Rreziku serb, asociacioni rrezikon ta bosnjëzon Kosovën

Politika

Rreziku serb, asociacioni rrezikon ta bosnjëzon Kosovën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 shkurt 2017 Në ora: 14:43
Pamje nga Prishtina

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe mes Kosovës dhe Serbisë në gusht 2015, ajo është kundërshtuar vazhdimisht në Kosovë.

Më të zëshmet ishin partitë opozitare, të cilat madje bojkotuan edhe seancat e Kuvendit të Kosovës për shkak të kësaj marrëveshje dhe asaj të Demarkacionit.

Lidhur me këtë marrëveshje, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kishte konstatuar se disa pjesë të marrëveshjes së fundit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS) e nënshkruar më 25 gusht të këtij viti nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, por i ka lënë dorë të lirë Qeverisë së Kosovës që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të parimeve të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013.

Ndërsa, serbët tani kanë paralajmëruar se gjatë muajit shkurt do të formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Gazeta “Bota sot” ka realizuar një sondazh me pyetjen se “Asociacioni i Komunave serbe, a rrezikon të shndërrohet si Republika Srpska në Bosnje?, nga i cili 38895 apo 97.4 për qind e lexuesve kanë pohuar se Asociacioni bosnjëzon Kosovën. Ndërsa, 1022 apo 2.6 për qind lexues të tjerë, kanë thënë se ai nuk rrezikon Kosovën.

LDK: Asociacioni dhe Republika Srpska, modele të ndryshme

Lidhur me këtë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk mund të krahasohen Asociacioni dhe Republika Srpska në Bosnjë, pasi janë dy modele të ndryshme.

“Mendimi im është se nuk mund të krahasohen këto dy çështje, sepse Republika Srpska ka kompetenca në federatë dhe atje është problemi më i madh jo të drejtat e qytetarëve, qofshin ata boshnjakë, serbë apo kroatë dhe në raport me komunat që ata i kanë. Problemi më i madh tek Bosnja është mosfunksionimi i federatës për shkak të sistemit që e kanë ndërtuar dhe e drejta e secilit komunitet, pra këtu nuk kemi të bëjmë me diçka të ngjashme në Kosovë, pra asociacioni i jep një mundësi komunave me shumicë serbe që ato të bashkëpunojnë në fushat ku ato janë përgjegjëse në drejtimin që t’i ofrohen shërbime më të mira për qytetarët. Andaj nuk janë modele të ngjashme dhe nuk mund të krahasohen këto dy çështje”, është shprehur Ferati.

PDK: Qeveria nuk lejon një Asociacion antikushtetues

Ndërsa, deputeti nga radhët e PDK-së, Bislim Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se bosnjëzimi nuk mund të ndodh në Kosovë dhe se as Qeveria e as vetë ai si deputet, nuk do të mundësonte një gjë të tillë.

“Mendimi im është se kjo nuk mund të ndodh në Kosovë, sepse tashmë e kemi parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sigurisht se edhe po të mos ishte ai vendim me siguri që Qeveria e Kosovës nuk do të pranonte të formohej një asociacion çfarë kërkojnë serbët, por sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Prandaj, nuk dyshoj se organet e Republikës së Kosovës do të pranojnë një asociacion i cili do të prekte rendin kushtetues të Kosovës. Mendimi im është i qartë dhe i sigurtë se institucionet dhe as unë si deputet nuk do të pranoja assesi që të ketë kompetenca më të mëdha se sa që duhet, andaj nuk besoj se institucionet do të lejojnë të ndodh sikur që ka ndodhur në Bosnje”, ka deklaruar Zogaj.

Vetëvendosje: Asociacioni bosnjëzon Kosovën

E Lëvizja Vetëvendosje mendon se Asociacioni ka për qëllim bosnjëzimin e Kosovës, sepse kështu kishte filluar edhe në Bosnjë.

“Ne e kemi theksuar edhe më herët që “Zajednica” është një projekt me qëllime shoviniste nga ana e Serbisë i cili e ka për qëllim copëtimin ose bosnjëzimin e Kosovës. Nëse e shikojmë historikisht ajo çfarë ka ndodhur në Bosnjë në njëfarë mënyre është pasqyrë që këta duan ta aplikojnë edhe në Kosovë. Pra, edhe atje kështu ka filluar me themelimin e disa komunave të reja e mandej me asociacion që më pas e ka shtrirë veprimtarinë dhe në fund e kanë arritur qëllimin që ta copëtojnë Bosnjën. Ne vazhdojmë t’a kundërshtojmë me çdo formë një projekt të tillë, sepse përparim i tij e minimizon shtetësinë deri në ndarjen përfundimtare të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi për media i VV-së, Shkodran Hoti.

AAK: Asociacioni, pazar i bisedimeve në Bruksel

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se Asociacioni do të lejohet vetëm sipas ligjit për OJQ dhe për këtë duhet të veprojë Qeveria.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe prej kur është marrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka treguar se ky asociacion bie ndesh me Kushtetutën dhe shumë pak çka diskutohet në këtë drejtim. Gjithë ato të këqijat çka kanë mundur t’i ndodhin vendit, i kanë bërë dhe tani Qeveria duhet të ulet e të mendojë në interes të vendit dhe të bëjë asociacionin, por jo asociacion tjetër, mirëpo vetëm si është ligji për OJQ. Pra, asociacioni i komunave serbe që është aktual dhe që nuk e ndalon që të ketë edhe komuna serbe”, ka thënë ajo për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Haxhiu thotë se Asociacioni mund të jetë pazar i bisedimeve në Bruksel, por nëse vërtetë është ashtu, Qeveria duhet të jap përgjegjësi para deputetëve dhe qytetarëve.

“Se çka do të ndodhte, mendoj se prej atij vendimi pra kjo është krejt e hedhur për neve si qytetarë dhe deputetë të opozitës e shumë prej atyre të pozitës, dhe mbi të gjitha për nënshkrimet e mbi 205 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë pasur rastin ta nënshkruajnë. Në këtë rast, Qeveria konform detyrave që i ka po të vepronte duhur, do të duhej të reflektonte për Asociacionin por edhe demarkacionin, por nëse ndodh që ata kanë bërë pazare siç dijnë të bëjnë, atëherë do të ndëshkohen nga deputetët në Kuvend dhe qytetarët e vendit. Nuk përjashtoj mundësinë si deputete e pazareve që mund të bëjnë gjatë bisedimeve që po i bëjnë në Bruksel dhe nëse vërtetë kanë bërë pazare në Bruksel ata do të duhej të jenë transparent para deputetëve dhe qytetarëve se çfarë pazaresh kanë bërë sikurse po tentojnë ta sjellin edhe demarkacionin. Të gjitha këto të bëma të kësaj qeverie do të kulmojnë kur do të provojnë ta sjellin në Kuvend Demarkacionin dhe Asociacionin. Asociacioni duhet të jetë vetëm si asociacion konform ligjit për OJQ, ajo do të ishte mundësia e vetme dhe pa asnjë Pazar”, ka thënë deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat