Lufta për “peshqit e mëdhenj” me “grep të ligë”!

Politika

Lufta për “peshqit e mëdhenj” me “grep të ligë”!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 shkurt 2017 Në ora: 10:18
ilustrim

Kosova vazhdon të ballafaqohet me nivel të lartë të korrupsionit. Sipas Instituti Demokratik të Kosovës,  Kosova renditet në vendin e 95 nga 176 vende të botës sa i përket korrupsionit.

Ndërsa, aktakuza për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, kanë filluar të ngrihen sidomos ditëve të fundit.

Ngritja e aktakuzës kundër deputetit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Shukri Buja, nën akuzën për korrupsion gjatë kohës sa ka qenë kryetar i komunës së Lipjani, deputetit të AAK-së, Pal Lekaj për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” gjatë kohës sa drejtonte komunën e Gjakovës dhe zyrtarëve  tjerë, janë disa paralajmërime që po vjen moment i arrestimit  të “peshqve” të mëdhenj.

Mirëpo,  sipas njohësve të  drejtësisë, vetëm me ngritjen e aktakuzave nuk luftohet korrupsioni.

Sipas tyre janë “peshqit e mëdhenj” që qëndrojnë në pozita të larta.

Drejtësia e ndikuar nga politika

Njohësi i  punës së organeve të rendit dhe drejtësisë, Armend Halimi, thotë se edhe organet e rendit dhe drejtësisë janë të ndikuar politikisht.

Sipas Halimit pasi që ende nuk ka rezultate për “peshqit e mëdhenj” gjitha këto bëhen sa për të thënë se janë duke bërë diçka.

“Misioni evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, qysh me marrjen e mandatit pati paralajmëruar  se janë  në hetim të dhjetëra persona të  nivelit të lartë të dyshuar për korrupsion,  apo siç i patën quajtur 'peshqit e mëdhenj', ndërsa mungesa e rezultateve  të pritshme i bie sikur të kenë  hyrë në peshkim me 'grep të ligë'. E gjithë,  kjo lë të kuptohet sado që organet e rendit dhe drejtësisë janë pushtet i ndarë, megjithatë janë të ndikuar nga politika, ngase peshqit e mëdhenj janë pikërisht njerëz të mëdhenj në politikë, të cilët i duhen proceseve politike për të realizuar me lehtësisht, ngase i mbajnë të shantazhuar” pohon Halimi.

Halimi dyshon se janë raste të incizuara sa për të thënë se janë duke bërë diçka.

“Andaj, rastet aty këtu që inicon ky institucion dyshoj që janë sa për të thënë se po bëhet diçka, e qe mund të jetë edhe më e keqja, që këto raste të jenë ndikuar me motive politike. Përndryshe, shpresoj shumë që të vjen momenti që vërtetë  të kapen peshqit e mëdhenj” shprehet Halimi.

Ai pohon se deri më tani qytetarët janë zhgënjyer nga sistemi i drejtësisë.

“ Deri sot qytetarët e vendit janë zhgënjyer nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht selektimi i rasteve që ka bërë ky sistem. Që nga pas lufta, Kosova përballet me dukurinë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dukuri e dëshmuar lehtësisht për nga kapitali që kanë krijuar personalitete të larta në vend, kryesisht të politikës. Për më tepër, kjo formë e kriminalitetit të rëndë ka futë rrënjët thellë nga mospengimi i saj, apo aq me pak luftimi. E gjithë  kjo periudhë u ka shkuar në favor figurave të tilla, duke u dhënë hapësirë kamuflimi, përkatësisht kalimin e kapitalit të inkriminuar tek njerëz jashta politikës, por të ndërlidhur me ta,  siç është kalimi i një pjesë kapitali në emër  të  bizneseve të ndryshme, me motive shpërlarje parash” thekson Halimi.

Sipas Halimit, institucionet nuk kanë bërë asgjë për të parandaluar dhe për ta luftuar korrupsionin.

“Me një fjalë,  duke qenë  kështu, institucionet e shtetit nuk kanë bërë asgjë, apo fare pak në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, përkundër mekanizmave të bollshëm të krjiuar enkas për këtë  problematik,  deri tek niveli presidencial që ekziston këshilli kombëtar kundër korrupsionit  dhe përkundër ligjeve të mjaftushme,  sado që  këtë dukuri e kanë arsyetuar me mungesë  të dokumenteve konkrete, siç  është ligji anti-mafia,  apo ligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepra penale, e që realishtë vetë  Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale janë  të mjaftushëm për të treguar vullnet për çrrënjosjen e kësaj dukurie, pa shtuar ligjin për deklarimin e pasurisë, pastaj atë  të shërbyesëve civil, pastaj të vetëqeverisjes lokale  ku sipas këtyre  të fundit, për çdo shërbyes civil ndaj të cilit zhvillohet hetim penal, bie barra në kryetarin e komunës për shkarkim të zyrtarit në fjalë, apo për dyshim ndaj kryetarëve, bie barra në kryeministrin për shkarkim të kryetarit të komunes së caktuar, gjë  që  në  të  vërtetë  e bën të  pa rëndësishëm ligjin që  po flitet të nxjerret se fundmi, atë  për shkarkim të  zyrtarëve  që janë  të dyshuar, përderi sa vetë  baza ligjore ekzistuese është  e mjaftushme” shprehet Halimi.

Sipas Halimit,  të pritet që të luftohet korrupsioni e ka vetëm një logjikë.

“Por sigurisht, dështimi në  këtë  problematik ka vetëm një logjik, të pritet të luftohet korrupsioni nga njerëzit e korruptuar i bie sikur të iu kërkohet të bëjnë vetëvrasje, apo të pështyjë  njeriu në  pasqyrë  para së  cilës gjendet vetëm ai që  pështyn!” pohon Halimi.

Sistem i brishtë i drejtësisë

Ndërsa, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) rezultatet e luftës kundër korrupsionit në Kosovë janë të pakta.

Sipas KDI-së, sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk i trajton rastet e korrupsionit të nivelit të madh.

“Rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë të pakta tek ne. Nga përvoja e kemi të njohur se sistemi ynë i drejtësisë nuk i trajton rastet e korrupsionit të nivelit të madh. Këtë mund të dëshmojmë me numrin e vogël të rasteve të zyrtarëve të lartë publik apo lider të lartë politik të ndëshkuar për afera korruptive” pohon Fjolla Uka, hulumtuese në KDI.

Sipas Ukës, problemi kryesor për rezultatet në luftën kundër korrupsionit mbetet sistemi i brishtë i drejtësisë.

“Problem kryesor për mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit mbetet sistemi i brishtë i drejtësisë. Mungesa e guximit si dhe politizimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve bënë që vendimet përfundimtare për këto raste të mungojnë” shprehet Uka.

Ajo pohon se këto rezultate jo të mira e pamundësojnë ekonominë, punësimin por liberalizimin.

“Edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, vazhdimisht, lufta kundër korrupsionit vlerësohet e ulët dhe kjo si pasojë e sistemit të brishtë të drejtësisë. Këto rezultate jo të mira po na pamundësojnë zhvillimin ekonomik, punësimin por edhe liberalizimin” deklaron Uka.

Korrupsioni mbetet retorikë

Kurse, Gersi Gashi, nga Lëvizja FOL thotë se vetëm ngritja e aktakuzave nuk paraqet luftë ndaj korrupsionit.

Sipas Gashi, ekzistojnë njerëz që edhe janë dënuar por përsëri janë në pozita të larta.

“Vetëm ngritja e aktakuzave nuk paraqet luftë ndaj korrupsionit. Nuk është hera e parë që po ngritën aktakuza, që po gjykohen, apo edhe që po përflitet për arrestim të personave në pozita të larta. Ne kemi kryetarin e komunës të Prizrenit, i cili është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, dhe ende vazhdon të ushtrojë funksionin e kryetarit. Kemi edhe raste tjera kur janë gjykuar persona të profilit të lartë, por ende nuk ka pasur ndonjë rast kur është marrë ndonjë vendim që tregon seriozitetin e luftës ndaj korrupsionit” shprehet Gashi.

Ai thotë se përderisa nuk ka ndëshkime serioze atëherë korrupsioni mbetet retorikë.

“Përderisa nuk kemi ndëshkime serioze ndaj personave të profilit të lartë të akuzuar për korrupsion, lufta ndaj korrupsionit do të vazhdon të mbetet retorikë” pohon Gashi.

Numri i zyrtarëve  komunalë dhe institucionalë që janë nën hetime është 256. Këtu përfshihen 17 kryetarë të komunave, ministra, zëvendësministra, sekretarë të përgjithshëm, kryeshef ekzekutiv, drejtorë të drejtorive të komunave, drejtorë të ndërmarrjeve publike./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat