Urrejtja ndaj Isa Mustafës, Vuçiç i del në "ndihmë" Kadri Veselit

Politika

Urrejtja ndaj Isa Mustafës, Vuçiç i del në "ndihmë" Kadri Veselit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 shkurt 2017 Në ora: 13:42
Isa Mustafa, Kadri Veseli

Ditë më parë kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka komentuar zhvillimet në Kosovë duke thënë se skena e politikës në Kosovë është duke ndryshuar.

Vuçiq, i cili është edhe kandidat për President të Serbisë ka folur edhe për Isa Mustafën dhe Kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se Isa Mustafa është duke u dobësuar, ndërkohë që kryeparlamentari Veseli po fuqizohet.

“Isa Mustafa e ka humbur rolin e tij, kurse Kadri Veseli po rritet dhe fuqizohet, e kjo, është keq për Serbinë”, është shprehur Vuçiq.

Por, deklaratat e kryeministrit serb, sipas analistëve, i shkojnë për së shtati vetëm Kadri Veselit, i cili synon postin e kryeministrit.

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islamit, i ka thënë gazetës “Bota sot”, se qëllimi kryesor i duos politike Thaçi dhe Veseli është që ta arrijnë cakun, që njëri të bëhet president dhe tjetri kryeministër.

“Veseli synon postin e kryeministrit”

“Si duket ky qëllim është duke u realizuar për shkak se strukturat e SHIK-ut të cilat që nga viti 99 dhe ende vazhdojnë ta kontrollojnë Kosovën, kanë arritur të futen në parlamentin e Kosovës dhe të kenë gjitha pikat kryesore, pra katër shtyllat kryesore të shtetit nën kontroll”, ka thënë Islami.

Tutje, ai ka theksuar se Veseli edhe mund të marrë postin e kryeminsitrit në zgjedhjet e ardhshme, e për këtë ai jep disa arsye.

“Kadri Veseli është duke kapur majën e shtetit dhe jam shumë i bindur që nëse shkon ky trend dhe vijmë deri tek zgjedhjet brenda këtij vendi dhe nëse opozita nuk forcohet dhe nëse LDK-ja nuk reformohet dhe nuk fillon të këndellet, ka shumë gjasa që Kadri Veseli të fitojë në zgjedhje dhe të bëhet kryeministër, sepse besoj që VV-ja do të bëjë përafrime me PDK-në, pasi objektivat e tyre janë të përbashkëta, të dyja kanë orientim të majtë politik dhe kjo do ta dëmtojë shumë Kosovën”, është shprehur ai.

Poashtu, Islami mendon se deklarata e Vuçiqit i përshtatet PDK-së, pasi ajo e ka implikuar Serbinë në Kosovë dhe ajo është shpesh edhe vendimtare në politikën e Kosovës.

“Deklarata e Vuçiqit i ndihmon Kadri Veselit. Politika e PDK-së i ka shkuar për shtati politikave të Beogradit, sikur marrëveshjet e arritura për asociacionin dhe dialogu, kjo është meritë e Thaçit e Veselit. Që nga vitit 1999 kur është bërë ndarja e Mitrovicës, këta gjithmonë janë implikuar në këto ngjarje dhe vetë dialogu me Serbinë tregon që këta për interesa të veta të ngushta kanë hyrë në këtë dialog dhe e shohin si përparësi nëse Veseli bëhet kryeministër. Serbia pothuajse është determinuese në politikën e Kosovës, që nga paslufta, pas ardhjes së PDK-së në pushtet dhe ata vet po e sjellin Serbinë brenda Kosovës dhe janë duke e sjellë çdo ditë e më shumë”, ka thënë tutje Islami, teksa ka e ka quajtur ndërhyrje në politikat e brendshme të Kosovës, deklaratën e Vuçiqit.

Shpresat tek vizioni i LDK-së

 Por, sipas tij, për qëllime të tij karrieriste Veselit nuk i prish punë, edhe përkundër që ne i kemi armiq shekullor Serbinë.

“Por shpresoj dhe besoj që vizioni i LDK-së do të ndryshojë për të mirën e vendit dhe do të ketë zgjedhje brenda LDK-së që të dihet cilat figura kanë kontribuuar që 25 vite, që Kosova të ketë një shtet me sovranitet dhe jo të bëhet marionetë e PDK-së dhe SHIK-ut”, ka deklaruar Islami për “Bota sot”.

‘Fluskat’ politike të Serbisë

Ndërsa, njohësi i çështjeve aktuale në vend, Riza Smaka, ka thënë për gazetën Bota sot se deklarata e kryeministrit serb është për synime politike të shtetit serb.

“Në parim, deklarata e tillë e Vuçiqit nuk mund të trajtohet si ndërhyrje në punët interne të shtetit tonë, nga se kryesisht është e karakterit valorizues e politikë spekulative. Ndryshe, edhe deklarata e tillë nuk është e tipit AdHoc, por e kalkuluar mirë për synime politike të shtetit serb që së paku, në opinionin politik të vendit tonë të lansojë fluska politike të caktuara”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Tutje, Smaka ka shtuar se as Mustafa e as Veseli nuk mund të apostrofohet si më i mirë apo i dobët.

“Sikundër Kuvendi, ashtu edhe Qeveria e vendit tonë deri tani, as për së afërmi nuk i kanë plotësuar objektivat e programuara e andaj nuk ka aspak vend që të apostrofohet afirmativisht njëri e tjetri të subordinohet si më i dobët. Aq më pak kur për të dytë, z.Kadri Veseli, sikundër z.Isa Mustafa janë evidentuar për lëshime e dështime jo të pakta të funksionimit të Legjislativit, përkatësisht ekzekutivit”, është shprehur Smaka për Bota sot.

Deklaratat e Vuçiqit, nga urrejta ndaj Isa Mustafës si kryeministër

E sipas analistit Ali Hertica, Serbia çdoherë ka pasur qëllim që ta destabilizojë Kosovën.

“Duke u nisur nga historiku i dy vendeve Kosovë dhe Serbi, dihet botërisht se Serbia ka qenë çdoherë agresori i shqiptarëve dhe me çdo mënyrë dëshiron ta destabilizojë Kosovën në çdo formë që ju ofrohet. Thënia e Vuçiqit se kinse kryeparlamentari i Kosovës është duke u fuqizuar, vjen nga urrejtja ndaj Isa Mustafës si kryeministër i vendit. Tani Vuçiq, ish-avokati i regjimit millosheviqian ku i mbronte krimet e tyre në sy të faktorit ndërkombëtar, del si një demokrat i cili pretendon të luaj rolin konstruktiv për demokracinë serbe”, ka thënë Hertica.

Tutje, ai ka shtuar se megjithatë mundin për përçarje mes liderëve, Vuçiq nuk do t’ia arrijë qëllimit.

“Loja e tij që të fus urrejtje ndaj liderëve nuk do të ketë sukses dhe liderët e Kosovës i kanë të njohura lojërat e tyre serbo sllave. Edhe kryeministri edhe kryeparlamentari janë të fuqizuar në skenën politike dhe që të dy janë duke marrë vendime madhore për Kosovën, sepse kjo u vërtetua me rrëzimin e murit. Pretendimi i Vuçiqit për t’i hasmuar dy liderët nuk është ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kosovës, por një lloj politike kur nuk i shkon përshtati Vuçiqit”, ka deklaruar Hertica për Bota sot./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat