Përplasja Tahiri-Dërguti, pasojat që e presin nënkryetaren e Kuvendit për letrën ndaj ITU-së

Politika

Përplasja Tahiri-Dërguti, pasojat që e presin nënkryetaren e Kuvendit për letrën ndaj ITU-së

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 shkurt 2017 Në ora: 10:47
Edita Tahiri e Aida Derguti

Ministrja për Dialog Edita Tahiri në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se një deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar nga ITU që mos t’ia jap Kosovës kodin telefonik.

Për këtë ajo tha se ka edhe dokument që e vërteton.

Edhe pse Tahiri nuk ka përmendur emra, ishte deputetja Aida Dërguti e Vetëvendosjes, ajo e cila ka reaguar ndaj Tahirit duke thënë se kjo është shpifje pasi që sipas saj letra është dërguar ITU-së më qëllimin që mos ta lejojë Serbinë të përzihet në ndarjen e kodit.

 “Ne jemi mësuar që ju të dezinformoni. Ajo që më citoni lidhur me letrën e dërguar në ITU, nuk qëndron. Nuk qëndron ajo se çfarë thatë ju lidhur me marrëveshjen e ITU-së”, ka thënë Dërguti.

Ndërkohë që Tahiri e ka akuzuar atë se e ka keqpërdorur pozitën e nënkryetarës së Kuvendit në momentin që e ka dërguar kërkesën në ITU.

“Unë nuk përmenda asnjë emër, por ju vet u zbuluat. Zonja Dërguti në internet e gjeni, unë e kam, gjithkush mund ta gjejë në internet.  Aida e ke keqpërdor Kuvendin se ke nënshkruar si nënkryetare e Kuvendit. Keni shkelur rregulloren zonja Dërguti”, ka thënë ministrja Tahiri.

Ministrja Tahiri: Dërguti bëri shkelje të rëndë

E kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, ministrja Edita Tahiri ka thënë se ajo vetëm ka bërë të njohur se si një deputet i VV-së ka provuar të jetë pengesë që ITU të mos ia jep kodin telefonik shtetëror Kosovës.

Por, sipas saj, ajo që është më e rëndësishme është se Kosova e ka marrë kodin telefonik shtetëror nga ITU me 15 dhjetor 2016, si rezultat i dialogut në Bruksel dhe Marrëveshjes për kodin telefonik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Rëndësia e kodit telefonik për Kosovën është peshë shtetërore, ndërkombëtare dhe ekonomike dhe është një simbol i shtetësisë së Kosovës, për të cilën janë gëzuar gjithë qytetarët”, ka theksuar ministrja Edita Tahiri.

Ajo ka thënë se nuk ka kohë të merret me ata që kanë tentuar ta pengojnë kodin telefonik për shtetin tonë, sepse ata, sipas saj, kanë dështuar, ndërsa shteti dhe qytetarët kanë fituar kodin telefonik 383, për herë të parë në historinë e Kosovës.

Ndërsa, për veprimin e nënkryetares së Kuvendit Dërguti, Tahiri ka thënë se ajo përbën shkelje të rëndë.

“Sa i takon shkeljes se procedurave, sipas mendimit tim vet fakti se deputetja Aida Dërguti e ka nënshkruar letrën si nënkryetare, pra kjo i bie se e ka bërë në emër të Kuvendit, për mendimin tim përbënë një shkelje të rëndë”, ka thënë ministrja e Dialogut Edita Tahiri për “Bota sot”.

Dërguti hesht për akuzat

Ndërkohë, ndonëse nga Zyra për Komunikim e Lëvizjes Vetëvendosje na është thënë se do të kemi përgjigje nga Aida Dërguti, përgjigjet e pyetjeve nëse kjo e fundit është konsultuar me kolegët deputetë të Kryesisë para se ta dërgonte atë kërkesë, çka përmban saktësisht ajo kërkesë, cila ishte arsyeja që e kishte dërguar dhe a është mbajtur fshehtë nga opinioni, “Bota sot” nuk i ka marrë.

Burjani: Deputetët duhet të reflektojnë me interesat e shtetit

Sipas njohësit të çështjeve politike Blerim Burjani, është e çuditshme dhe e papranueshme të behën angazhime antikushtetuese.

Duke folur për temën, Burjani ka theksuar se në Kushtetutën e Kosovës, thuhet qartë se deputetët duhet të reflektojnë me interesat e shtetit.

Kësisoj, sipas tij, është dashur të veprojë edhe deputetja Dërguti, e cila duhej ta respektonte rreuglloren e punës.

Por, as Tahiri siç ka thënë Burjani, nuk ka raportuar e madje as nuk ka shkuar në Komisione për të raportuar lidhur me atë çfarë është diskutuar në dialogun në Bruksel.

“Nuk është e tërë kjo lojë politike për të bërë veprime pa kurrfarë përgjegjësie, madje për të mos marr parasysh as betimin që e kanë dhënë për mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës”, ka thënë Blerim Burjani për “Bota sot”.

Ndërsa, sipas profesorit Muhamet Kelmendi, njëherit anëtar i Kryesisë së AAK-së, në emër të deputetëve, sipas Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës, përveç kryetarit të Kuvendit, nuk ka askush të drejtë të flas dhe të kryejë veprime juridike apo politike.

Dërguti rrezikon t’i hiqet mandati i deputetit

Ndërsa, siç ka thënë ai, në emër personal, jo vetëm Dërguti, por çdo anëtar i Kuvendit, madje edhe çdo qytetar, ka të drejtën e shkëmbimit të pyetjeve etike.

“Kuptohet se duhet të tregojë pozitën e vet pa u thirrur në organ. Lidhur me atë se çfarë përgjegjësie ka, i takon Kuvendit të vendos. Kryesia shqyrton çështjen dhe ia paraqet Kuvendit në seancë parlamentare për diskutim “, ka thënë Kelmendi.

Duke folur për masat me të cilat, mund të ndëshkohet deputetja Aida Dërguti, Kelmendi ka thënë se ato janë të ndryshme.

“Vërejtje; suspendim nga një a disa seanca; suspendim për dy apo tre muaj, dhe suspendim deri në gjashtë muaj. Nëse shkeljet janë të rënda, diskutohet edhe heqja e mandatit të deputetit. Por mendoj se nuk është rast i tillë”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi: Edita Tahiri duhet të përgjigjet penalisht

Por, sipas tij, ministrja Tahiri ka frikë nga puna e deputetëve të Vetëvendosjes, madje ka thënë se është vet Tahiri, ajo e cila ka shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe se ajo duhet të përgjigjet penalisht.

“Ajo e din se ka bërë shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës. Çdo marrëveshje e negociuar nga Edita, është de-jure antikushtuese. Nuk ka bazë ligjore negocimi mbi telefoninë fikse! Nuk ka bazë ligjore negocimi për mur! Nuk ka bazë ligjore negocimi mbi dokumentet! Nuk ka bazë ligjore negocimi për Asociacion! Nuk ka bazë ligjore…! Pra, është Edita, ajo që duhet të përgjigjet penalisht”, është shprehur Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Në letrën e saj drejtuar ITU-së, deputetja Dërguti, ndër të tjerash ka thënë se “ekziston një kundërshtim i fortë publik për qasjen karshi caktimit të kodit telefonik ndërkombëtar për vendin tonë, i shprehur, ndër të tjera, në një peticion të nënshkruar nga më shumë se 200 mijë qytetarë. Në emër të tyre dhe në emër të 30 anëtarëve të parlamentit, unë jam duke i ngritur këto shqetësime para jush, me shpresën se ITU do t’i marrë ato në konsideratë”./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat