Kërkoi mbi 20 mijë euro ryshfet, masat ndëshkimore kundër zyrtarit të Qeverisë

Politika

Kërkoi mbi 20 mijë euro ryshfet, masat ndëshkimore kundër zyrtarit të Qeverisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 shkurt 2017 Në ora: 09:52
Qeveria e Kosovës

Ditë më parë, Zahir Bajrami, drejtori për Buxhet dhe Financa në zyrën e Kryeministrit të Kosovës është arrestuar së bashku me djalin e tij Ardianin, nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar para për zgjidhjen e një lënde në gjykatë.

I tërë ky rast ka ndodhur kur Elsadat Musliu një shqiptar që jeton në Zvicër ishte zënë nga Policia e Kosovës me një dokument fals dhe i cili pretendon se ka komunikuar me të dyshuarin Bajrami, i cili ka kërkuar ryshfet mbi 20 mijë euro për të liruar nga dënimi i Gjykatës, e cila kishte marr vendim për këtë të fundit tri vite me burg.

Ndërsa, pasi i kishte marr 10 mijë euro Musliu ishte dënuar me dy vite burgim, më pas ai ka kontaktuar sërish me Bajramin për t’ia kthyer shumën e parave që i kishte marrë, por ky i fundit i kishte kërkuar edhe 10 mijë e 800 euro.

Ndërsa, Musliu në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kishin caktuar datën 9 shkurti i 2017-s për t`u takuar në lagjen Veternik të Prishtinës, ndërsa zyrtari i Qeverisë së Kosovës nuk kishte dal për t`i marr këto para, por kishte dërguar djalin e tij Ardiani me ç ‘rast është arrestuar.  Ndërsa, Zahir Bajrami është arrestuar në Fushë Kosovë.

Policia nuk jep detaje 

E kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për arsyen e arrestimit, duke sugjeruar gazetaren që t’i referohet raportit 24 orësh të policisë.

Në raportin e Policisë thuhet se është bërë arrestimi i dy personave, duke mos cekur emrin e të dyshuarave dhe se me vendim të prokurorisë, ata janë dërguar në mbajtje.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, pasi që të njëjtit në bashkëpunim ia kanë marrë viktimës një shumë të konsiderueshme parash me qëllim të heqjes së një dënimi të shqiptuar nga një gjykatë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Qeveria pezulloi Bajramin

Nga Qeveria e Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi, ka njoftuar se ka marrë vendim për pezullimin nga detyra të Zahir Bajramit, drejtor i Zyrës për Buxhet dhe Financa.

Zëdhënësi i Qeverisë Faton Abdullahu, ka cituar për gazetën “Bota sot” se ky vendim do të ketë kohëzgjatje deri në marrjen e vendimit nga Gjykata.

Më tepër, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 “Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson përkushtimin e saj të plotë për të kontribuuar në çdo formë për luftimin e të gjitha dukurive negative, korrupsionit dhe krimit të organizuar , duke respektuar në tërësi të drejtat kushtetuese si dhe në veçanti parimin e prezumimit të pafajësisë”, ka cituar Abdullahu.

Korrupsioni dhe krimi po e "gërryjenë" Kosovën nga viti 2007

Sipas analistit politik Blerim Bujrani, luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit, është një problem i madh.

Ai ka thënë për “Bota sot” se nuk ka as statistika zyrtare se sa janë luftuar këto dukuri negative  dhe se krimi i organizuar ka filluar nga viti 2004.

“Luftimi i korrupsionit është sfidë e madhe, përderisa në Kosovë u zhvillua një kriminalitet i kontrollit të shumëfishtë të bizneseve, kontroll i pasurive publike dhe funksionimit të ndërmarrjeve ekonomike partiake. Korrupsioni mbetet problemi më i madh. Deri më tash nuk ka as statistika zyrtare se sa janë luftuar dukuritë negative. Krimi i organizuar shumëngjyrësh është instaluar nga vitet 2004 dhe ka marr hove nga viti 2007 e deri më sot”, ka thënë Burjani për Bota sot.

Ndryshe, Zahir Bajrami, është pjesë e shërbimit civil në administratën e Zyrës së Kryeministrit që nga data 21 qershor 2004, ndërkaq, pozitën e drejtorit për Buxhet dhe Financa të kësaj Zyre, e mban që nga data 05 prill 2005./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat