratat e po të njëjtin ndryshuan”, ka thënë Ahmeti. Ky i fundit, më tej, ka shprehur dyshimin e tij për ndonjë pazar të mundshëm ndërmjet Presidentit Thaçi dhe z. Imer Imeri. “Në këtë rast gjykoj, se kemi të bëjmë më ndonjë pazar të paskrupullt në mes Hashim Thaçit dhe Imer  Imerit, duke e amnistuar të parin dhe duke e ndërhyrë tek i dyti që  të dëmtojë kredibilitetin dhe personalitetin e kundërshtarëve politik. Mbështetur në retrospektivë, dinakëria e Thaçit  dhe lojërat e papastra politike i shkojnë shumë mirë, atëherë  kur vje ne pyetje vetvetja,  eliminimi politik i bashkë partiakëve dhe kundërshtarëve politik”, ka thënë ai.  Për t’u mbyllur ky debat i panevojshëm dhe për t’i dhënë të drejtë të vërtetës, sipas Ahmetit, dora e Prokurorisë ka nevojë  të ndërhyjë në këtë rast.   “Këto deklarata të pamatura, joserioze  të Imer Imerit, edhe nëse shpëtojnë nga sistemi i drejtësisë së Republikës së Kosovës, nuk mundë t’i shpëtojnë Gjykatës Speciale, që deklaratat e tij publike janë të ruajtura në sirtarët kësaj gjykate. Lojërat e tilla të z.Imerit nën dirigjimin  e kupolës së krimit, z. Thaçi do ta fusin në siklet para bankave të dëshmitarëve në Gjykatën Speciale z.Imerin”, është shprehur ai. I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, në lidhje me akuzat dhe shenjëstrimet që po bëhen aktualisht ndaj tij, Imeri Imeri ka zgjedhur të mos përgjigjet.

Akuzat në lidhje me politikën ditore

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani ka thënë se akuzat e fundit ndërlidhen me politikën ditore.  “Këto janë tema të interesit individual njëherë ka akuza pastaj i bien pishman, kjo duket si politikë ditore që bëhet në Kosovë, herë akuza e herë gjëra  të tjera, pra këto gjëra janë te nxitura varësisht nga koha dhe interesi. Duket më shume politike”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.  Ndryshe, sipas hetimeve të Prokurorisë Speciale  dhe akuzës  PPS.No. 41/2914 të datës 12 prill 2016,  të siguruar nga gazeta “Bota sot”, EULEX –i,  bën të ditur se Agron Sylejmani ishte personi i identifikuar për atentatin e 19 tetorit të vitit 2001, ku mbetën të vdekur ish gazetari i gazetës “Bota sot”, Bekim Kastrati, ish-truproja i Presidentit Rugova, Besim Dajaku si dhe mbeti i plagosur ish deputeti Gani Geci.  Sipas prokurorisë së EULEX-it , Agron Sylejmani dhe të tjerë të panjohur kanë vrarë Bekim Kastratin, Besim Dajakun dhe kanë plagosur rëndë Gani Gecin.  Megjithatë, ende nuk dihen se kush janë urdhërdhënësit e këtij atentati.

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani ka thënë se akuzat e fundit ndërlidhen me politikën ditore.  “Këto janë tema të interesit individual njëherë ka akuza pastaj i bien pishman, kjo duket si politikë ditore që bëhet në Kosovë, herë akuza e herë gjëra  të tjera, pra këto gjëra janë te nxitura varësisht nga koha dhe interesi. Duket më shume politike”, ka thënë Burjani për “Bota sot”./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat