"Kërcënimi" i UP-së nga ISIS-i, zbulohet kush mund t'a ketë shkruar letrën

Politika

"Kërcënimi" i UP-së nga ISIS-i, zbulohet kush mund t'a ketë shkruar letrën

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 shkurt 2017 Në ora: 10:02
Kampusi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

“Është e mundur që kjo letër është e shkruar që ta arrijë efektin më të fortë për qëllimet sikur i ceka nga dikush prej studentëve, mbasi është si trend tani çështja e ISIS-it”, ka thënë Tërnava

Deri sa Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po bëhej gati që të shënojë dyzetë e katër (45) -vjetorin e themelimit e tij, në hapësirat e Fakultetit Filozofik, përkatësisht në Sallën e Kuqe,  është gjetur një letër kërcënuese e nënshkruar me akronimet e organizatës terroriste Shteti Islamik.

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, ka konfirmuar për mediat se arsyeja e mosmbajtjes së ceremonisë në Fakultetin Filologjik është kërcënimi që kanë marrë përmes një letre në emër të "Shtetit Islamik".

“Do t’ju sulmojmë me datën 15.02 (shkurt) dhe shihemi te Zoti", shkruante letra e lënë në sallën ku planifikohej të mbahej ceremonia, ka treguar Hoti.

Por, ai ka theksuar se letrën nuk mund ta bëjë publike pasi ajo i është dorëzuar Policisë.

Lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota Sot” ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për informata me të hollësishme. Në përgjigjen e Policisë së Kosovës thuhet se me datën 10.02.2017 rreth orës 19:00  është raportuar se në objektin e Fakultetit Filozofik se është gjetur një letër e formatit A4 me një përmbajtje kërcënuese.

Policia ka intervistuar disa të dyshuar, "rasti nuk ishte serioz"

“Njësite policore i janë përgjigjurmenjëherë thirrjes dhe kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë  gjetur letrën në një tavolinë në objektin e Fakultetit Filozofik, e cila kishte përmbajtje kërcënuese se ISIS me datë 15.02 do ta sulmojë fakultetin”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Po ashtu, zyrtarët të Policisë së Kosovës kanë thënë se në vend të ngjarjes ka dal edhe njësia kundër terrorizmit dhe njësi tjera relevante si dhe është njoftuar prokurori kompetent.?

“Njësitet relevante së bashku me njësitet e antiterrorist kanë shikuar kamerat e sigurisë dhe në fund janë marr edhe xhirimet e kamerave të sigurisë.

Policia e Kosovës ka marrë të gjithat masat e nevojshme policore për hetim dhe ndriçim të rastit, ku ka intervistuar person/a lidhur me rastin, për të cilin rast hetimet janë duke vazhduar edhe pse rasti nuk ka rezultuar me kërcënim serioz”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për “Bota sot”.

Islami: UP-ja të mos merret me letra, por me rezultatet

Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Avni Islami, në Universitetin e Prishtinës është politizuar gjithçka dhe problemet janë rritur në masë shumë të madhe, madje aq sa, aty ka humb kuptimi i të qenit profesor e student.

Ai ka thënë për “Bota sot” se letra kërcënuese nuk ka të bëjë fare me rrezikimin e kampusit Universitar.

“Ata paskan deklaruar se në adresë të tyre paska shkuar një letër kërcënuese nga ISIS-i, dhe për mendimin tim, ajo nuk ka të bëjë fare me rrezikimin e kampusit Universitar, edhe pse çdo informatë do të duhej të analizohet se sa është serioze lidhur me kërcënimet dhe rreziku që do të mund t`i kanosej Kosovës”, ka thënë Islami.

Por, ai ka thënë se Universiteti do të duhej t`i marr seriozisht vërejtjet për nivelin e ulët të kënaqshmërisë se rezultateve, se sa të merret me letra të dyshuara dhe të pa verifikuara nga organet e sigurisë.

Tërnava: Letra mund të jetë shkruar nga vet studentët

Ndërsa, analisti tjetër, Hajrullah Tërnava ka thënë se situata e krijuar në UP nga një grup studentësh, para disa ditësh, e tregon edhe situatën politike dhe arsimore në të cilën ka ra ky Universitet.

“Duke mos iu përmbajt kritereve shkencore të profesorëve, që emërohen në baza partiake dhe me njoftësi, e të cilët duhet t’i përgatisin kuadrat për ardhmërinë e Kosovës, dhe duke e vërejtur këtë gjendje, edhe vet studentët s’po e pranojnë një gjendje të tillë, ku kryhet fakulteti shkel e shko, në mënyra demonstruese, po i përkujtojnë qeveritarët dhe politikanët se më nuk shkohet kështu me këto kuadro”, është shprehur Tërnava.

Efekti vetëdijësues

Edhe letra kërcënuese e ISIS-it që e ka marr UP-ja, sipas tij, e ka qëllimin që të vetëdijësohet kjo shoqëri dhe që të punohet ashtu si e parashohin ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Është e mundur që kjo letër është e shkruar që ta arrijë efektin më të fortë për qëllimet sikur i ceka nga dikush prej studentëve, mbasi është si trend tani çështja e ISIS-it”, ka thënë Tërnava, derisa ka theksuar se organet e sigurisë nuk duhet ta neglizhojnë këtë çështje, dhe duhet që t’i ndërmarrin të gjitha masat në preventive që mos të vie deri te më e keqa dhe t’a parandalojë efektin e kësaj letre.

AKI të merret me letrën e ISIS-it

“Nuk është për t’u nënçmuar kjo letër, kur dihet që një numër jo i vogël i të rinjve shqiptarë kanë marrë pjesë në luftërat e ISIS-it, edhe që dita ditës është duke iu humbur forca dhe me të madhe, po i humbin betejat dhe po shkapërderdhen. Me këtë çështje të kësaj letre nga ISIS-i,  duhen të merren në rend të parë AKI dhe Policia e Kosovës si dhe të gjitha institucionet që e luftojnë krimin në përgjithësi”, ka theksuar Tërnava për Bota sot.

Në fund, Tërnava ka thënë se numri i shqiptarëve që kanë qenë pjesëmarrës në luftërat e ISIS-it, nuk është i vogël dhe gjithnjë ekziston mundësia e sulmeve në institucionet ma të larta të Kosovës për tu arritur efekti pozitiv nga ana e ISIS-it për qëllimet e tyre.

“Tani është në rrënjë e sipër efekti luftarak i ISIS-it, dhe droja për një sulm është më i vogël. Sidomos kur dihet se edhe ata që iu kanë bashkangjitur ISIS-it, tjerët anëtarë të familjeve i kanë në Kosovë, dhe çdo sulm në institucionet e Kosovës kishte më qenë fatal edhe për veteata dhe familjet e tyre në tërësi”, ka përfunduar Tërnava.

Ndryshe, ceremonia për shënimin e themelimit të Universitetit të Prishtinës pas këtij kërcënimi, është mbajtur në sallën e Senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat