“Lladrovci po e fut në borxhe Drenasin, bëri drejtoreshë parukieren”

Politika

“Lladrovci po e fut në borxhe Drenasin, bëri drejtoreshë parukieren”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 10 shkurt 2017 Në ora: 13:22
Ramiz Lladrovci

Kryetari i ri i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, në fillim të mandatit të tij, ka pezulluar nga puna gjashtë zyrtarë komunalë, shërbyes civilë kundër të cilëve është ngritur aktakuzë.

Lladrovci ditë më parë në përbërjen e stafit të tij ka emëruar emra të rinj, me të cilët do të qeverisë për 10 muaj. Nga emërimet e stafit politik, sipërkatësisht në dikasterët ekzekutive, në 50 për qind të drejtorive janë emëruar femra.

Por, shkarkimet dhe emërimet e tij nuk janë pritur mirë nga përfaqësues të partive tjera në këtë komunë si dhe nga analistët politikë.

Drenori: Lladrovci po e fut në borxhe Drenasin

Themeluesi i Vizionit për Drenasin Xhavit Drenori, duke folur për këtë çështje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se brenda Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas ka lloj-lloj fraksionesh, meqë ajo është partia më e madhe dhe më e konsoliduar në këtë komune.

Megjithatë, sipas tij, ndryshimet që janë bërë, janë kozmetike dhe ndryshime në përmbajtje në kuptimin që në ekipin e tij Lladrovci ka marrë njerëz që kanë kallëzime penale dhe i kanë bërë dëm shumë qeverisjes së kaluar të Drenasit.

“Kryesisht kanë mbetur njerëz që kanë ndikim të madh në njerëz që janë të faktorizuar në nivel qendror. Prandaj, kjo e ka fuqizuar edhe atë që e kam thënë gjatë fushatës që z. Lladrovci po hyn në borxhe si kryetar i Drenasit dhe nuk mund të bëjë ndryshimet e nevojshme me njerëz të cilët i kanë shkaktuar realisht ato dëme dhe probleme në qeverisjen lokale”, ka vlerësuar ish-asamblisti i PDK-së, Xhavit Drenori.

Xhemajlaj: Klanet e kanë kapur në duar komunën e Drenasit

Ndërsa, ish-kandidati për kryetar të Drenasit nga Nisma për Kosovën Isa Xhemajlaj, i cili ia shkaktoi Lladrovcit balotazhin në zgjedhjet e kaluara, konsideron se ndërrimet janë bërë me planin e klaneve dhe grupeve të interesit.

Ai ka theksuar se pjesëtarë të këtyre klaneve, duan që të marrin pushtetin në duar dhe të mirat e tij që I sjellin bizneset dhe kompanitë komunës së Drenasit.

“Për ta bërë këtë, Lladrovci nuk mund të punojë me grupin e kryetarit paraprak, duhet t’i bëjë  njerëzit e vet, kryesisht njerëz joprofesional, por që dinë të jenë servile të mirë dhe të dëgjueshëm për kryetarin. Vetëm kjo është arsyeja”, ka thënë Xhemajlaj për “Bota sot”.

Drejtoresha parukiere

Xhemajlaj, motrën e së cilit, drejtoreshë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Hyrije Xhemajlaj-Thaçi, kryetari Lladrovci e shkarkoi me arsyetimin se gjendet nën aktakuzë, ka theksuar se në kuadër të emërimeve të reja, ai ka marrë për drejtoreshë edhe një parukiere.

“Ka edhe njerëz që nuk kanë asnjë lloje përvoje të punës paraprake, që lë shumë për të dëshiruar nëse ata do t’I japin diçka të mirë Komunës së Drenasit. ”, ka shtuar ai.

Xhemajlaj ka thënë se parukierja është emëruar në pozitën e drejtoreshës së Shërbimeve Publike. 

Lidhur me akuzat, gazeta ka provuar të kontaktojë me kryetarin Lladrovci, por kontakti me të ishte i pamundur.

Analisti Blerim Burjani, për akuzat dhe kundërakuzat, ka thënë se ato do të vazhdojnë të jenë prezente edhe më shumë në muajt e ardhshëm.

“Meqënëse është vit zgjedhor dhe pritet të mbahet zgjedhjet lokale, gjëra të tilla do të ndodhin. Kuvendi Komunal ka funksionuar me shumë vështirësi dhe ka qenë i bllokuar”, ka thënë Burjani për “Bota sot”, derisa ka shtuar se mirë që do të ketë sivjet zgjedhje të reja.

Sfidat e Lladrovcit

Por, ndryshe është shprehur analisti tjetër Albrim Badallaj, sipas së cilit, drejtorët në fjalë dhe zyrtarët e larguar janë larguar nga kryetari Lladrovci për arsye se kanë aktakuza nga Prokuroria.

Ai ka thënë se edhe po të mos ishte kjo arsyeja e vetme, kryetari i ri mund ta zgjedh ekipin e ri me të cilin dëshrion të udhëheq, meqë është kompetencë e tij ekskluzive emërimi dhe shkarkimi i drejtorëve.

“Drejtorët aktual ishin emëruar nga pararendësi i tij, kryetari Demaku, por ky ndryshim nuk flet për përqarje brenda partisë, meqë të pakënaqurit u distancuan nga kryetari Lladrovci, që në zgjedhje dhe medoemos që duhen freskime në udhëheqje për t'u përgaditur edhe për mandatin tjetër me një ekip të ri, marrë parasysh se zgjedhjet e ardhshme lokale parashihen të mbahen në tetor apo nëntor të këtij viti”, ka theksuar Badallaj.

Sipas tij, sfida e Lladrovcit, përpos mirëqeverisjes, është edhe kthimi i PDK në këtë komunë si parti e cila fiton pa balotazh, “meqë është hera e parë që pas 17 vitesh PDK-së i duhet balotazhi për të fituar në Drenas dhe përgjegjës për këtë është vet Lladrovci”.

“Shikuar drejtë vendimi i Lladrovcit për shkarkim të personave nën aktakuza është për t'u përshëndetur, edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për personat në fjalë, mirëpo ky reflektim nuk mund të gjykohet meqë është e drejtë e tij që të shkarkojë personat e emëruar politik dhe këtë veprim dyshoj që ka mundur ta marrë pa konsultim me partinë, meqë ai i fitoi zgjedhjet nën ombrellën e PDK-së, duke pasur parasysh se Lladrovci do të tentojë edhe për një mandat tjetër që të jetë në krye të Drenasit”, ka thënë Badallaj.

Ndërsa, duke komentuar shkarkimin e Drejtoreshës së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, ai ka vlerësuar se kjo më tepër është bërë për arsye se ajo është motër e ish-kandidatit të Nismës.

“Për mentalitetin tonë është e papranueshme që motra të jetë në një parti kundërshtare të vëllait dhe për të mirën e partisë, por edhe për t'i ikur paragjykimeve dhe akuzave, është veprimi më i mirë që e ka ndërmarr”, është shprehur Albrim Badallaj.

Ish-drejtorët u ‘rehatuan’ në Drejtori tjera

Lladrovci ditë më parë emëroi 11 drejtorë dhe zyrtarë të lartë komunalë, ndërsa disa nga ish-drejtorët i emëroi në pozita të tjera.

Ish-drejtori i Arsimit, Sadik Tahiraj është transferuar në Drejtorinë e Administratës Komunale, përkatësisht shef i Sektorit të Arkivit, ish-drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Eknomik Skender Hasi është transferuar në Drejtorinë e Financave, përkatësisht shef në sektorin e Financave dhe ish-drejtori për Kulturë Rini e Sport,  Agron Dubovci është transferuar po në këtë drejtori, shef për Kulturë. 

Ndërsa, lidhur me postin e shumë diskutuar të drejtorit të Arsimit, pritet që ai të vendos në ditët në vijim.

Ndryshe, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci u zgjodh kryetar komune më 18 dhjetor, ndërsa qeverisja e tij në Drenas do të jetë për 10 muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat