Mustafa: Qeveria e përkushtuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë

Politika

Mustafa: Qeveria e përkushtuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë

Nga: Bota sot Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 15:46
Pamje nga takimi konstituiv i Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës

Nën kryesimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur sot takimi konstituiv i Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, njofton kumtesa kryeministrore.

Qëllimi i krijimit të këtij grupi është koordinimi i procesit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, zhvillimi i politikave dhe monitorimi i zbatimit të legjislacionit të kësaj fushe.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë në krijimin dhe promovimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

“Konstatoj se Republika e Kosovës çdo ditë e më tepër është duke treguar një qasje pozitive dhe proaktive në ndërtimin e politikave të barazisë, në stimulimin e zgjidhjeve të cilat sigurojnë dhe promovojnë diversitetin dhe krijimin e mundësive të barabarta dhe trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnik, fetar, ose dallim tjetër”, tha kryeministri.

Duke u bazuar edhe në obligimet të cilat dalin nga Marrëveshja Stabilizim Asociimit dhe dokumenteve tjera për aderim në Bashkimin Evropian, Mustafa tha se Kosova po angazhohet të respektojë dhe të promovojë të drejtat dhe instrumentet ndërkombëtare që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, liritë e tyre themelore, si dhe me mbrojtjen e personave që ju përkasin grupeve të ndjeshme dhe atyre që nuk janë shumicë, pa diskriminim mbi çfarëdo baze.

“Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe të pacenueshme, dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës, të cilat garantohen me ligje dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unë jam plotësisht i vetëdijshëm se zbatimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, është vendimtar për të siguruar demokracinë dhe sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, prandaj edhe qeverisja e lirë, demokracia e mirëfilltë dhe sundimi i ligjit ndërlidhen ngushtë me sigurimin, respektimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut”, tha kryeministri.

Më tej, Mustafa tha se me aprovimin e pakove të ligjeve nga fusha e të drejtave të njeriut, siç është Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligji për Avokatin e Popullit dhe Ligji për Barazinë Gjinore, është kompletuar dhe është avancuar dukshëm korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ky legjislacion është në përputhje të plotë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe tani ajo që mbetet tek ne është vetëm që të punojmë në zbatimin e këtij legjislacioni. Përfitoj nga rasti që të falënderoj të gjithë autoritetet kompetente për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që veprojnë në Kosovë, të falënderoj po ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë të cilët kanë bashkëpunuar me ne në mënyrë shumë aktive dhe kanë mundësuar që ne të trajtojmë në formë bazike këtë çështje. Ne kemi disa prioritete të Qeverisë në fushën e të drejtave të njeriut, mirëpo mekanizmat tonë qeveritarë, kryesisht në të ardhmen do të punojmë në forcimin dhe bashkërenditjen në fushat e të drejtave të njeriut, në raportimin para Kuvendit për zbatimin e të drejtave të njeriut, zbatimin e pakove të ligjeve të cilave iu referova edhe më parë, në përditësimin e strategjive nga këto fusha, sepse ato meritojnë që gjithmonë të avancohen dhe përditësohen, si dhe monitorimin dhe në bashkërenditjen e buxhetimit, që është një faktor mjaft i rëndësishëm në realizmin e detyrave tona në këtë fushë. Unë jam i bindur se me një koordinim të përbashkët ne do të arrijmë objektivat tona. Prandaj, dëshiroj të falënderoj edhe ministrat që marrin pjesë në këtë takim, edhe Avokatin e Popullit që është shumë aktiv në këtë fushë dhe dëshiroj që t’ju siguroj se ne do të bashkëpunojmë fuqishëm që të realizojmë këtë objektiv që është i rëndësishëm për vendin tonë dhe për zhvillimin e demokracisë në të ardhmen”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, shprehu bindjen se ky mekanizëm do të jetë mundësi e mirë për të ngritur shqetësimet për moszbatimet eventuale të rekomandimeve që nxjerr Avokati i Popullit për institucionet publike, por gjithashtu edhe një mundësi e hapur për kontributin e organizatave joqeveritare që të bashkëpunojnë nga afër me institucionet publike.

“Shpresat e mia për një punë të mirëfilltë të këtij grupi ndërministror janë të mëdha. Shpresojmë se bashkërisht do ta fuqizojmë këtë mekanizëm në mënyrë që të zbatohen rekomandimet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut”, tha z. Jashari.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, theksoi se Ministria që ai drejton po punon jo vetëm në luftimin e radikalizmit, por edhe në trafikimin me qenie njerëzore.

“Krahas adresimit dhe luftimit të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe trajtimit të problematikës së luftëtarëve të huaj, Ministria e Punëve të Brendshme me intensitet dhe përkushtim të njëjtë vazhdon ta adresojë çështjen e trafikimit me qenie njerëzore”, tha ministri Hyseni.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e nevojshme buxhetore për Avokatin e Popullit, por edhe për institucionet tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut.

“Po bëjmë të gjitha përpjekjet që të sigurojmë mbështetje të nevojshme buxhetore për institucionin e Avokatit të Popullit, por edhe të institucioneve tjera që lidhen me të drejtat e njeriut, në veçanti Zyrën për Qeverisje të Mirë, Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, por edhe institucione të caktuara që prekin çështjen e të drejtave të njeriut. Me gjithë kufizimet buxhetore që kemi pasur, kemi qenë të përkushtuar që të plotësojmë kërkesat buxhetore, në veçanti te institucioni i Avokatit të Popullit, si bartësi kryesor për mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, tha ministri Hoti.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, foli për punën që po bëhet nga kjo Ministri.

“Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, është emëruar nga Qeveria, Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe janë përgatitur edhe draftet e udhëzimeve administrative. Ministria e Drejtësisë, ka hartuar Draft-Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje 2016-2020, e cila së shpejti do të dërgohet në Qeveri për miratim. Kjo strategji trajton edhe fenomenin e dhunës në familje”, tha zëvendësministri Dushi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat