Opozita kritika për dialogun, parku nuk e bashkon Mitrovicën

Politika

Opozita kritika për dialogun, parku nuk e bashkon Mitrovicën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 shkurt 2017 Në ora: 12:35
Ura Ibrit në Mitrovicë

Muri ilegal i ndërtuar nga autoritetet komunale të Mitrovicës së veriut, është rrënuar, mirëpo një bazë betoni mbështetëse është duke u ndërtuar përsëri.

Sipas kryetarit të Mitrovicës, Goran Rakiq, kjo strukturë mbështetëse është e fortë në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash. Rakiq pohon se kjo do të garantojë sigurinë për qytetarët e komunës së Mitrovicës së veriut.

 Për ndërtimin e masës së betonit është pajtuar pozita, ndërsa kundër kësaj shprehet opozita.

Sipas opozitës është rrënuar një mur ilegal,  mirëpo po ndërtohet një tjetër mur legal.

Ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, që kishte thënë se   një mur është rrënuar, por do të ndërtohet tjetri.

Kurse, Nisma për Kosovën thotë se me këtë mur i jepet vula e Mitrovicës.

Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bajram Hasani, thotë se padyshim ky mur e ndanë pjesën veriore të Kosovës dhe këtë herë me leje të drejtueseve.

“Me këtë muri, veç se i jepet vula ndarjes së Mitrovicës. E kam thënë edhe më herët se lejimi i këtij muri që po mundohen të na e paraqesin vetëm sikur park, do të jetë gjithmonë një burim tensioni. Ky padyshim është muri që e ndanë pjesën veriore të Kosovës vetëm se kësaj here me leje të drejtuesve të shtetit”, shprehet Hasani.

Ai thotë se me leje të drejtuesve të shtetit është ndarë Mitrovica dhe kjo sepse kur kanë dialogu nuk kanë pyetur askënd.

“Me leje të drejtueseve po ndahet Kosova, me leje të drejtueseve të shtetit  të cilët pa pyetur askënd i bëjnë pjesë të dialogut çështjet për të cilat nuk ka nevojë të bisedohet. Sepse ti në momentin që e ke bërë pjesë të bisedimeve këtë muri, në momentin që ke negociuar për të i ke dhënë të drejtë Serbisë që të vendos edhe për mure në territorin e vendit tonë. Ky muri nuk do të duhej të ekzistonte në asnjë mënyrë”, pohon Hasani.

Ndërsa, partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se një qytet të jetë i ndarë nuk është vetëm muri, por edhe elementet e marrëveshjes.

“Është vështirë të komentohet për temën në fjalë kur aty mungon transparenca dhe piktura e qartë se çka përmban marrëveshja. Që të jetë një qytet i ndarë nuk është vetëm muri që e përcakton por të gjitha elementet e marrëveshjes” shprehet Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Arifi pohon se Mitrovica është e ndarë dhe parku nuk e bashkon atë.

“Për momentin Mitrovica është e ndarë, prandaj nuk besoj se parku do të jetë hap kah bashkimi”, shprehet Avni Arifi.

Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, Blerim Grainca, thotë se është rrëzuar muri ilegal ndërsa kjo bazë betoni është projekt që ka ardhur si rezultat i bisedimeve.

“Kuvendi ka nxjerrë rezolutën për rrëzimin e murit dhe ka konstatuar se muri ishte ilegal. Kjo edhe ndodhi pra u rrëzu. Tani ka një projekt të ri që është rezultat i bisedave. Besoj se kjo është  në funksionim të komunikimit të qytetarëve, sepse qyteti edhe ashtu tani është i ndarë, gjithçka duhet të jetë konform ligjeve të Republikës së Kosovës. Gjithçka tjetër është e papranushme”, thekson Grainca.

Kurse, analisti politik, Hidajet Ahmeti, thotë se është e vërtetë që Mitrovica tashmë është ndarë që nga paslufta.

Ahmeti pohon se një mur i tillë është në dëm të frymës së integrimit dhe bashkëpunimit ndëretnik

“Edhe pse de jure Kosova është unike brenda sovranitetit shtetëror të Republikës, por de facto Mitrovica e veriut është e ndarë  që nga paslufta dhe kjo gjë është e ditur botërisht. Pa marrë parasysh formës, madhësisë, gjatësisë apo gjerësisë së murit, simbolika e tij është e shumëfishtë. Njërën anë simbolizon përdhosjen e rendit kushtetues e ligjor, ndarjen etnike dhe mbi të gjitha fyerjen dhe injorimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë rivendosja e një muri të tillë, edhe atë duke u legalizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës  është një pazar në dëm të frymës së integrimit dhe bashkëpunimit ndëretnik”, pohon Ahmeti.

Muri i ndërtuar në dhjetor të vitit të kaluar, në kohën kur nisi rivitalizimi i urës në lumin Ibër, u rrënua të dielën më 5 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat