Ejupi zëvendëson Gashin që shkoi në AKI

Politika

Ejupi zëvendëson Gashin që shkoi në AKI

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 13:59
Mbledhja e Qeveria se Kosovës

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni propozoi që Lulzim Ejupi të emërohet në postin e sekretarit të përgjithshëm të MPB-së, pasi kjo pozitë ka mbetur pa sekretar prej ditës kur Driton Gashi ishte caktuar drejtor i AKI-së.

Ejupi deri tani mbante postin e drejtorit të  përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil në MPB.

Mirëpo edhe pse ministrat e kabinetit qeveritar nga  radhët e PDK-së, kërkuan që për këtë pozitë të përfillen procedurat e konkursit, Qeveria pa asnjë votë kundër emëroi  Ejupin  për postin e sekretarit. Hyseni tha se për këtë rast, nuk ka nevojë për konkurs.

Hyseni: Në këtë rast nuk ka nevojë për konkurs

“Në këtë rast nuk ka nevojë për konkurs dhe nuk ka nevojë për asnjë procedurë tjetër, sepse flasim për të njëjtin rang dhe të njëjtin procedurë dhe mënyrë të emërimit”, tha ministri Hyseni. 

Ishte zëvendëskryeministri Hajredin  Kuçi dhe ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi kanë kërkuar konkurs për rastin Ejupi, dhe jo drejtpërdrejt pa procedura, edhe pse nuk ishin kundër emërimit të Ejupit.

Mirëpo, këto dilema i ka hequr ministri i MAP, Mahir Yagcilar, duke thënë se ekziston një mundësi e tillë e emërimit pa konkurs, ngase edhe për dy pozita të njëjta ishte vendosur pa konkurs, dhe janë proceduar në Qeveria një vit më parë.

Në mbledhjen e Qeverisë është vlerësuar lartë renditja e Kosovës sa i përket indeksit të lirisë ekonomike. Sipas kësaj, Kosova është renditur në vendin 46 në botë dhe në vendin e 22 në Evropë.

Sa i përket këtij treguesi, kryeministri Isa Mustafa tha se në rajonin e Ballkanit Kosova është renditur në vendin e dytë, dhe kjo sipas tij, është inkurajuese për masat që do të ndërmerren më tej për bizneset dhe të promovohen rezultate, duke krijuar sa më shumë kushte të favorshme për investitorë e huaj.

Mustafa: Vlerësime pozitive dhe për lirinë ekonomike

“Kemi dhe një vlerësim tjetër është fondacioni ‘Heritage’,  ka bërë vlerësimin e renditjes së shteteve sa i përket indeksit te lirisë ekonomike. Sipas kësaj Kosova është renditur  në vendin e  46-të në botë  dhe në vendin e  22-të  ne Evropë, sa i përket këtij treguesi. Në rajonin e Ballkanit jemi renditur në vendin e dyte me ketë tregues. Inkurajoj anëtarët e kabinetit qeveritar,  për masat që mund me tutje t’i ndërmarrin tek bizneset dhe të promovojmë rezultate  dhe të krijojmë sa më shumë kushte për investitorë të jashtëm”, tha ai.

Kryeministri Mustafa po ashtu ka përgëzuar kabinetin qeveritar për mirënjohjen që i është dhënë Qeverisë së Kosovës si më e mira në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë. Ky çmim, sipas tij, është dhënë në ‘Forumin Botëror të Investitorëve 2017’ në Stamboll.

Mustafa: Jemi vlerësuar si vendi më i suksesshëm

“Dëshiroj të përgëzoj Kosovën, qeverinë dhe MTI-në  për mirënjohjen që është dhënë si Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë. Ky çmim na është dhënë në forumin botëror të investitorëve 2017 në Stamboll.  Çmimi është pranuar nga ministrja e Tregtisë Bajrami dhe është prej vlerësimeve me te mëdha që vjen pas një periudhe të angazhimeve të jashtëzakonshme të qeverisë së Kosovës,  për përmirësimin e mjedisit afarist dhe krijimin e politikave te favorshme te ndermarrësisë.  Kjo mirënjohje është marrë në një tubim prej 450 investitorëve nga 54 vende të botës, ku ne jemi vlerësuar si vendi me i suksesshëm dhe më i mirë. Kosova është vlerësuar nga juria ndërkombëtare e forumit si vendi më reformator  sa i përket mbështetjes së  ndërmarrjeve te reja ‘start Up’…Juria  ndërkombëtare k a konstatuar se Kosova ka lehtësuar procedurën burokratike, ka thjeshtësuar sistemin e tatimeve dhe ka ndërtuar një nga regjimet me të ulëta të taksave në Evropë“, tha ai.

Ndër pikat tjera të rendit të ditës, Qeveria po ashtu ka shqyrtuar nismën për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të MASHT dhe organizatës "SPARK",  të Holandës për mbështetjen e Kolegjit ndërkombëtar të biznesit "IBCM", në Mitrovicë.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami duke arsyetuar këtë marrëveshje, tha se MASHT në përpjekje për të vazhduar mbështetjen institucionale tashmë disa vjeçare ndaj kolegjit ndërkombëtare të biznesit IBCM në Mitrovicë për ofrimin e arsimit të lartë nga ky institucion dhe pas krijimit të rrethanave të reja mbi pronësinë: asetet, mjetet dhe funksionet e alokuara nga “SPARK-u”, organizatë kjo holandeze, e cila me mbështetjen e katër ambasadave donatore ka arritur të konsolidoj si institucion të arsimit të lartë edhe kolegji ndërkombëtar i Biznesit IBCM në Mitrovicë i cili është në fazën e fundit për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare, si kusht për ofrimin e arsimit të lartë në regjion dhe më gjerë.

Bajrami tha se për këtë marrëveshje Qeveria ka obligim nga 600 mijë euro në vit, deri në zgjidhjen e përshtatshme të statusit ligjor të IBCM-së dhe krijimit të mundësive tjera alternative për sigurimin e mbështetjes financiar.

Mirëpo, duke parë një kosto goxha të lartë financiare, Qeveria vendosi ta shtyj për mbledhjen e ardhshme këtë projekt, për t’u konsultuar me Zyrën ligjore të Qeverisë për të gjitha modalitetet.

 Bajrami: Qeveria duhet të ndaj 600 mijë euro për çdo vit për kolegjin IBCM

“Kjo marrëveshje ka për qëllim që të zhvillojë, të rris kapacitetet dhe ta mbështes veprimtarinë e IBCM, si një kolegj evropian shumë etnik në Mitrovicë, i cili synon që të nxjerr gjenerata profesionistësh të cilët do të lehtësojnë zhvillimin e biznesit në regjionin e Mitrovicës dhe të bashkëpunoj me të gjitha komunitetet. Ky kolegj pritet ta rrisë mundësinë e punësimit përmes programeve studimore me fokus kryesor në praktikën dhe shkathtësitë si dhe për të lehtësuarve të diplomuarve nisjen e ndërmarrjeve të tyre private. Për arsye të ofrimit të organizmit të arsimit për të gjitha komunitetet e regjionit në bashkëpunim me Zyrën e kryeministrit dhe në konsultim me ministrin e Financave jemi dakorduar për sigurimin e përkohshëm disa vjeçare për pesë vjet në vlerë të buxhetit prej 600 mijë euro për vit”, tha ministri Bajrami.

Po ashtu ai tha se Qeveria e Kosovës ka obligim ndaj këtij institucioni, sepse është bashkë financues, ngase ish- ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka iniciuar këtë projekt. Bajrami tha se për këtë model do të gjendet modeli i partneritetit publiko privat.

 Sipas tij, për këtë kolegj janë dy objekte, një në veri dhe një në pjesën jugore të Mitrovicës që janë ndërtuar me donacione nga donatorët.

Pas aprovimit që pritet të ndodhë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, ky rekomandim do t’i shkojë presidentit të Kosovës për nënshkrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat