Lufta speciale e ministrit Hoxhaj për Demarkacionin e Asociacionin

Politika

Lufta speciale e ministrit Hoxhaj për Demarkacionin e Asociacionin

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 shkurt 2017 Në ora: 08:36
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj

"Ministri i PJ të Kosovës, po e shfrytëzon dhe po bën luftë speciale për qëllime të kësaj qeverie dhe po hedhin mjegull me qëllim që të heshtet dhe të miratohet Demarkacioni, të formohet Asociacioni i Komunave serbe, të harrohet dhe mjgullohet rasti “Pront”, rasti i Astrit Deharit e shumë dështimeve të kësaj qeverie", ka thënë Tërnava.  

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, së fundmi ka deklaruar se është shqetësuese deklarata e kryeministrit serb, për armët dhe aeroplanët që ka blerë ky shtet.

Ai këtë çështje e ka ngritur ditë më parë derisa ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme.

Gazeta “Bota sot” ka pritur ditë të tëra për një përgjigje nga ministria që ai drejton, për të parë se çfarë masash po ndërmerren për t`u mbrojtur nga këto kërcënime, por, MPJ nuk është përgjigjur.

Por, në rrethin politik po komentohet se deklarata e Ministrit Hoxhaj, ka rënë në kundërshtim me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të  NATO-s , i cili gjatë vizitës në Kosovë, siguroi institucionet e Kosovës dhe qytetarët se forca e KFOR-it do të mbetet në Kosovë për të siguruar një mjedis të qetë e paqësor.  “NATO është në Kosovë. NATO e ka forcën e vet, KFOR-in këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë”, ka thënë Stoltenberg.

Kosova vazhdimisht e rrezikuar?

Faton Topalli, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Qeveria e Kosovës do të duhej ta kishte parasysh kërcënimin e vazhdueshëm të Serbisë.   “Kosova është vazhdimisht e rrezikuar nga Serbia. Ajo vazhdon të mbaj qëndrim armiqësor ndaj vendit tonë dhe këtë e ka deklaruar dhe shfaqur shumë herë në praktikë. Qeveria e Kosovës do të duhej ta kishte parasysh këtë qëndrim. Republika e Serbisë ka trashëguar një pjesë të armatimit të ish Jugosllavisë. Ajo po vazhdon të armatoset edhe më tutje, sepse ka qëllime ekspanzioniste ndaj Kosovës. Ajo nuk e ka pranuar realitetin e ri dhe vazhdon ta konsideroj Kosovën pjesë të sajë”, ka thënë Topalli.   Sipas tij, logjikisht, kjo të çon në përfundimin që Serbia po përgatitet për të realizuar një qëllim të tillë kurdo që i vjen momenti i duhur.  “Pyetja, që ne do të duhej të shtronim është, çfarë po bën Qeveria e Kosovës për t’iu përgjigjur një rreziku të tillë? Kjo pyetje duhet t’i shtrohet Qeverisë. Unë mendoj, që nuk është duke bërë asgjë. Qeveria ashtu si i a ka lënë gjyqësinë të huajve, ashtu si e sheh zhvillimin ekonomik vetëm përmes investimeve të huaja ashtu e trajton edhe problemin e mbrojtjes. Unë do ta merrja seriozisht çështjen e mbrojtjes. Nuk mjafton të themi si ministra, jemi në rrezik“ dhe në të njëjtën kohë t’i injorojmë në praktikë rreziqet”, ka nënvizuar ai.

Tre veprimet që duhet të bëjë Qeveria

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka përmendur hapat që duhet t`i ndërmarr Qeveria për ta parandaluar rrezikun që i kanoset nga Serbia.  “Çështja e armatosjes së shtetit serb është një fakt tashmë i ditur. Shqetësime për armët që Serbia i ka blerë apo si dhuratë i ka marrë nga Rusia ka shprehur edhe NATO. Ka edhe shtete që kanë informuar për armët e shtetit serb.  Kjo gjendje kërkon nga Kosova që të punohet në disa drejtime: 1. Urgjentisht të krijohen FAK; 2. Konform gjendjes këto forca të armatosen dhe 3. Të kërkohet nga NATO,  SHBA, UE etj, të veprojnë në drejtim të ndaljes së shtetit serb nga kërcënimet. Derisa, deklarata e Enver Hoxhaj, nuk është gjë tjetër, vec mjet i paaftësisë se qeverisë së Kosovës”, është shprehur Muhamet Kelmendi.  Ai ka potencuar, se Qeveria nuk ka zgjidhur asnjë problem jetik të shtetit. “ Demarkacioni dhe Asociacioni janë probleme të mëdha. Kosova nuk ja ushtri te veten. Vendi po ndahet dhe po copëtohet. Rasti "Pronto",  tregon kapjen e shtetit,  prej nga kemi edhe rastin e Deharit, po duke mos e lënë anash as gjendjen e rëndë ekonomike të masave të gjera. Këto Enver Hoxhaj i di”, ka thënë ai.  Tërë kjo, sipas Muhamet Kelmendit, paraqet rrezikun permanent të shtetit  nga Serbia, ndërsa  deklarata e  Hoxhajt, kishte dhe ka vetëm karakter propagandistik.   “Kush e ka ndaluar Qeverinë nga zgjidhja e problemeve që i ka vendi? Askush. Pse po vjedhin? Pse nuk e zgjidhen çështjen e Demarkacionit? Po rasti "Pronto" e i " Deharit" ku janë? Thjeshtë kemi të bëjmë e me një Qeveri burokratike dhe tejet të dëmshme. E çka të thuhet për rastin e z. Ramush Haradinaj? Cilat veprime i ndërmori z. Hoxhaj? Ku është reciprociteti me shtetin serb?”, ka pyetur Kelmendi.

Alarmi i Hoxhajt të shoqërohet me veprime konkrete

Ndërkaq, Mentor Tahiri, Politolog dhe njohës i rrethanave politiko-ushtarake, ka thënë, se viteve të fundit dhe sidomos me konsolidimin e pushtetit në Serbi nga ana e kryeministrit aktual Vuçiq, është rritur vëllimi i bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, si dhe ndërmjet Serbisë dhe Bjellorusisë.  “Duhet rikujtuar që këto tre shtete, vitin e kaluar mbajtën ushtrimet manovruese ushtarake të emëruara si “Vëllazëria sllave”. Përveç furnizimit me teknologji moderne ushtarake nga ana e Rusisë, gjatë këtij viti ka edhe një marrëveshje të re konkrete serbo-bjelloruse për bashkëpunim ushtarak, të cilën Parlamenti Bjellorus tanimë e ka ratifikuar. E gjitha kjo po thellon disproporcionin ndërmjet fuqisë ushtarake serbe dhe potencialeve mbrojtëse që ka Kosova, shifra këto as që janë të krahasueshme si në planin e armatimit ashtu edhe të trupave, pa llogaritur këtu praninë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë”, ka potencuar ai.  Sipas Tahirit, Kosova nuk po arrin  të gjej modalitete për ta krijuar ushtrinë dhe me këtë, nuk po i percepton qartë  rrethanat politike dhe ushtarake në botë. “Serbia ka mbi 52 mijë ushtarë aktiv, kurse nëse këtij numri i shtohet edhe forca rezerve atëherë arrin në mbi 220 mijë trupa, gjithashtu ka Xhandarmërinë, një forcën gjysmë-ushtarake me funksione policore. Serbia në vit, vetëm për nevoja të ushtrisë ndan gati 800 milion euro nga buxheti i saj shtetëror, e që i afrohet në 40% buxhetit të tërësishëm që ka Shteti i Kosovës. Këta janë numra vërtetë alarmues, ngase shpërfaqin synimet e Serbisë për të mbajtur potenciale të larta ushtarake. Në anën tjetër Kosova nuk po arrin të gjejë modalitete për të krijuar Ushtrinë, që është tregues i mosperceptimit të qartë të rrethanave politiko-ushtarake në regjion dhe botë”, ka shpjeguar Tahiri.  Në këtë drejtim, ai ka thënë se, deklarata e Ministrit Hoxhaj duhet kuptuar si një qasje alarmuese me vend dhe e njëjta duhet të shfrytëzohet drejt marrjes së vendimit për të krijuar Ushtrinë e Kosovës.   “Në vend të kësaj, kam frikë se liderët institucional të Kosovës, më parë janë të prirë që të merren me spektakle mediatike sikurse ai me intervenimin e policisë speciale lidhur me trenin propagandues serb. Përgjithësisht ka një retorikë e cila po i vë në plan të dytë të gjitha problemet brenda në Kosovë, vetë retorika ka këtë funksion dhe është nënçmuese për qytetarët në vend. Në anën tjetër jo vetëm që veprimet konkrete drejt sigurisë kombëtare janë lënë anash, por kapacitetet mbrojtëse, ato të sigurisë dhe inteligjencës, ende po shërbejnë për akomodime individuale dhe meritokraci të bazuar sipas klaneve partiako-politike”, ka nënvizuar ai.

Deklaratat për luftë, krijojnë mjegull

Ndërkaq, Hajrullah Tërnava njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Serbia gjithnjë do të ketë pretendime ndaj Kosovës dhe kjo që e ka thënë Ministri Hoxhaj nuk është ndonjë zbulim që meriton vëmendje, pasi, sic ka theksuar Tërnava, luftërat nuk ri përsëriten sa herë t`iu teket serbëve. “Serbët e kanë të qartë, se kufijtë e Kosovës janë të garantuar nga KFOR-i dhe NATO. Edhe riarmatimi  më modern i Serbisë nuk e ka forcën të ballafaqohet me KFOR-in dhe NATO-n. Ende janë të freskëta kujtimet e pësimit fatal të Serbisë në luftën e 1999, kur pësuan tërësisht dhe u detyruan si humbës të tërhiqen nga Kosova”, ka thënë Tërnava.  Andaj, Tërnava ka thënë se Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, me deklaratat e tij, po hedh mjegull, me qëllim që të heshtet dhe të miratohet Demarkacioni dhe Asociacioni, por edhe rastet e tjera siç janë, afera “Pronto” dhe vdekja e Astrit Deharit.  “Të gjithë ne si popullatë jemi të  shqetësuar për armatimin e ushtrisë Serbe kohëve të fundit, por Ministri i PJ të Kosovës,  po e shfrytëzon dhe po bën luftë speciale për qëllime të kësaj qeverie dhe po hedhin mjegull me qëllim që të  heshtet dhe të miratohet demarkacioni, të formohet Asociacioni i Komunave serbe, të harrohet dhe mjgullohet rasti “Pront”o, rasti i Astrit Deharit e shumë dështimeve të kësaj qeverie”, ka thënë ai.  Si përfundim, Tërnava ka theksuar se, të gjitha këto lëvizje dhe shqetësime të politikanëve që e udhëheqin shtetin  kanë edhe lidhje me Gjykatën Speciale, e cili do të filloj të funksionoj prej muajve në vijim.  Disa prej këtyre politikanëve siç dihet janë objekte të hulumtimeve dhe priten të dalin para kësaj gjykate. Prandaj, thirrjet e Ministrit të PJ janë të kuptueshme dhe shqetësuese, më së shumti për vet ata politikanë  që duhet të japin llogari para kësaj”, ka potencuar Tërnava./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat