"Qosja nuk është 'babë i kombit', s'mund të flet në emër të popullit për tokat e shqiptarëve"

Politika

"Qosja nuk është 'babë i kombit', s'mund të flet në emër të popullit për tokat e shqiptarëve"

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 shkurt 2017 Në ora: 08:55
Rexhep Qosja

Rexhep Qosja së fundmi ka dalë me një propozim për shkëmbim territoresh derisa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ende të pranishme.

Ai ka propozuar që Mitrovica Veriore e banuar me serbë t’i jepet Serbisë në këmbim të Luginës së Preshevës, Bujanocin, Medvegjën e fshatrat përreth të banuara me shqiptarë.   

“Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë. Unë dua ta shpëtoj Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t'i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë dhe e sunduar edhe tani prej Serbisë, të cilëve do të mund t’u bashkoheshin edhe serbët e viseve të tjera të Kosovës, e t'i jepeshin Kosovës Presheva, Bujanoci e Medvegja me fshatrat përreth të banuara me shqiptarë”, ka thënë Qosja.

Por, ideja e tij është kundërshtuar ashpër nga spektri i gjerë politik.

Idenë e njëjtë e ka shfaqur edhe nënkryetari i LDK-së Lufti Haziri.

Mirëpo kundër tyre ka dal edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, sipas së cilit, këtë ide e ka pasur edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë si dhe babai i kombit serb Dobrica Qosiq.

Mustafa ka thënë se Qeveria s’e ka në plan e në program këmbimin e territoreve as me Serbinë dhe as me askënd. 

“Është projekt i rrezikshëm. Nuk besoj që do t’i bënte mirë vendit kjo. Humbim një pjesë të rëndësishme të territorit tonë dhe nuk fitojmë asgjë”, ka thënë Kryeministri Mustafa.

Teori që buron nga Akademia e Shkencave të Serbisë

Lidhur me idenë e shkëmbimit, historiani Shkodran Imeraj ka thënë, për gazetën “Bota sot”, se kjo është një ide e gabuar dhe në kohë të gabuar.  “E shikuar në këndvështrimin historik, çështja e shkëmbimit të territoreve që tashmë është aktuale në Kosovë, mendoj se nuk është dashur të ngrihet në këto momente dhe në këtë kohë nga vetë fakti se pjesa veriore e cila sipas Rexhep Qoses duhet t’i jepet Serbisë dhe pjesa e Kosovës Lindore t’i bashkohet Kosovës, janë pjesë të banueshme me shqiptarë dhe nuk është momenti i duhur që të bisedohet kjo temë. Në qoftë se, do të shkohet në këtë drejtim të hapjes së çështjes se rishikimit të kufijve në Ballkan atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte që Kosova të bashkohet me Shqipërinë dhe jo të hyjë në një proces shkëmbimi territoresh me Serbinë”, ka thënë ai.  Imeraj pajtohet me deklaratën e kryeministrit Mustafa se teori të tilla burojnë nga Akademia e Shkencave të Serbisë.  “Teori të tilla që burojnë nga Akademia e Shkencave të Serbisë. Duhet të kemi parasysh edhe planet dhe projektet në të kaluarën që kanë buruar nga kjo akademi dhe pikësynimi ka qenë është dhe gjithmonë politika e Beogradit e ka pasur ndarjen e Kosovës”, ka shtuar historiani Imeraj.  Ai e quan provokim të Qoses këtë teori, që sipas tij është përdorur për konsum politik ditor, mirëpo Kosova është e pavarur dhe kufijtë e saj janë të garantuara nga ana e fuqive të mëdha.  “Faktikisht një provokim i tillë nga ana e një akademiku të Kosovës nuk është dashur në këtë kohë, kur dihet se provokimet e vazhdueshme, që është duke i bërë Serbia karshi Kosovës, duke përfshirë akuzat në Interpol, ndalimi i Ramush Haradinajt, çështja e trenit, të cilat janë provokime të hapura. Por një gjë, duhet të kihet parasysh se pavarësia e Kosovës është shpallur me 17 shkurt dhe është e njohur ndërkombëtarisht e ka marrë pëlqimin e fuqive të mëdha, andaj këta kufij të Kosovës janë të garantuar nga ana e fuqive të mëdha she shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mendoj, se çështja e deklaratës së Qoses është më shumë e një konsumi politik ditor për qasje dhe bërje si lajm, por nuk është një çështje që pranohet nga ana e institucioneve të Kosovës”, është shprehur ai.  Imeraj thotë, se për një teori të tillë duhet të konsultohen edhe akademia e institute dhe jo të merret parasysh ideja e ndonjë akademiku.  “Është mirë që për këtë teori të konsultohen edhe akademia edhe institutet dhe të jepen mendimet, sepse është një çështje kombëtare dhe që nuk mund të vendos politika dhe një akademik. Po supozojmë nuk të marrim Luginën vetëm pse do Presidenti, Kryeministri apo një akademik. Kjo  çështje hap pakon e pandorës në Kosovë dhe në Ballkan, ku tashmë dihet se Rusia po e përcjell ndikimin e saj në Ballkan dhe assesi nuk duhet të biem pre e çështjeve të caktuara”, ka përfunduar Imeraj për gazetën “Bota sot”.

Mustafa tregoi, se Qosja nuk vendos për territoret shqiptare

Mendimin se teza e shkëmbimit të territoreve e ka burimin nga Serbia mendon edhe njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, i cili e mbështet kundërpërgjigjen  e kryeministrit Mustafa ndaj Qoses. “Teza e shkëmbimit të territoreve është kërkesë e lansuar nga Serbia e cila në këtë mënyrë ua ka shkëputur shqiptarëve trojet etnike, sidomos nga viti 1870 e këtej, kur janë shkëputur 730 vendbanime të Toplicës, që janë spastruar tërësisht nga çdo gjë shqiptare. Kështu është rrëmbyer Pazari i Ri dhe Lugina e Preshevës, e kështu po tentohet të ndodh edhe me veriun e Kosovës, territorin shqiptar të serbizuar që pastaj të shërbejë për këmbim territoresh, sipas elaboratit të akademikut serb Dobrica Qosiq, që këto ditë e përkrahu, kushëriri i tij Rexhep Qosja. Prandaj, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa patjetër që është dashur t'i kundërpërgjigjet Qosjes, dhe t’ia bëjë me dije se janë të tjerët që mendojnë dhe vendosin për çështjen e territoreve shqiptare”, ka thënë Zogaj për gazetën “Bota sot”.  Ai e quan spekulant Qosen dhe thotë se ai nuk ka të drejtë të flas në emër të shqiptarëve.  “Qosja, për fatin e keq të tij, me gjasë është sterilizuar dhe, pa e Pyet kush, po tregon se, është bashkëpunëtori i fshehtë i ASH të Serbisë dhe bashkë autor i elaborateve serbe të hartuara për gllabërimin e tokave shqiptare. Qosja për shqiptarët e Kosovës më nuk është "babë i kombit" sepse, shqiptarët e Kosovës e kanë marrë vesh se është një spekulant, i cili nuk e gëzon të drejtën të flas asgjë në emër të shqiptarëve, sepse, cakto që thotë, më askush nuk i beson”, ka deklaruar analisti Zogaj për “Bota sot”. Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu mbështet idenë e Qoses.  “Ideja e Qoses është ide reale, ide e cila do të rehatonte gjërat në mes të Serbëve dhe Shqiptarëve. Qosja këtë ide e ka hedhur që nga pas lufta dhe nuk është ide e tanishme kjo ide po proklamohet edhe nga kongresmenë amerikanë, ambasadorë. Mendoj që kjo ide do të jetësohet dhe do të jetë e realizueshme shumë shpejtë”, ka deklaruar Kadriu për gazetën “Bota sot”. I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, ne lidhje me akuzat e lëshuara ndaj tij, Rexhep Qosja nuk është përgjigjur./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat