Skenarët e Rusisë në Ballkan, ndizet “alarmi” për Kosovën!

Politika

Skenarët e Rusisë në Ballkan, ndizet “alarmi” për Kosovën!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 shkurt 2017 Në ora: 08:29
Pamje nga protestat e mëhershme të opozitës

“Por është e qartë se bllokada e disa proceseve nga ana e opozitës, po i kontribuon interesave ruse për një Ballkan jostabil dhe më tepër se kaq për një Ballkan i cili nuk është qartë i rreshtuar kah bota perëndimore”, ka thënë Tahiri.

Protestat e organizuara nga opozita në kundërshtim të marrëveshjeve për Demarkacionin me Malin e zi dhe asaj për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, kanë mundur t`i ngjajnë puçit që u planifikua në Mal të zi, kur u tentua të pengohej anëtarësimi i këtij shteti në NAT0.

Kështu ka lënë të nënkuptohet Ministri i Punës dhe mirëqenies sociale Arban Abrashi, i cili ka komentuar një shkrim të britanikes The telelgraph, për skenarin e pengimit me dhunë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, për puçin e planifikuar në Kuvendin e Malit të Zi dhe vrasjen e planifikuar të Kryeministrit Gjukanoviq.

Plane të tilla, sipas Abrashit ka pasur edhe në Kosovë.

“Me siguri se plane të tilla ka pas edhe për Kosovën, derisa forca politike në Kosovë me apo pa vetëdije kanë përkrahur, apo kontribuar për, skenarë të tilla. Zoti e Bekoftë Kosovën. Zoti Bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.

Edhe opozita, është e mendimit se Abrashi ka aluduar në ta, kur e ka shkruar këtë deklaratë.

Ministri Abrashi, ndonëse është pyetur nga “Bota sot”, nuk ka dhënë ndonjë shembull konkret për paralelen e hedhur ndërmjet Kosovës dhe Malit të zi.

Justifikim për demarkacionin

Muhamet Kelmendi, anëtarë i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ka quajtur të pandërgjegjshme, këtë tërheqje paralelesh nga ana e z. Arban Abrashi.

“Z. Abrashi, duke u mbështetur në kundërshtimin, që opozita i ka bërë dy marrëveshjeve, asaj të asociacionit dhe të demarkacionit, konkludon se këndej ka lidhje. Abrashi me një pandërgjegje të lartë bënë kështu ngjashme ri midis opozitës në Kosovë dhe veprimeve kriminale të organizuara nga Rusia dhe Serbia ne Mal të Zi. Turli i këtij shkon edhe më thellë. Më atë vihet në një vijë opozita e Kosovës me kriminelët rusë. Këndej i takon Abrashit dhe pronarit të tij të nxjerre fakte se ku ka lidhje opozita kosovare me Rusinë dhe me Serbinë? Kjo rrjedhimit gjoja provohet me mjetet e ofruara“, ka shkruar ai.

Tutje, Kelmendi, ka parashtruar disa pyetje për ministrin Abrashi.

“Po ky harron të nxjerre fakte se a kemi organizim kriminal në Kosovë?! Ku është vepra penale e rrezikimit të shtetit?  Kush kënd po fond të vranë? Janë këto pyetje që Abrashi nuk ka fakte për të akuzuar një opozitë që ai bën. Po kështu duhet thënë se në cilat anë dalin demonstratat dhe protestat në Kosovë se janë të organizuara nga Serbia”, ka pyetur Muhamet Kelmendi.

Sipas Kelmendit,  me këtë analogji ministri Abrashi po mundohet që të justifikoj demarkacionin, punën antishkencore të matjes gjoja të territorit të Kosovës, si dhe marrëveshjen për asociacion.

“Dua të them se papërgjegjësia e pushtetarëve është e lartë. Kur akuzohet kështu dhe tërhiqet anolagjia nguten në zbatim Prokuroria. Në të kundërtën, po të kishte shtet ligjor, Abrashi dhe abrashat tjerë duhet të përgjigjen për akuzat e tilla”, ka përfunduar ai.

Por, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, kanë komentuar deklaratën e Abrashit, jashtë politikës vendore.

Alarami në Ballkan

Sipas Sami Blakajt, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se ridizajnimi i seknarëve politikë ka ngritur alarmin në Ballkan dhe brenda Unionit Evropian.

“Ridizajnimi i seknarëve politikë ka ngritur alarmin edhe brenda Unionit Evropian dhe jo vetëm brenda ballkanit, në këtë rast brenda Kosovës dhe Malit të Zi. Shtetet e BE-së ngrenë alarmin për rrezikun rus dhe kanë filluar të mendojnë për mbrojtje të veçantë. Gjithë kjo për shkak se Evropa druhet nga mundësia që Presidenti Trump mund të veprojë në favor të dobësimit të NATO-së”, ka thënë Blakaj.  

Ndërkaq, Blakaj ka thënë se në Ballkan pritet një ndërhyrje më e madhe e Rusisë në Bosnjë, Maqedoni dhe sidomos në Mal të Zi dhe Kosovë.

“Mali i Zi tashmë është në prag të anëtarësimit në NATO dhe skenari rus ka të bëjë pikërisht me pengimin e tij drejtë anëtarësimit në këtë aleancë politike dhe ushtarake. Ndërkaq Kosova dhe insitucionet e saja me të drejtë druajnë se Rusia dhe presidenti rus, z. Putin mund të përfiton nga këto rrethana të reja”, ka thënë Blakaj.

Kjo, sipas tij, padyshim se mund të jetë një skenar i mundshëm dhe në të njëjtën kohë i rrezikshëm, i cili do të rihapte epokën e re të konflikteve në Ballkan.

Ndikimi Rus

Edhe sipas politologut Mentor Tahiri, Ballkani është një zonë strategjike shumë e rëndësishme për Rusinë.

“Këtë e imponon në radhë të parë vetë pozicioni gjeo-strategjik i kësaj pjese të Evropës, duke shërbyer si dritare e cila tutje shpien në Mesdhe, por edhe lidhjet “vëllazërore” sllavo-ortodokse, sidomos ato ruso-serbe. Sot, Rusia është shumë aktive në politikën e saj të jashtme, kurse në këtë drejtim s’do mend se ka angazhuar edhe parapolitikën përmes shërbimeve të fshehta, e ku nuk përjashtohet edhe vetë mundësia e financimit të drejtpërdrejtë të disa qarqeve politike në radhë të parë në Mal të zi”, ka vlerësuar ai.

Sipas Tahirit, me inkuadrimin e Malit të zi në NATO, Rusia është e vetëdijshme se po humb përfundimisht “daljen” e saj në Adriatik.

“Kjo humbje ruse, bëhet edhe më e thellë, nëse rikujtojmë faktin se vetë krijimi i hershëm i Mbretërisë malazeze, respektivisht pavarësimi atëkohë i Malit të zi nga Perandoria Osmane, ishte kryekëput rezultat i presionit rus. Sidoqoftë, ndërhyrja ruse në Ballkan nuk është sot e identifikueshme vetëm në Mal të zi, diçka e tillë vërehet në prag të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, kur Rusia po përpiqet të imponoj kandidatin e saj, kurse po vërehet edhe në entitetin me shumicë serbe në Bosnje-Hercegovinë me ndikim të qartë ne rritjen e kërkesave seperatiste të liderit të këtij entiteti, Milorad Dodik”, është shprehur Mentor Tahiri.

Ndërsa, sa i përket një ndikimi rus në Kosovë, respektivisht në ndonjë parti politike në Kosovë , për Mentor Tahirin, kjo mund vetëm te jetë spekulative.

“Por është e qartë se bllokada e disa proceseve nga ana e opozitës, po i kontribuon interesave ruse për një Ballkan jostabil dhe më tepër se kaq për një Ballkan i cili nuk është qartë i rreshtuar kah bota perëndimore”, ka thënë ai.

Sipas tij, çfarëdo veprimi politik që dëmton relacionet Kosovë-Evropë, shkon në favor të politikës ruse në Ballkan, andaj këtu ministri Abrashi ka plotësisht të drejtë.

“Në këtë aspekt, çështja e demarkacionit e cila tani ka evoluar në një kauzë populliste të manipulimit emocional me qytetarët, po e lë të izoluar Kosovën jo thjeshtë sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve, por dëmet kolaterale që po shkakton, po mbajnë peng procese tjera në relacionet Kosovë-Evropë. Çfarëdo veprimi politik që dëmton relacionet Kosovë-Evropë, shkon në favor të politikës ruse në Ballkan, andaj këtu ministri Abrashi ka plotësisht të drejtë”, është shprehur Tahiri.

Politologu Tahiri, ka ftuar qeverinë që të argumentoj me përgjegjësi zhvillimet e fundit sic janë Demarkacioni dhe Asociacioni.

“Gjithsesi, i takon qeverisë së sotme në Kosovë, që të argumentojë qartë se manipulimi që po bën opozita me Demarkacionin apo edhe çështje tjera, janë thjeshtë politikë populliste, e këtu kërkohet më shumë veprim konkret argumentues si dhe veprim nga ana e shtetit, sesa deklarata dhe “betejë” mediatike. Qeveria e Kosovës, duhet të marrë më shumë përgjegjësi, ngase ky është obligim i prodhuar nga matematikat elektorale, dhe jo thjeshtë të bie në grackën e presioneve opozitare”, ka thënë ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat